Imagjinoni sikur… tre hidrocentralet e privatizuara nga kompania turke Kurum do të vazhdonin të ishin shtetërore, atëherë çmimi i blerjes së energjisë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të ishte rreth 7 herë më i lirë.
Në ankandin e fundit, Kurum, me energjinë e prodhuar nga liqenet e Bistricës, Ulëz e Shkopet, ka përfituar 48 euro për megavatorë, ose 6.82 lekë/kWh (48 x 140 lekë/1000=6.82 lekë/kWh) ndërkohë që çmimi i prodhimit të energjisë nga HEC-et e mëdha ekzistuese vlerësohet nga ERE në 1 lekë/kWh.
Reshjet e muajit shkurt kanë mbushur liqenet e privatizuara nga Kurum si HEC Bistrica 1 & Bistrica 2 sh.a. dhe HEC Ulëz & Shkopet sh.a., të mjaftueshme për të përballuar kërkesat e vetë Kurum për energji dhe me një tepricë prej 14160 megavatorë, të cilat i janë shitur OSHEE për mbulimin e humbjeve.
Në ankandin për lotin e parë të energjisë për muajin mars, që përshin periudhën 01-10 mars 2015, OSHEE ka marrë energji përsëri me çmime shumë më të larta se energjia që shiti KESH gjatë shkurtit në kushtet e reshjeve të shtuara. Madje janë të njëjtat shoqëri tregtare që e blinin energjinë nga 10-16 euro për megavatorë dhe që ia shesin OSHEE me më shumë se 3 herë më shtrenjtë.
Çmimet fituese të ankandit të fundit dhe negociatave të zhvilluara në datat 23.02.2015 deri në 25.02.2015 kanë qenë nga 40 në 53 euro, me një diferencë të madhe mes kompanisë serbe që ia ka shitur energjinë OSHEE me 39.95 euro për megavatorë dhe zviceranes EFT, që ka sasinë më të madhe të kontraktuar(30%) dhe çmimin më të lartë 53.2 euro për megavatorë.
Nga këto çmime të larta ka përfituar edhe Kurum, i cili ka privatizuar para dy vitesh 4 hidrocentrale, të cilat janë një kosto prodhimi të vlerësuar nga ERE 1 lekë/kWh ose rreth 7 herë më lirë se çmimi me të cilin tashmë kompania private ia shet kompanisë së shtetit OSHEE. Me liqenet e mbushura gjatë muajit shkurt, Kurum do t’i shesë OSHEE energji në vlerën e kontraktuar prej rreth 680 mijë euro vetëm për 10 ditët e para të muajit mars.
Sa i përket ndarjes së tregut, EFT vazhdon të ketë pjesën kryesore të tregut me 30% të sasisë(në vlerë zë më shumë se 32% të tortës pasi ka çmim më të lartë), e ndjekur nga Kurum me 22% dhe GSA (19%). Grupi slloven Gen–I ka marrë 17% të tregut, shqiptarja Antix 7% dhe serbët e AXPO me 4%të tregut.
Sipas njoftimit për shtyp, shoqërisë EFT AG nuk iu pranua sasia prej 18 MW në profilin band, për shkak të plotësimit të sasisë së kërkuar, kurse Shoqëria GEN-I Beograd u skualifikuan, pasi sasia e energjisë elektrike e kërkuar për t’u blerë nga OSHEE sh.a., për periudhën 01.10.2015-10.03.2015, u plotësua nga shoqëritë e mësipërme me çmim/njësi më të ulët.
Totali i energjisë elektrike, e ofruar dhe kërkuar për t’u blerë nga OSHEE sh.a., për periudhën 01-10.03.2015 është 64,800 MWh dhe e konvertuar në vlerë monetare 3,287,088 euro (vlera pa TVSH).
“Martesa” e pazakontë e Kurum me hidrocentralet
Rreth tre vjet më parë, qeveria shqiptare vendosi të shkëpusë nga KESH disa hidrocentrale për t’i privatizuar. Në një process prokurimi, turqit e Kurum ofruan dhe çmimin më të lartë, pavarësisht se për të paguar në vlerë financiare, kaluan në buxhet vetëm 50% të pagesës, pasi pjesën tjetër e justifikuan me detyrimin e rimbursimit të TVSH-së që iu kishte buxheti i shtetit. Dy vendime të qeverisë sëkohës tregojnë se HEC-et janë blerë nga firma turke Kurum International, e cila ka ofruar 109.5 milionë euro. Kurum ofroi 52 milionë euro për HEC Bistrica 1 dhe Bistrica dhe 57.5 milionë euro për HEC, Ulëz – Shkopet.
