Fitimi i kandidaturës së Partisë Kristian Demokrate e sjell atë një hap më pranë postit të kancelarit, shkruan The Economist
“Mund të mos jem një showman i madh, por jam Armin Laschet – dhe tek unë mund të keni besim”. Megjithëse këto fjalë me të cilat zoti Laschet siguroi udhëheqjen e Unionit Kristian Demokratik të Gjermanisë (CDU) nuk duken shumë tërheqëse, gjithsesi përmbledhin mjaft mirë personalitetin e këtij politikani të dhënë pas futbollit dhe duhanit, i cili mundi dy rivalë në një votim të delegatëve të partisë më 16 janar.
Tashmë në krye të partisë qeverisëse të Gjermanisë, zoti Laschet është i vendosur për të zënë vendin e kancelares Angela Merkel, koleges së tij në CDU, e cila do të largohet nga posti i kancelares pas zgjedhjeve të përgjithshme në shtator.
Megjithatë, zoti Laschet, kryeministri i shtetit perëndimor të Renanisë së Veriut – Vestfalisë (NRW), përballet me disa pengesa gjatë rrugës për t’u bërë kancelar. Fitorja e tij e ngushtë 53% me 47% kundër Friedrich Merz, një avokat korporate i mbështetur nga delegatë me prirje të djathtë, nxjerr në pah këtë pengesë. Zoti Merz është praktikisht një dështak politik, i cili nuk ka arritur asnjëherë të hedhë tutje dyshimet se është më i interesuar për fatin e vet sesa atë të partisë.
Por ai nxiti disi shpresat e anëtarëve të partisë CDU, të cilët panë në largimin e zonjës Merkel një shans për të ndalur prirjet liberale në çështje si emigracioni. Jana Schminke, një anëtare e CDU-së që mbështeste zotin Merz, thotë se disa anëtarë kanë dhënë dorëheqjen nga partia dhe se ky zhgënjim është veçanërisht i mprehtë në Gjermaninë Lindore. Detyra e parë e zotit Laschet është të eliminojë mosmarrëveshjet brenda partisë së tij.
Pengesat
Një pengesë edhe më e madhe është Markus Söder, kryeministri i kapardisur i Bavarisë dhe udhëheqësi i Unionit Social Kristian (CSU), partia motër e CDU-së. Në mars ose prill, të dyja partitë duhet të vendosin se kush do t’i udhëheqë në zgjedhjet e përgjithshme – dhe sipas sondazheve, një nga këta liderë pritet të pasojë zonjën Merkel. Falë një performance të mirë gjatë krizës së koronavirusit, zoti Söder ia kaloi zotit Laschet në sondazhet publike (shih grafikun).
Ai këmbëngul se ambiciet e tij nuk shtrihen përtej Bavarisë. Sidoqoftë, nëse zoti Laschet nuk arrin të fitojë pëlqimin e votuesve gjermanë – veçanërisht nëse CDU-ja do të ketë vështirësi në dy zgjedhjet në nivel shtetëror që do të mbahen në mes të marsit – partia mund t’i drejtohet Bavarisë për shpëtim dhe zoti Söder me siguri do ta mirëpresë këtë. “Duhet të hyjmë në garë me kandidatin që ka shanset më të mira”, thotë Christian Natterer, një tjetër mbështetës i Merz nga partia CDU.
Shpresat
Shpresat e zotit Laschet mbështeten pjesërisht në premtimin për të ruajtur qëndrimet partiake të gruas që shpreson të zëvendësojë. Ashtu si zonja Merkel, ai është pragmatist me këmbë në tokë, i cili i shmanget rrezikut dhe nuk u beson vizioneve madhështore.
Por të dy ndryshojnë dukshëm për nga stili. Zonja Merkel, e bija flegmatike e një pastori luterian, e cila u rrit në anën lindore të Murit të Berlinit, i mban gjithmonë nën kontroll emocionet dhe i peshon fjalët me kujdesin më të madh. Zoti Laschet, lindur në Renani, një tip gazmor, i prirur ndaj gafave, dhe me besim të fortë katolik, ishte i kënaqur që fitoi një “çmim kundër seriozitetit vdekjeprurës” në një karnavale në qytetin e tij në Ahen.
Zonja Merkel është treguar gjithmonë e matur dhe gjakftohtë si udhëheqëse e partisë CDU për 18 vjet. Ajo ka luftuar vazhdimisht strukturën e vjetër partiake, duke mposhtur pa mëshirë armiqtë e brendshëm sa herë që ishte e nevojshme (përfshirë, në vitin 2002, edhe zotin Merz) dhe duke fituar mbështetjen e partisë teksa fitonte zgjedhjet me radhë. Zoti Laschet ka qenë gjithmonë një anëtar i CDU-së. Ai u bashkua në moshën 18-vjeçare. Pasi studioi për drejtësi dhe gazetari, përfaqësoi partinë në Parlament në nivel shtetëror, kombëtar dhe europian, duke humbur pothuajse po aq zgjedhje sa kishte fituar.
