Procesi i konsolidimit, blerjet dhe përvetësimet në përgjithësi shihen si pozitive për sistemin, veçanërisht nëse bëhen shkak për të tërhequr investitorë strategjikë, të cilët kanë ekspertizën dhe metodologjinë e duhur. Por, nga ana tjetër, sigurisht që nuk është gjë e mirë, nëse emra të mëdhenj si NBG, Piraeus apo Societe Generale – një nga më të mëdhenjtë dhe më të mirët në rajon – largohen nga Shqipëria. Megjithatë, mbeten për t’u parë strategjitë e lojtarëve të rinj.
Flet Bozhidar Todorov, Drejtor i Përgjithshëm i Fibank
Si e vlerësoni performancën e sistemit bankar në tërësi dhe bankës suaj në veçanti gjatë vitit 2018?
Më lejoni ta nis nga pjesa e dytë e pyetjes, pasi jam krenar të them që 2018-a ka qenë viti më i suksesshëm për Fibank Albania. Gjatë këtij viti, ne kemi realizuar fitimin më të lartë në historinë e saj, duke tejkaluar vlerën e 3.5 milionë eurove. Gjithashtu kemi shënuar edhe vlerën më të lartë të kredidhënies në të gjithë sistemin bankar, me më shumë se 30%, si dhe në atë të mbledhjes së depozitave apo në atë të efektshmërisë.
Përpos këtyre treguesve pozitivë, ne mundëm të ruanim dhe të përmirësonim gjendjen e likuiditetit dhe pozicionin e kapitalit. Rezultatet tona janë edhe më mbresëlënëse nëse përmendim përurimin e 4 degëve të reja në qytetet e Tiranës, Lushnjës, Lezhës dhe Sarandës. Në një kohë kur sistemi bankar sa vinte dhe tkurrej, ne shfrytëzuam rastin për t’u ofruar shërbimet tona një numri më të madh individësh dhe biznesesh shqiptare.
Ne bëmë të mundur që hapja e këtyre degëve të bëhej në kohë rekord dhe kostot e larta nuk e cenuan rezultatin përfundimtar të bankës. Edhe këtë vit, sikurse edhe vitet e tjera, ne do ta riinvestojmë fitimin në Shqipëri. Pra, nuk do të shpërndajmë divident te banka mëmë. Në këtë formë, Fibank Bullgari dëshmon besimin e saj te Fibank Shqipëri, por edhe në ekonominë shqiptare në tërësi.
Falë rritjes me ritme të shpejta të ekonomisë Bullgare, performanca e bankës mëmë ka qenë mjaft e kënaqshme, si në vitet e shkuara ashtu edhe në vitin 2018. Rezultatet pozitive i kanë dhënë Fibank Bullgari mundësinë për t’u fokusuar në tregjet e huaja ku ajo është e pranishme, duke përfshirë këtu edhe tregun shqiptar.
Ka qenë një vit mjaft i mirë për sistemin bankar dhe tendenca pozitive ka vijuar gjatë dy – tre viteve të fundit. Është domethënës fakti që, edhe bankat e tjera kanë pasur të njëjtin trend pozitiv. Shitblerjet e bankave nuk prodhuan efekte negative për sistemin, edhe gjatë një viti kaq dinamik sa 2018.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për Fibank Albania dhe sistemin bankar gjatë vitit 2019?
Besoj dhe shpresoj që viti 2019 të jetë edhe më i mbarë jo vetëm për bankat, por edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët! Fibank do të vijojë të rrisë praninë e saj në tregun shqiptar. Ne po planifikojmë të hapim edhe dy degë të tjera në Tiranë dhe të rrisim biznesin me të paktën 20%.
E kemi ndërmarrë këtë hap si rezultat i kërkesës së shtuar për shërbimet tona, si dhe interesit të lartë që individët dhe kompanitë kanë shfaqur për të njohur Fibank Albania. Vitin e kaluar, u shpreha në të njëjtën intervistë se do të zgjeronim stafin me 20%. Në të vërtetë, ne u zgjeruam me 40%. E theksoj këtë fakt, sepse pas çdo suksesi ndodhet një ekip profesionistësh të përkushtuar dhe të motivuar, të cilët janë tërësisht të fokusuar në përmbushjen e kërkesave të klientëve – një vlerë themelore kjo e Fibank. Gjatë vitit 2019 pritet të ndihen rezultatet e shitblerjes së bankave që u realizuan gjatë vitit të kaluar. Do të ketë lojtarë të rinj në treg dhe duhet të shohim se çfarë strategjie do të ndjekin.
Nga ana tjetër, duhet të vërejmë me kujdes ecurinë e ekonomisë shqiptare. Nëse tensionet politike vazhdojnë për një kohë të gjatë, kjo do të ketë ndikim negativ në të gjithë sektorët, përfshi këtu edhe atë bankar. Aktualisht, sektori bankar është pa diskutim më i strukturuari në vend dhe ka dëshmuar që ka hapësira të mëtejshme për progres dhe për të mbështetur rritjen ekonomike, pavarësisht sfidave që lidhen me riskun financiar të Shqipërisë.
Para një viti, Banka e Shqipërisë ndërmori një plan masash për të ulur nivelin e Euros në ekonominë shqiptare. Si e gjykoni efektshmërinë e këtij plani deri tani? Si e shpjegoni rritjen e konsiderueshme të depozitave në Euro gjatë vitit 2018?
