jatë vitit 2019, Union Bank do të finalizojë blerjen e ICB (International Commercial Bank), duke sjellë automatikisht rritje të prezencës së saj në treg dhe në numër klientësh, në footprint gjeografik dhe në nivel asetesh. Kjo do të kombinohet edhe me rritjen natyrale të fondeve dhe të kreditimit të bankës, që edhe gjatë vitit 2019 priten të vazhdojnë të jenë dyshifrore.
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2018?
Mendoj se është mjaft pozitive që sistemi bankar vazhdoi ta kryejë mirë detyrën e vet edhe gjatë vitit 2018. Rritja e depozitave në sistem, edhe pse e vogël, është e rëndësishme, sepse dëshmon besimin e qytetarëve ndaj bankave.
Pak më ndryshe është puna me kreditimin. Po t’i qëndrojmë krahasimit dhe ta shohim kreditimin si indikator të besimit të sistemit ndaj biznesit, del se sistemi bankar i ka mbetur pak borxh vendit vitin që kaloi.
Më optimiste është atmosfera në Union Bank ku, nëpërmjet menaxhimit të suksesshëm të aktiveve dhe investimeve, u realizuan shifra të cilat qëndrojnë bukur mbi mesataren e sistemit. Gjatë vitit 2018, Union Bank shënoi rritjen më të madhe në historinë e saj, aktivet e bankës kaluan shifrën 50 mld lekë. Asetet, kreditimi dhe kthimi në kapital vazhduan rritjen dyshifrore. Union Bank i tejkaloi objektivat e vëna në fillim të vitit, si në rritjen e aktivitetit të bankës, ashtu edhe në kthimin nga kapitali.
Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2019?
Gjatë vitit 2018, në sistemin bankar filluan të realizohen ndryshime të rëndësishme strukturore, të cilat do të ekzekutohen gjatë 2019-s. Këto ndryshime do të sjellin reduktim të numrit të bankave në sistem, duke u shoqëruar edhe me ndryshim të aksionerëve. Këto dinamika të reja do ta bëjnë sistemin bankar më shqiptar, uroj edhe më të afërt me publikun.
Edhe pse në ristrukturim e sipër, personalisht pres që sistemi bankar shqiptar të vazhdojë ta kryejë mirë detyrën e vet ndaj vendit, duke ofruar një sistem reference, të qëndrueshëm dhe mjaft modern. Bazuar në historinë e deritanishme të zhvillimeve në vend, kam besim se edhe këtë vit elektoral, sistemi bankar shqiptar do të dijë t’u rezistojë efekteve negative që mund të vijnë nga ambienti, duke përforcuar, shpresoj, zhvillimet pozitive në krahun e rritjes ekonomike. Performanca e mirë e Union Bank gjatë vitit 2018 është premisë pozitive edhe për vitin 2019, ku Banka dhe veçanërisht kreditimi, do të vazhdojë të rritet, duke ruajtur me fanatizëm cilësinë e aseteve,
Gjatë vitit 2019, Union Bank do të finalizojë blerjen e ICB (International Commercial Bank), duke sjellë automatikisht rritje të pranisë së saj në treg dhe në numër klientësh, në footprint gjeografik dhe në nivel asetesh. Kjo do të kombinohet edhe me rritjen natyrale të fondeve dhe të kreditimit të bankës, që edhe gjatë vitit 2019 priten të vazhdojnë të jenë dyshifrore.
Një vit më parë, Banka e Shqipërisë prezantoi një plan për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Sa efektiv e vlerësoni këtë plan?
Procesin e deeuroizimit të prezantuar një vit më parë nga Banka e Shqipërisë e shoh si një proces afatgjatë. Pres që Banka e Shqipërisë ta shoqërojë atë me masat e duhura. Në këtë kuptim, mendoj se do të duhet kohë të kuptohen qartë efektet e deeuroizimit.
“Euroizimi” i ekonomisë, në masën që është i pranueshëm, ndodhi si proces natyral i influencuar nga agjentë ekonomikë objektivë. Jam besimplotë që Banka e Shqipërisë do të dijë ta drejtojë deeuroizimin e ekonomisë drejt forcimit të natyrshëm të rolit të lekut në ekonomi, pa lejuar sforcime jo të natyrshme në treg.