Duke qenë se Kurum është një nga konsumatorët më të mëdhenj të energjisë, investimi në HEC ishte një zgjidhje e favorshme financiare për kompaninë, e cila, si klient i kualifikuar, duhet ta kontraktonte vetë energjinë në treg.
Por kjo martesë (merger=bashkim kompanish) me hidrocentrale ishte e pazakontë për tregun e energjisë elektrike, pasi nga aktivitetet e regjistruara në QKR Kurum International sh.a. njihet kryesisht për prodhimin, përpunimin, tregtimin import – eksportin e hekurit të ndërtimit, grumbullim, demolim, përpunim, tregtim import – eksport të skrapëve të ndryshëm në zonën e ish-Kombinatittë Metalurgjikut, fabrika të privatizuara nga shoqëria në vitin 2009. Sipas ekstraktit, veprimtari të tjera të ndërmarrjes përfshijnë: Prodhimin dhe tregtimin e oksigjenit, azotit, avullit dhe tregtimit të tyre (për këtë qëllim Kurum ka një marrëveshje koncesioni me shtetin shqiptar për fabrikën e oksigjenit në Elbasan).
Po ashtu, Kurum ishte licencuar për kërkim, zhvillim, prodhim dhe tregtim me shumicë dhe pakicë të gazoilit, benzinës, solarit, mazutit, bitumit, gazit të lëngëzuar të naftës (GLN), gazit dhe të gjitha nënprodukteve të tjera të naftës. Për prodhimin, tregtimin e gëlqeres (për këtë qëllim Kurum ka në pronësi fabrikën e gëlqeres në zonën e ish–Kombinatit Metalurgjik, Elbasan).
Ndërkohë HEC Bistrica 1 & 2 sh.a. – ishte një shoqëri aksionere me pjesëmarrje tërësisht shtetërore, e krijuar në bazë të ligjit nr. 10430, datë 09.06.2012 “Për krijimin e shoqërive HEC Ulëz – Shkopet sh.a., HEC Tiranë Lanabregas sh.a. dhe HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2 sh.a., dhe përcaktimin e formës e të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërive HEC Ulëz Shkopet sh.a. dhe HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2 sh.a. Hidrocentrali i Bistrica 1 & 2 ka qenë fillimisht pjesë e strukturës gjeneruese të shoqërisë publike KESH (KESH Gen). Asetet e pasuritë e lidhura me këtë hidrocentral u ndanë dhe u shkëputën nga struktura gjeneruese e KESH për të krijuar Shoqërinë Target, me qëllim privatizimin e saj.
HEC Bistrica 1 & 2, me fuqi dhe kapacitet përkatësisht Bistrica 1 me 22.5MW dhe Bistrica 2 me 5MW, është e licencuar në aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike me vendim nr. 136, datë 06.12.2011 dhe në aktivitetin e tregtimit të energjisë elektrike me vendim nr. 137, datë 06.12.2011 nga ERE. Gjithashtu është licencuar nga ERE në aktivitetin e furnizuesit të kualifikuar të energjisë elektrike me vendim nr. 110, datë 31.07.2012.
HEC Ulëz – Shkopet sh.a. ishte një shoqëri aksionere me pjesëmarrje tërësisht shtetërore, e krijuar në bazë të ligjit nr. 10430, datë 09.06.2012 “Për krijimin e shoqërive HEC Ulëz – Shkopet sh.a, HEC Tiranë Lanabregas sh.a. dhe HEC Bistrica 1 & Bistrica 2 sh.a, dhe përcaktimin e formës e të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërive HEC Ulëz – Shkopet sh.a.
HEC Bistrica 1 & Bistrica 2 sh.a. HEC Ulëz – Shkopet sh.a ka qënë fillimisht pjesë e strukturës gjeneruese të shoqërisë publike KESH (KESH Gen). Asetet e pasuritë e lidhura me këtë hidrocentral u ndanë dhe u shkëputën nga struktura gjeneruese e KESH për të krijuar shoqërinë target, me qëllim privatizimin e saj.
HEC Ulëz – Shkopet sh.a., me fuqi dhe kapacitet përkatësisht: Ulëza me 24 MW dhe Shkopeti me 24 MW, është i licencuar në aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike me vendim nr. 132, datë 06.12.2011 dhe në aktivitetin e tregtimit të energjisë elektrike me vendim nr. 133, datë 06.12.2011 nga ERE. Gjithashtu është licencuar nga ERE në aktivitetin e furnizuesit të kualifikuar të energjisë elektrike me vendim nr. 106, datë 20.07.2012.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.