Shollat e kuqe janë shenjë dalluese e Louboutin, që është një markë e detajit, jo formës. Sepse ngjyra e kuqe (Pantone 18-1663TP), që karakterizon shollën e këpucëve, është një element dallues i vetë markës.
Gjykata e së Drejtës Europiane e thirrur nga Gjykata e Hagës në Holandë, ka dhënë vendimin në favor të markës franceze Louboutin dhe jo kompanisë holandeze Van Haren, duke pohuar në thelb se një ngjyrë mund të jetë një markë.
Kompania holandeze, që merret me shitjen me pakicë të këpucëve u padit nga Louboutin për falsifikim, pasi hodhi në treg në vitin 2012 këpucë për gra me shollë të kuqe (modeli “5th avenue” nga Halle Berry).
Van Haren u mbrojt me argumentin e “pavlefshmërisë” së markës Louboutin, duke kujtuar faktin se “Direktiva e Bashkimit Europian për markat rendit arsye të ndryshme për pavlefshmërinë apo pengesat në regjistrim, veçanërisht sa u përket shenjave të përbëra ekskluzivisht nga forma që i jep një vlerë thelbësore produktit”.
Në vitin 2013, Gjykata e Hagës, urdhëroi kompaninë Van Haren që ndërpresë shitjen e këtij modeli, duke i dhënë të drejtë Louboutin se sholla e saj karakteristike nuk ka funksione vetëm dekorative. Van Haren e apeloi vendimin duke iu drejtuar Gjykatës së të Drejtës Europiane.
Vendimi c-163/16 përcakton në vend të kësaj që “mbrojtja” e shollës së kuqe të markës Louboutin “nuk ka të bëjë me një formë specifike të shollës së këpucës me takë të lartë (që nuk është e mbrojtur në Europë), por shërben për të nxjerrë në pah pozicionin e ngjyrës së kuqe të cilit i referohet regjistrimi”.
Vendimi shfuqizon si konkluzionet e para të Avokatit të Përgjithshëm të paraqitura më 22 qershor 2017, edhe konkluzionet plotësuese në shkurt 2018, në rihapjen e çështjes. Avokati Szpunar tha në atë kohë se “një markë që ndërthur ngjyrën dhe formën mund të refuzohet ose anulohet për arsye të parashikuara nga ligji i Bashkimit Europian mbi markat”.
Rrjedhimisht, ai i propozon Gjykatës të përgjigjet duke pohuar që “ndalimi i regjistrimit apo arsyet e pavlefshmërisë së një marke mund të aplikohen në një shenjë përbërëse nga forma e produktit, që pretendon mbrojtje për një ngjyrë të specifike”.
Avokati i Përgjithshëm kishte shprehur po ashtu dyshimet në lidhje me faktin se ngjyra e kuqe mund të kryejë funksionin thelbësor të markës dhe të identifikojë mbajtësin, kur kjo ngjyrë është e përdorur jashtë kontekstit që është i përshtatshëm, ose pavarësisht formës së shollës.
Burimi: Il Sole 24 Ore