- Mbetjet e koronavirusit janë bërë një formë e re ndotjeje, pasi pajisjet për mbrojtje individuale njëpërdorimshme përmbytin oqeanin tonë.
- COVID-19 ka sjellë pasoja të papritura në mjedis, duke pezulluar programet për riciklimin dhe duke shtuar përdorimin e plastikës në të gjithë botën
- Qeveritë duhet të veprojnë menjëherë në mbrojtje të mjedisit
Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, nga fundi i shkurtit deri në mes të prillit të këtij viti, u shpërndanë më shumë se 1 miliard pajisje për mbrojtje personale. Bëhet fjalë për miliona doreza dhe maska që përdoren dhe më pas hidhen çdo ditë – vetëm në sektorin shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar. Për këtë arsye, nuk është e vështirë për t’u kuptuar se pse ambientalistët në të gjithë botën po ngrenë alarmin se ku përfundojnë gjithë këto produkte njëpërdorimshme.
Maska, doreza, shishe dezinfektuesish për duart dhe mbeturina të tjera të koronavirusit gjenden tashmë në detin dhe plazhet tona, duke iu bashkuar mbeturinave të përditshme në ekosistemet oqeanike.
Së bashku me fotot dhe videot, të cilat japin prova shqetësuese për këtë formë të re ndotje, Opération Mer Propre është ndër organizatat që ngre zërin për të vepruar: “Ekziston rreziku që të ketë më shumë maska se kandila deti” – tha Laurent Lombard, nga organizata franceze në një postim në Facebook.
Ky është një problem po aq i madh sa edhe në pjesën tjetër të botës. Që në shkurt, OceansAsia dha alarmin për një
numër në rritje të maskave të gjetura gjatë kërkimit të saj mbi ndotjen prej plastikës. Masa me maska janë gjetur në ishujt Soko, një grup i vogël ishujsh në brigjet e Hong-Kongut.
Problemi përkeqësohet
Çdo vit, tashmë, rreth 8 milionë tonë plastikë përfundojnë në oqeane, që u shtohen rreth 150 milionë tonëve që qarkullojnë në mjedisin detar. Një studim vlerëson se vetëm në Britaninë e Madhe, nëse një njeri përdor një maskë njëpërdorimshme çdo ditë, për një vit, ai do të krijonte një shtesë prej 66 mijë tonë mbeturinash dhe 57 mijë tonë paketime plastike.
Udhëheqësit botërorë dhe politikanët janë të vetëdijshëm për problemin – të cilit duhet t’i jepet zgjidhje.
“Vendet detare e dinë më mirë se kushdo se si ekonomia jonë oqeanike varet nga shëndeti i oqeaneve” – tha Zac Goldsmith, ministër, Departamenti për Mjedisin, Ushqimin dhe Çështjet Rurale në Mbretërinë e Bashkuar në një webinar të organizuar së fundi nga World Economic Forum.
“Por ne të gjithë varemi nga oqeanet e përbashkëta dhe ndryshimi i rolit që plastika luan në çdo pjesë të ekonomisë sonë. Përpjekjet për të luftuar ndotjen nga plastika mund të na ndihmojnë për të përmirësuar shëndetin e oqeaneve, ndryshimet klimatike, për të mbështetur biodiversitetin dhe për të ndërtuar mjetet për një jetesë të qëndrueshme”.
Kostot e COVID-19 në mjedis
Mbeturinat e plastikës njëpërdorimshme nuk janë të vetmet pasoja të COVID-19 në mjedis. Pavarësisht rënies së përkohshme të dioksidit të karbonit, pasi gjatë masave të lockdown pati më pak lëvizje dhe aktivitete ekonomike, druhet se pandemia do ta zhvendosë vëmendjen e qeverive nga çështjet mjedisore.
Konferenca e Kombeve të Bashkuara mbi ndryshimet klimatike COP26, që do të mbahej në nëntor 2020, është shtyrë. Në disa qytete në SHBA, programet e riciklimit janë pezulluar; e njëjta situatë edhe në Itali dhe Spanjë, dy vende që janë prekur shumë nga koronavirusi.
Ekonomia e karantinës i ka zhvendosur një numër më të madh njerëzish online, si pasojë është rritur numri i paketimeve prej dërgesave. Edhe mbeturinat mjekësore kanë kapur majat.
“Le të jetë ky moment një kambanë alarmi për të gjithë ne – thotë Goldsmith. Kur vendet të dalin nga pandemia, të gjithë ne duhet të gjejmë mënyra për të rindërtuar dhe për t’u rinovuar”.
*Charlotte Edmond, Senior Writer, Formative Content
Burimi: World Economic Forum