Kompanitë e sigurimeve që operojnë në Kosovë e kanë mbyllur vitin e shkuar me 83.2 milionë euro të ardhura.
Kurse sa i përket shpenzimeve, 42 milionë euro janë dëmet e ndodhura, ku përqindja e pagesës së tyre është 51.8 për qind.
Pavarësisht pandemisë, kompanitë e sigurimeve që operojnë në Kosovë kanë shënuar të ardhura neto prej 83.2 milionë euro. Por, duke krahasuar periudhën e njëjtë të vitit 2019, të ardhurat ishin 3.9 milionë euro më pak.
Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) mbi sistemin financiar, shihet se profiti neto i këtyre kompanive kanë qenë 4.1 milionë euro.
Për sa i përket shpenzimeve, 42 milionë euro janë dëmet e ndodhura, ku përqindja e pagesës së tyre është 51.8 për qind.
Vlera e dëmeve të paguara për këtë periudhë është 51.5 milionë euro, ku 28.9 milionë euro janë për palën e tretë.
Kompanitë e sigurimit, në raportin e BQK-së, tregojnë se kanë 220.2 milionë euro asete, prej të cilave pjesa më e madhe është e sigurimeve jo-jetë, apo 201.6 milionë euro.
Raporti tregon se, vlera e primeve të shkruara është 99.3 milionë euro, nga të cilat sigurimet e palës së tretë janë 57.6 milionë euro.
Deri pak para shpalljes së pandemisë COVID-19, sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i automjeteve të pasiguruara në Kosovë ishte rreth 150 mijë.
Ndërsa, dëmet financiare të shkaktuara nga kompensimi për aksidentet për këto automjete që nga viti 2000 janë 44 milionë euro.
Kurse, guvernatori i Bankës Qendrore (BQK), Fehmi Mehmeti në një deklarim për Monitor pati treguar se gjithsej mjetet e sektorit të sigurimeve kanë vazhduar trendin e rritjes, duke arritur shumën prej 214.3 milionë euro në shtator 2020, me një rritje vjetore prej 9.3 për qind.
“Gjatë kësaj periudhe u regjistrua një rënie e primeve të shkruara bruto, ku primet e shkruara bruto deri në muajin shtator 2020 ishin 72.3 milionë euro, që paraqet një rënie prej 2.2 përqind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Dëmet e paguara nga sektori i sigurimeve gjatë kësaj periudhe shënuan vlerën prej 35 milionë euro, me një rritje të lehtë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur ishin 34.5 milionë euro”.
Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, pati deklaruar se humbjet vjetore të këtyre kompanive janë rreth 4 milionë euro nga mos inkasomi i primit dhe 4 milionë euro të tjera nga sigurimet.
Në tregun e Kosovës aktualisht operojnë 13 kompani të sigurimeve, prej të cilave 7 janë me kapital të huaj. Numri i degëve të tyre është 476.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.