Në gjysmën e dytë të 2022 u bllokuan 58 milionë profile false
LinkedIn shkon një hap më tej drejt reduktimit të njoftimeve të punës, pas të cilave fshihen mashtrime. Rrjeti social profesional, në pronësi të Microsoft, ka prezantuar disa risi që synojnë pikërisht vërtetimin e ofertave të punës.
Para së gjithash, çdo njoftim prezanton një mjet verifikimi me të cilin çdo kërkim pune do të shoqërohet me një kontroll mbi informacione të përgjithshme të kompanisë, duke përfshirë praninë e një adrese zyrtare të vlefshme, një email të lidhur me një adresë të organizatës dhe, në rastin e Shteteve të Bashkuara, prania e një certifikimi qeveritar, bazuar në platformën e verifikimit Clear.
Funksioni i dytë synon rritjen e sigurisë në LinkedIn që lidhet me mesazhet e bisedës. Sistemi i verifikimit të rrjetit social do t’ju njoftojë në rast të mesazheve potencialisht mashtruese të marra në postë.
“Ne do t’ju njoftojmë nëse mesazhet në LinkedIn përfshijnë përmbajtje me rrezik të lartë, që mund të ndikojë në sigurinë tuaj”, – shpjegon ekipi.
“Për shembull, nëse një mesazh kërkon që biseda të zhvendoset në një platformë tjetër, ky ndonjëherë mund të jetë tregues i një mashtrimi. Këto sinjalizime do t’ju japin mundësinë të raportoni përmbajtjen pa e ditur dërguesi”. Funksionet e reja vijnë pas raportit të fundit të transparencës të LinkedIn, i cili tregoi një rritje të mprehtë të llogarive mashtruese.
Midis korrikut dhe dhjetorit 2022, kompania bllokoi më shumë se 58 milionë llogari, krahasuar me 22 milionë në 6 muajt e mëparshëm.
LinkedIn ka konstatuar një rritje të profileve të rreme me foto të krijuara nga Inteligjenca Artificiale, të cilat softueri i monitorimit nuk arrin t’i njohë, duke i kryqëzuar ato me bazat e të dhënave publike në internet.
Kohët e fundit, rrjeti prezantoi një model të ri të mbështetur në deep learning, që kontrollon në mënyrë proaktive ngarkimet e fotografive të profilit për të përcaktuar nëse imazhi është krijuar nga Inteligjenca Artificiale.
/ ANSA