Si njeri pajtues për nga instinkti, zoti Laschet zotohet të jetë një kapiten i ekipit të CDU-së, më tepër sesa një shef. “Ky është specialiteti i tij”, thotë Serap Güler, i cili shërben në qeverinë e shtetit NRW. “Ai është i hapur ndaj mendimeve dhe pikëpamjeve të tjera”. Në NRW, zoti Laschet e ka mbushur kabinetin me figura nga i gjithë spektri politik, përfshirë ish- kundërshtarë që janë kthyer tashmë në mbështetës të vendosur. Ministri i tij i Brendshëm, Herbert Reul, është një njeri i rreptë dhe i dhënë pas rendit dhe ligjit, që i jep personalitetit gazmor të zotit Laschet një profil më të mprehtë.
Zoti Laschet ka mbështetur gjithnjë përpjekjet e CDU-së për të fituar pëlqimin e pakicave në Gjermani, aq sa të djathtët skeptikë i kanë vënë nofkën “Armini turk”, por nga ana tjetër, ka tërhequr mbështetës si zonja Gyler, bijë e emigrantëve turq. Ai mbështeti vendimin e zonjës Merkel për të hapur kufijtë e Gjermanisë për emigrantët në vitet 2015-‘16, por edhe politikat e saj të mëvonshme për t’i mbajtur ata jashtë.
Dilemat
Partia e Gjelbër, partneri më i mirë qeverisës i CDU/CSU pas zgjedhjeve, me siguri do të zgjidhte zotin Laschet në vend të zotit Merz. Por afërsia e tij me industrinë mund të pengojë bisedimet e koalicionit. Taksat dhe rregullat e klimës nuk duhet të lejohen të pengojnë vendet e punës, argumenton ai. Ai është djali i një minatori nga një shtet qymyri dhe në vitin 2019, ndihmoi në shtyrjen e datës së ndalimit të djegieve të dëmshme për klimën në Gjermani.
Zoti Laschet është rritur në Ahen, pranë kufijve holandezë dhe belgë, dhe kështu Europa është në “zemrën e tij politike”, thotë Moritz Küpper, një nga autorët e “Der Machtmenschliche” (“Pushteti me fytyrë njerëzore”). Ai mban në zyrën e tij një bust të Charlemagne, njeriut më të famshëm të qytetit. Në vitin 2018, shfrytëzoi marrëdhëniet kulturore franko-gjermane për të fituar akses ndaj Emmanuel Macron.
Vitin e kaluar, në një qortim të rrallë ndaj zonjës Merkel, Laschet tha se Gjermania duhej t’i ishte përgjigjur më konkretisht thirrjes së zotit Macron për veprim në Europë. Pikëpamjet konservatore fiskale të zotit Laschet janë tipike për partinë e tij, por një herë ai ka shfaqur mbështetje për eurobonot. Duke pasur parasysh se CDU-ja shpesh luan rolin e frenave për politikën europiane të Gjermanisë, pikëpamje të tilla do të kenë peshë.
Megjithatë, përtej çështjeve të zonës së Europës Perëndimore, aspektet e politikës së jashtme të Laschet janë deri diku polemike. Si adoleshent, ai mbante të varur në dhomën e gjumit një poster të Solidaritetit, lëvizjes antikomuniste të Polonisë. Por si i rritur, ai tashmë është po aq ngurrues sa zonja Merkel për t’u përballur me anëtarët e BE-së që nuk respektojnë demokracinë.
(Një provë e hershme do të jetë nëse do t’i mbështesë lëvizjet për të dëbuar partinë autoritare në pushtet të Hungarisë nga grupi i qendrës së djathtë të BE-së.) Ai qëndron në radhët e të ashtuquajturve Putin-Versteher (mirëkuptues të Putinit) në Gjermani: kërkon dialog me Kremlinin, pyet nëse ishte vërtet ai përgjegjës për vrasjen e një ish-agjenti në Britani në vitin 2018 dhe është treguar mospërfillës ndaj përkrahjes së Kremlinit për regjimin vrasës në Siri.
Nëse do të sigurojë kandidaturën e kancelarit, pikëpamjet e politikës së jashtme të zotit Laschet vështirë se do të jenë pengesë. Votuesit i kushtojnë më tepër rëndësi rimëkëmbjes nga pandemia. Por largimi i zonjës Merkel do të lërë një boshllëk në skenën globale. Zoti Laschet ende nuk ka treguar se mund ta plotësojë atë.
Përktheu Lira Muça