Euro është zhvlerësuar ndjeshëm dy vitet e fundit. Cilat janë arsyet kryesore sipas jush dhe si pritet ecuria?
Zhvlerësimi i euros gjatë vitit 2018 lidhet kryesisht me efekte fondamentale, që vijnë nga tendenca ekonomike të bilancit të pagesave. Këtyre tendencave, mendoj ju duhen shtuar edhe efektet që janë krijuar nga rialokimi i një pjese të kapitalit të bankave nga valutë në Lek por dhe nga disa flukse të depozitave në Eur. Për ekonominë e vendit është e rëndësishme që zhvlerësimi i euros është stabilizuar. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë po rezulton e përshtatshme në këtë drejtim.
Sistemi bankar është përfshirë vitin e fundit në një valë shitjesh e blerjesh dhe numri i bankave pritet të zbresë në 13. Si pritet të ndikojë procesi i konsolidimit në sistemin bankar?
Gjatë vitit 2019 do të finalizohen disa ristrukturime, që kanë filluar vitet e fundit. Ristrukturimi do të sjellë uljen e numrit të bankave në sistem dhe ndryshimin e aksionerëve në disa banka. Personalisht pres që reduktimi i numrit të bankave, ta bëjë sistemin më racional dhe rrjedhimisht, më të fortë. Gjykoj se reduktimi i projektuar i numrit të bankave nuk është aq i madh sa të influencojë nivelin e konkurrencës mes bankave.
Personalisht pres që reduktimi i numrit të bankave, në masën që po ndodh, në fakt të sjellë rritje të konkurrencës në sistem, e cila nga ana e saj, do të ketë me siguri ndikim pozitiv mbi ekonominë. Kjo do të kërkojë sigurisht një periudhë afatmesme, përtej periudhës së parë të konsolidimit të bankave të përfshira në proces.
Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Sfidat me të cilat përballet aktualisht sistemi bankar janë disa; disa më të vjetra, të përhershme do t’i quaja dhe disa më të reja.
Në radhë të parë, sistemi bankar influencohet nga niveli i rritjes ekonomike të vendit. Këtu do ta fusja edhe nivelin e formalizimit të ekonomisë. Për sistemin janë të arta vitet e rritjes së qëndrueshme të ekonomisë, që zakonisht shoqërohen me rritje të qëndrueshme të sistemit.
Në vite të tilla është më lehtë të zbatohen edhe masa që nxisin formalizim më të madh, si për shembull kreditimin e bizneseve në bazë të pasqyrave të deklaruara te Tatimet. Sa lart apo sa imët presin këto masa formalizuese që nxiten nga Banka e Shqipërisë, ka të bëjë me më tepër ose më pak akses në kreditim të kompanive të vogla të vendit, tek të cilat niveli i formalizimit shpesh kombinohet me mungesë profesionalizmi për prodhimin e pasqyrave të sakta financiare.
Këtë vit, sfidave të përhershme të rritjes të sistemit dhe të rritjes të shkallës së formalizimit në kreditim, i janë shtuar edhe sfidat e konsolidimit nëpërmjet ristrukturimit dhe ajo e deeuroizimit; dy sfida të cilat janë më afatmesme në kuptimin që efektet e tyre do të duan më tepër kohë të duken.
Për fazën ku jemi, sfida kryesore mbetet ristrukturimi aktual i sistemit bankar. Ristrukturimi është rregullimi që do ta influencojë sistemin për shumë vite në vazhdim. Çfarë strukture do të ketë sistemi bankar mbas dy apo tre vjetësh? A do të ketë ai më shumë apo më pak banka të huaja, si do të jenë të orientuara të punojnë ato, sipas modelit europian perëndimor apo më ndryshe? Kjo më duket një sfidë e rëndësishme. Për sa i përket rritjes ekonomike dhe asaj të sistemit, siç e thashë edhe më sipër, jam optimist se sistemi bankar shqiptar do të dijë t’i amortizojë efektet negative të ambientit, duke ia dalë t’i përforcojë zhvillimet pozitive ekonomike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.