Euroizimi i ekonomisë është një dukuri e cila nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri. Ka shumë raste të tjera të ngjashme në botë. Për këtë arsye besoj që institucionet ndërkombëtare dinë si ta adresojnë këtë problem. Banka e Shqipërisë disponon ekspertizën e duhur në fushën e makroekonomisë dhe politikave monetare, andaj procesi i deeuroizimit po trajtohet me kujdes dhe profesionalizëm. Shqipëria është ekonomi e vogël dhe e hapur, gjë që e bën të cenueshme ndaj kësaj dukurie.
Edhe nëse nuk vërejmë efekte pozitive, nuk do të thotë që masat nuk po funksionojnë. Edhe minimizimi i efekteve negative tregon që masat po funksionojnë. Për këtë arsye, besoj që kjo çështje po trajtohet si duhet. Do të doja të përmendja që Fibank, sikurse shumica e bankave, prej shumë vitesh po përpiqet fort të nxisë kredidhëniën në Lekë. Kreditë konsumatore, ato për segmentin mikro dhe për blerje shtëpie ofrohen në Lekë.
Euro është zhvlerësuar në mënyrë të konsiderueshme gjatë dy viteve të fundit. Në gjykimin tuaj, cilat janë shkaqet kryesore të këtij fenomeni dhe cili do të jetë kursi që do të ndjekë Euro?
Sikurse e përmenda dhe më parë, sjellja e euros nuk është rast i izoluar. E kemi parë në shumë vende të tjera gjatë këtyre viteve. Investimet e huaja, rritja e eksporteve, borxhi në monedhë të huaj dhe turizmi kanë ndikimin ë tyre në kursin e këmbimit. Për shkak se tregu i këmbimeve valutore është i vogël, jo shumë likuid dhe pa pjesëmarrjen e agjentëve të huaj, ndikimi i këtyre faktorëve ndihet menjëherë. Megjithatë, gjykoj që Banka ë Shqipërisë mund t’i trajtojë si duhet këto efekte, edhe në rast se ato shkojnë në ekstreme. Nisur nga kjo, nuk shoh arsye për t’u shqetësuar.
Sistemi bankar ka qenë mjaft i angazhuar së fundmi me procesin ë blerjes dhe përvetësimit të bankave. Numri i bankave pritet të shkojë në 13. Çfarë ndikimi pritet të ketë procesi i konsolidimit?
Procesi i konsolidimit, blerjet dhe përvetësimet në përgjithësi shihen si pozitive për sistemin, veçanërisht nëse bëhen shkak për të tërhequr investitorë strategjikë, të cilët kanë ekspertizën dhe metodologjinë e duhur. Por, nga ana tjetër, sigurisht që nuk është gjë e mirë nëse emra të mëdhenj si NBG, Piraeus apo Societe Generale – një nga më të mëdhenjtë dhe më të mirët në rajon – largohen nga Shqipëria. Megjithatë, mbeten për t’u parë strategjitë e lojtarëve të rinj.
Nëse ata sjellin risi, besueshmëri dhe konkurrencë të shëndetshme, kjo do të vlejë për mirë, jo vetëm për klientët, por edhe për sistemin bankar dhe ekonominë në tërësi. Ndërkohë që blerja e bankave nuk është mënyra e vetme për t’u zgjeruar. Ecuria e Fibank Albania gjatë viteve të fundit është shembull i një zgjerimi organik të konsiderueshëm. Kjo dëshmon se ne jemi një bankë me klientin në fokus dhe e aftë për t’u ofruar atyre shërbim të shkëlqyer dhe vëmendje të veçantë. Këtë vit ne do të ngjitemi në grupin e bankave të mesme dhe kjo gjë u bë e mundur vetëm në sajë të rritjes organike.
Cilat janë sfidat kryesore me të cilat pritet të përballët sistemi bankar në terma afatshkurtër dhe afatmesëm?
Çdo sfidë me të cilën përballet ekonomia përbën në vetvete një sfidë për sistemin bankar, pasi bankat janë, në njëfarë mënyre, pasqyrë e saj dhe reflektojnë plotësisht ose pjesërisht çdo ndryshim madhor – pozitiv apo negativ qoftë ai. Parë nga ky këndvështrim, Shqipëria shfaq sfidat e saj – reforma në sistemin gjyqësor, të drejtat mbi pronën dhe korrupsioni, situata politike dhe procesi i integrimit, etj., – të gjithë këta janë faktorë thelbësorë për funksionimin e një tregu të hapur dhe rrjedhimisht, edhe për bankat.
Nga ana tjetër, bankat po përballen me probleme të “mbi-rregullimit” në çdo fushë biznesi – atë të kredidhënies, depozitave, politikave të njohjes së klientit, auditimit, provigjionimit, politikave kundër pastrimit të parave. Përpos kësaj, biznesi bankar po has gjithashtu fenomenin “fintech”. Në disa raste, suksesi i biznesit të tyre qëndron pikërisht në shmangien e kuadrit rregullator. Ky fenomen vihet re edhe në industri të tjera. Ndaj jam i bindur që bankat janë mjaftueshëm fleksibël dhe inovatore për t’u përshtatur me mjedise të reja teknologjike, ku rregullat janë të njëjta për të gjithë. Duke qenë se mjeti më i çmuar i një banke është besimi, ai do të jetë avantazhi ynë më afatgjatë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.