Avokati i Tatimpaguesve, pas ankesave të shumta që po merr nga bizneset ka filluar shqyrtimin e kësaj gjobitjeje masive me 10 mijë lekë për deklarime të vonuara të administratorëve të bizneseve të reja. Në total në 2015-2016 janë hapur 47 mijë biznese të reja, por nuk dihet ende sa prej tyre janë gjobitur….
Nuk kanë të pushuar ankesat e bizneseve për gjobitjen masive me nga 10 mijë lekë për për vonesa në deklaratën e regjistrimit të administratorit për bizneset e reja të hapura në 2015-2016. Gjobat kanë dalë në sistem në datën 22 qershor, me njoftimin “Gjobë për deklarim të vonuar ESIG27 Nr.1”. Ky njoftim u ka shkuar një pjese të madhe të bizneseve të reja të regjistruara në 2015-2016. Kjo ndodhi pasi në sistemin tatimor kohët e fundit është aktivizuar sipas specialistëve të shërbimit , formualri E-sig 027, për punësimet dhe largimet rishtaz. Aktivizimi i tij ka bërë që sistemi të vendosë gjoba 10.000 lekë për deklarimet, të cilat nuk kanë respektuar afatin 24 orë para. (Lexo: Revoltohet biznesi për gjobën 10 mijë lekë; po na vihet edhe para se të marrim NIPT).
Sipas tatimeve, faji në këtë rast ka qenë i vetë bizneseve, që janë vonuar me deklarime, pasi teknikisht me marrjen e NIPT-it sistemi online i tatimeve e regjistron automatikisht pa pasur nevojë për dy apo tre ditë. Mirëpo bizneset që regjistrohen për herë të parë nuk i njohin ligjet dhe rregullat dhe për tepër regjistrimin online, thane ekspertët e tatimeve. (Lexo: Nuk deklaruan në afat punonjësit, bizneset e reja gjobiten 10 000 lekë, Tatimet: Nuk njohin ligjin dhe regjistrimin online).
Bizneset nga ana e tyre ankohen se këto gjoba janë të padrejta, pasi ka raste kur data që tatimet njohin si fillim pune për administratorin është më e hershme se data e marrjes së NIPT. Një tjetër ankesë lidhet me faktin që gjobat për bizneset e vogla janë gjeneruar nga Drejtoria rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj, nga të cilët ka ardhur dhe shkresa me njoftimin përkatës (shiko shkresën në foto).
Por denoncimi më i fundit nga bizneset flet për një “lajthitje” të tatimeve. Ekonomisti i një firme ankohet se një biznesi të vogël me një të vetëpunësuar është gjobitur nga Drejtoria e Përgjitheshme e Tatimeve 2 herë për të njëjtën arsye (deklarim i vonuar i administratorit), duke paraqitur dhe dokumentat përkatëse (shiko më poshtë në foto).
Pas ankesave të shumta që ka marrë ditët e fundit, edhe Avokati i Tatimpaguesve ka filluar shqyrtimin e çështjes. Burime nga ky institucionet pohojnë se po njihen me problematikën dhe së shpejti do të përgatisin një material të hollësishëm, ndërsa bizneset që kanë ankesa mund të shkruajnë në adresën [email protected].
Gati 40 mijë biznese të reja të hapura në 2015-n dhe 7600 në 5 mujorin 2016
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Bizneseve (QKB), në vitin 2015 kishte një rritje të ndjeshme të numrit të bizneseve të reja, rrjedhojë e aksionit kundër informalitetit të nisur nga qeverisa. Këtë vit janë regjistruar 39,650 biznese, kryesisht të vogla.
Rritja ka vijuar dhe në muajt e parë të këtij viti, por me ritme normale. Për periudhën janar-maj janë regjistruar edhe 7,571 biznese të reja.
Në total për periudhën 2015-5 mujori 2016 janë regjistruar rreth 47 mijë biznese të reja, por nuk dihet ende se sa përqind e tyre kanë marrë gjoba për deklarim të vonuar të administratorëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.