Në panairin e teknologjisë në Barcelonë, dy kompanitë prezantuan një “mod” për ta lidhur celularin me rrjetin e shpejtë vetëm kur është e nevojshme
Module 5G dhe laptopë super të sigurt. Levono-Motorola (kjo e dyta u ble nga e para në vitin 2014) shfaqën në Mobile World Congres disa pajisje të reja, duke nisur nga ajo më interesantja, një modul 5G për ta përdorur vetëm atëherë kur është e nevojshme.
Mod për 5G
Quhet 5G Mod (vijon tradita e Motorola) dhe është një element që mund t’u shtohet smartphone-ve të linjës Z vetëm kur është e nevojshme. Moduli e lidh telefonin me rrjetin e gjeneratës së fundit “pa qenë e nevojshme të blini një telefon të ri” – thonë nga kompania amerikane.
5G Mod u prezantua në verën e vitit të kaluar, dhe Motorola thotë se do të jetë i disponueshëm në verën e këtij viti, por nuk e ka përcaktuar çmimin.
E sigurt është se “do të kushtojë më pak se një telefon 5G” thonë burime të kompanisë.
5 laptopë të rinj
Risia e dytë janë pesë laptopë të rinj për klientët profesionistë. Quhen T490s, T490, T590, X390 e X390 Yoga, dhe kanë karakteristika shumë të ndryshme mes tyre. Mes tyre spikat Yoga, për aftësinë e tij për t’u përthyer gjersa bëhet një tablet apo të vendoset në tavolinë për të shijuar sa më mirë një film. Të gjithë laptopët kanë funksionin ThinkShield, siç i quan Lenovo, ose ndryshe një sërë instrumentesh për privatësinë.
Ndër më interesantet është ThinkShutter, një diafragmë fizike për webkamerën. Më pas është PrivacyGuard, që mbulon ekranin në mënyrë që askush të mos na përgjojë. Dhe në fund PrivacyAlert që na lajmëron nëse dikush pas krahëve tanë po sheh tek ekrani.