Raporti “Blerjet dhe shkrirjet në Europën në Zhvillim 2017/2018” i publikuar së fundmi nga kompanitë konsultuese CMS dhe EMIS ka dhënë një tendencë në 15 vende të Europës Qendrore dhe Juglindore, Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Hungaria, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Rusia, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Turqia dhe Ukraina – bazuar në të dhënat e EMIS për shkrirjet dhe blerjet në periudhën 2012-2017.
Në Shqipëri, sipas të dhënave të raportit për 6 vitet e fundit, janë realizuar gjithsej transaksione me vlerë 860 milionë euro, ku niveli më i lartë i tyre është raportuar në 2016-n, me 562 milionë euro dhe 9 transaksione gjithsej. Atë vit ndodhën dy shitje të mëdha, Bankers Petroleum dhe Aeroporti i Rinasit, përkatësisht me 395 milionë euro dhe 81 milionë euro dhe disa transaksione të tjera në fushën e naftës. Më pas, në vlerë renditen 13 transaksionet e realizuara në 2013-n, me 164 milionë euro në total.
Sipas të dhënave të raportit, niveli i transaksioneve në vlerë në vitin 2017 ishte më i ulëti në 6 vitet e fundit, me vetëm 18.7 milionë euro (gjithsej 5 transaksione). Raporti i jep të detajuara transaksionet e 2017-s: Në vitin 2017, u morën nga Albpetrol fushat naftëmbajtëse Cakran-Mollaj dhe Gorisht Cokul, pasi ishin debitorë. 14.9% të Bankës Credins u blenë nga Amyta Capital me seli në Mbretërinë e Bashkuar.
Banka Veneto i Kaloi Intesa Sanpaolo dhe INSIG jetë u shit tek investitorët privatë Samir Mane dhe Shefqet Kastrati.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.