Mund të jenë shumë arsyet përse ndodh kjo me një shtet vetëm njëzetvjeçar, që ia kalon atij 110-vjeçar si ky i yni, por ia vlen të veçojmë dy faktorë…
Shoqëria në Kosovë, ose thënë më qartë shqiptarët e Kosovës, hodhën një hap tjetër të rëndësishëm drejt Europës e qytetërimit perëndimor me votimin e kryer dje, në Ditën e Dashurisë.
Procesi elektoral u karakterizua nga një fushatë e qetë dhe dita e votimit ishte krejtësisht normale e pa probleme. Numërimi i votave, transparent dhe i shpejtë, e ku para mesnatës, pra vetëm 5 orë pas mbylljes së kutive të votimit, ishin numëruar gati 80% e votave të hedhura në kuti, që evidentonin qartësisht rezultatin zgjedhor. E sigurisht, mbi të gjitha, kësaj here ishte përcaktimi i qartë i fituesit, i votuar masivisht në këto zgjedhje, duke e pajisur kësisoj të përzgjedhurin me një mandat të qartë për reformat e premtuara.
Në çdo drejtim, zgjedhje shembullore, absolutisht shumë herë më mirë se sa shqiptarët këtej kufirit. Mund të jenë shumë arsyet përse ndodh kjo me një shtet vetëm njëzetvjeçar, që ia kalon atij 110-vjeçar si ky i yni, por ia vlen të veçojmë dy faktorë.
Shqiptarët e Kosovës e kanë vuajtur zgjedhën e Serbisë dhe administratës, apo shtetit serb, si në kohën e Jugosllavisë, por veçanërisht edhe në periudhën e Milosheviçit. Të përjashtuar nga regjimi, por edhe të vetëpërjashtuar nga pushteti e administrata, duke mos dashur të bëheshin vegla të regjimit, ata kanë qëndruar me shumicë të lirë në aktivitetin e tyre privat, ose kanë emigruar masivisht në vendet e demokracive perëndimore, duke u mëkuar edhe më tej me ndjesinë dhe vlerat e lirisë së individit dhe të ekonomisë të tregut të lirë.
Kjo ndjenjë e brendshme lirie, e ngjizur kohë më parë, ka bërë që në Kosovë edhe në këto vite, pavarësisht ndikimeve që ka pasur Tirana, kryesisht ajo e majtë apo rilindëse, në strukturat e elitat drejtuese me metodat manipuluese dhe shtrembëruese të vullnetit të qytetarëve, nuk ka ndikuar dot në bazën e votuesve të Kosovës, që kanë dëshmuar me shumë përgjegjësi në votim, në vlerësim të së drejtës tashmë të fituar për të votuar drejtuesit shqiptarë në krye të institucioneve të shtetit të ri. Kjo është një nga arsyet që edhe tentativat për manipulim, apo thënë hapur vjedhje të rezultatit në Kosovë, kanë qenë të limituara kur i krahason me ato të Shqipërisë mëmë, ku fenomeni ka përmasa të papara.
Elementi i dytë i rëndësishëm është pjesëmarrja në zgjedhje e të rinjve, brez i cili, i rritur tashmë në një shtet të pavarur, po dëshmon se e ka edhe më të theksuar ndjenjën e lirisë dhe kjo masë të rinjsh familjarizuar siç janë me botën e internetit e të teknologjisë së informacionit kanë një propension edhe më të madh për vlerat e lirisë e demokracisë, të integritetit dhe dinjitetit, por fatmirësisht edhe të shqiptarisë dhe vlerave kombëtare.
Dhe të rinjtë në Kosovë përbëjnë një pjesë më të madhe të elektoratit se në Shqipërinë mëmë, ku emigrimi i theksuar i tyre si pasojë e mospërfshirjes në jetën e vendit, ka krijuar një gropë në bazën votuese, që gjithsesi e penalizon të renë dhe promovimin e saj.
Është fakt që brezi i të moshuarve në Shqipëri, brez që ende ka të ngulitur thellë në inkoshiencë nënshtrimin ndaj partisë, ideologjisë apo dhe liderit që e përfaqëson krahun, është një faktor jo i neglizhueshëm në elektoratin e Shqipërisë. Dhe ky brez që nuk ka votuar kurrë i lirë, i lidhur me njëqind fije me të shkuarën diktatoriale ka pasur një ndikim jo të vogël në pasardhësit. Nuk është krejt e rastit që termi i “Rilindjes” ju erdhi pas avazit atyre, por edhe të rinjve mëkuar me këtë frymën ideologjike që në fakt u ka shërbyer si mjet për të shtënë në kontroll pushtetin politik.
E më tej atë ekonomik, duke krijuar dhe duke ushqyer me buxhetin e shtetit një oligarki të ngjyrosur tashmë, por që ngjan më shumë me atë oligarkinë hyzmeqare, alla Putin, ku është pushteti politik që i kontrollon dhe i përdor këta oligarkë se sa këta të fundit të kontrollojnë pushtetin politik, dhe që përfundojnë të shfrytëzohen më shumë se kurrë në proceset elektorale, për të organizuar e për të favorizuar manipulimin e votës së qytetarëve, me hir a me pahir.
Të rinjtë e Kosovës u kthyen në një faktor determinant për faktin se ata ndihen veçanërisht të përfaqësuar nga Albin Kurti me qëndrimet e tij dinjitoze në planin kombëtar e ndërkombëtar, por edhe nga figura e pastër dhe e papërlyer në afera korruptive, në antitezë me pjesën më të madhe të kastës së drejtuesve të derisotëm.
Imazhi i këtij lloj lideri ka qenë padyshim katalizatori dhe shtysa më e fortë për t’i motivuar ata që t’u drejtohen masivisht kutive të votimit e për të vënë, kësisoj, vulën e tyre në të ardhmen proeuropiane e properëndimore që po përvijojnë për shtetin më të ri të Europës.
Ne shqiptarëve të dheut mëmë na mbetet shpresa që në dy muajt e ardhshëm të mund të ngrihemi në lartësinë e përgjegjësive që na takon si qytetarë të shtetit më të vjetër shqiptar e të orientojmë me votë e vendosmëri atdheun në drejtimin e duhur kësaj here drejt Perëndimit dhe jo drejt rilindjes së kuqe apo asaj otomane.
Le të hedhim edhe ne të kësaj ane të kufirit hapin e duhur përpara, që do të na rivinte në krah të Kosovës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
pavarësisht ndikimeve që ka pasur Tirana, kryesisht ajo e majtë apo rilindëse, në strukturat e elitat drejtuese me metodat manipuluese dhe shtrembëruese të vullnetit të qytetarëve…..
Sipas jush vetem e majta paska vjedhur ne Shqiperi vota… Goxha gazetari vertete.