Ndërsa numri i kërcënimeve serioze ka rënë paksa në krahasim me vitin e kaluar, gazetarët vazhduan të frikësoheshin, survejoheshin, sulmoheshin dhe ndaloheshin në Europë në vitin 2023.
Shqetësimi po rritet për sigurinë dhe lirinë e gazetarëve në të gjithë Europën.
Sidomos në vende si Bjellorusia dhe Rusia, punonjësit e medias janë spiunuar në mënyrë të paligjshme, janë ngritur padi abuzive ndaj tyre dhe janë ndaluar, megjithëse ka probleme edhe në Perëndim.
“Pavarësisht një rënie të konsiderueshme të numrit të gazetarëve të vrarë në Europë në 2023 krahasuar me një vit më parë, kërcënimet me të cilat përballen mediat në 46 vendet anëtare të Këshillit të Europës bëhen më të ndërlikuara për gazetarët”, thuhet në raportin vjetor të Këshillit të Europës.
Raporti vlerëson çështjet kryesore që minojnë lirinë e shtypit në Europë. Këto përfshijnë kërcënimet si, frikësimi, ndalimi, legjislacioni kufizues, paditë abuzive dhe sulmet ndaj mediave të shërbimit publik, ndër të tjera. Nga gjithsej 285 alarme për kërcënime dhe sulme serioze ndaj lirisë së medias në kontinent, gati 15% erdhën vetëm nga Rusia. Vendi vazhdon të persekutojë gazetarët që kritikojnë linjën e Kremlinit, përfshirë ata që kanë ikur jashtë shtetit.
Kërcënimet në Europë
Lloji i kërcënimeve me të cilat përballen gazetarët në të gjithë Europën variojnë nga sulmet fizike, vrasja, ndalimi, përgjimi i paligjshëm, sulmet mediatike nga politikanët dhe masave kufizuese të imponuara nga qeveria.
Një kërcënim i madh për sigurinë fizike të gazetarëve në vitin 2023 ishte pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia. Vitin e kaluar, dy gazetarë – Bohdan Bitik dhe Arman Soldin – u vranë ndërsa raportonin për luftën në Ukrainë, ndërsa disa të tjerë u plagosën. Të dy vdiqën gjatë sulmeve ruse.
Një tjetër punonjës i medias, roja i sigurisë Pal Kola, u vra në vitin 2023 në një sulm në stacionin televiziv Top Channel në Shqipëri. Rasti i Kolës ishte i vetmi rast i vrarë i një punonjësi mediatik jashtë një zone lufte.
Kishte gjithsej 41 alarme që denonconin sulmet ndaj sigurisë fizike dhe integritetit të gazetarëve në vitin 2023: 11 erdhën nga territoret e pushtuara nga Rusia në Ukrainë; katër nga Franca; katër nga Turqia; tre nga Italia; dhe tre nga Serbia.
Paraburgimi mbetet një dënim i zakonshëm për gazetarët që kritikojnë liderët e vendit të tyre, veçanërisht në Rusi dhe Bjellorusi. Deri në fund të vitit 2023, 59 gazetarë u burgosën në vende anembanë Europës, përfshirë në territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia. 65 u arrestuan në Rusi dhe Bjellorusi.
Të paktën 18 gazetarë u arrestuan vitin e kaluar në Turqi, ndërsa Polonia dhe Britania e Madhe arrestuan nga një, përkatësisht Pablo Gonzales dhe Julian Assange.
Vendet që raportuan alarme për kërcënime ndaj gazetarëve në vitin 2023:
Bjellorusia (42); Federata Ruse (39); Turqia (27); Ukraina (24); Franca (19); Italia (16); Polonia (12); Serbia (11); Azerbajxhani (10); Greqia (9); Shqipëria (6); Spanja (6); Mbretëria e Bashkuar (5); Republika Sllovake (5); Gjeorgjia (5); Bosnja dhe Hercegovina (5); Bullgaria (5); Armenia (4); Kroacia (4); Gjermania (4); Holanda (4); Republika e Moldavisë (4); Belgjika (3); Çekia (3); Finlanda (3); Austria (2); Hungaria (2); Danimarka (1); Irlanda (1); Letonia (1); Malta (1); Portugalia (1); Rumania (1).
Ka pasur tashmë 27 alarme për kërcënimet ndaj gazetarëve në Europë që nga fillimi i vitit, shumica e të cilave në Ukrainë (7), Turqi (6), Rusi (4) dhe Portugali (3).
Mosndëshkimi për vrasjen e gazetarëve
Raporti i Këshillit të Europës thekson gjithashtu se deri në fund të vitit 2023, kishte ende 30 raste të pandëshkuara për vrasjet e 49 gazetarëve dhe punonjësve të medias. Rastet mbeten të hapura edhe sot e kësaj dite, pavarësisht se atentatet kanë ndodhur shumë kohë më parë./ Euronews