Nëse si individ je përfitues i ndonjë pagese nga ndonjë institucion shtetëror, për shembull marrës honorari për përkthimet e kryera; pedagog i jashtëm në universitetet shqiptare apo ofrues i ndonjë shërbimi tjetër për të cilin duhet të paguhesh, ndeshesh me një absurditet të radhës të institucioneve publike. Paraqitesh për të tërhequr pagesën që të takon apo u vë në dispozicion numrin e llogarisë bankare personale për të bërë transferimin, por në sektorët e llogarive të urdhërojnë: “Hap llogari në bankën X, që ta transferojmë atje pagesën. Përndryshe nuk i merr paratë”(?!). Kjo është një nga pasojat absurde të fushatës anti-cash të nisur para një viti e ca nga institucionet qendrore financiare të vendit: Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Finanacave. Të gjithë mbajmë mend se me sa pompozitet nisi fushata, e cila u katandis në një ngjarje të rëndomtë: organizimin e një serie tenderash për të zgjedhur bankën, ku do të çelnin me urdhër llogaritë e tyre punonjësit e administratës publike. Një masë pak e efektshme në reduktimin e qarkullimit të parasë fizike në ekonomi. Sepse ekzistenca e një ekonomie joformale nga 33% vlerësimi zyrtar në 60% sipas studimeve të institucioneve të tjera, pa përmendur një sërë faktorësh të tjerë, sigurisht që shoqërohet me qarkullim të lartë të parasë jashtë kanaleve zyrtare. Për të konfirmuar këtë fakt, mjafton të shëtisësh nëpër ATM-të e instaluara në qytetin e Tiranës ditën e pagimit të rrogave të administratës dhe sheh turma njerëzish ngjeshur pas njëri-tjetrit në pritje për të tërhequr paratë. Pra, ajo sasi parash që do të tërhiqej nga një punonjës i sektorit të financës i një institucioni, tashmë tërhiqet nga qindrat e punonjësve të administratës publike. Rezultati neto nuk ndryshoi. Ndryshoi vetëm humori i atyre që organizuan tenderat dhe fushatën e destinuar vetëm për propagandë. E megjithatë e keqja nuk qëndron këtu. Dëmi kryesor bëhet nga instalimi i një praktike që rrëzon përtokë rregullat e konkurrencës së lirë në një treg, në atë të shërbimeve bankare. Në çdo tekst, sado të thjeshtë shpjegues për bankën dhe shërbimet bankare, çdo lexues ka mundësi të njihet me një sërë faktorësh mbi bazën e të cilave klienti zgjedh bankën me të cilën ka dëshirë të punojë. Mund të zgjidhet banka që të ofron normën më të lartë të interesit për llogarinë e depozitës apo normën më të ulët për kredinë e marrë; që të ofron nivelin më të ulët të komisioneve; banka që të shërben më shpejt dhe më me cilësi; banka që i ka zyrat pranë vendit të punës apo të banimit; banka që ka më tepër siguri; banka që të ofron orar shërbimesh më të përshtatshëm ose thjesht ta ka ënda të punosh me bankën ku punonjësit e sportelit sillen këndshëm. Çdo individ ka të drejtën (në një vend demokratik dhe ekonomi tregu që funksionon mbi bazën e konkurrencës së lirë) të vlerësojë vetë këta faktorë dhe të tjerë dhe në fund të marrë po vetë vendimin se ku do të çelë llogarinë e tij dhe me cilën bankë do të punojë. Në praktikën e zbatuar rreth 1 vit e ca më parë dhe që vijon edhe sot janë shkelur këto parime. Madje kjo sjellje e institucioneve publike në kuptim të ngushtë mund të interpretohet si njëanshmëri në trajtimin e subjekteve private, në këtë rast bankat, pasi detyron punonjësit e administratës publike të punojnë me bankën që i thuhet. Akoma më absurde bëhet kjo situatë kur detyrohen palë të treta të çelin llogari në bankën X, sepse aty ka dëshirë institucioni publik?! Qeverisë së re pra do ti duhet të veprojë për të korrektuar këtë praktikë absurde.Ndërsa fushata anti-cash, pasi i dha shtysë një fushate tenderash, nuk dihet se ku ka mbetur…
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.