Nikollaq Neranzi nga Shoqata e Tregtareve tha se, viti 2017 do të jetë i vështirë pasi bizneset në vështirësi kanë rritje të taksave dhe kriza ekonomike këto dy tre vitet e fundit ka konsumuar kursimet dhe më 2017 mund të përballen me falimentin. Ai pohoi se konsumi këtë vit do të nxitet nga zgjedhjet e përgjithshme. Nerenaxi pohoi se taksat dhe tarifat e larta i kanë ulur fitimet e bizneseve të konsoliduara të cilat nuk presin të zgjerohen këtë vit.
Çfarë pritshmërish keni ju për zhvillimet ekonomike të 2017, duke qenë se është edhe një vit zgjedhor?
Në cilësinë e sipërmarrësit, por edhe si drejtues i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë, kam ndjekur me vëmendje ecurinë e ekonomisë dhe në mënyrë të veçantë miratimin e buxhetit të vitit 2017 në Parlament. Gjatë vitit 2016, rritja ekonomike ishte 3.4 % dhe për vitin 2017 rritja ekonomike parashikohet të jetë 3.8%, ku 20 miliardë lekë shkojnë për mbështetjen e disa reformave të rëndësishme në vend, 100 milionë dollarë për rritjen e pagave dhe pensioneve, shtimi i investimeve në masën 5 për qind të GDP-së, etj. Ndërkohë që na ndajnë vetëm 6 muaj nga mbyllja e mandatit 4 vjeçar të kësaj qeverie, duhet thënë se premtimet ekonomike, nuk arriti t’i mbajë. Mirë është t’ia kujtojmë premtimet çdo qeverie, sepse ata marrin votat pikërisht prej atyre çfarë premtojnë. Pra rritja 5% e premtuar, nuk do të ndodhë as këtë vit. Duke i hedhur një sy buxhetit të vitit 2017, duket qartë që ai është buxheti i mbijetesës, jo “më i miri në të gjitha termat” siç e ka përcaktuar Ministri i Financave Ahmetaj. Kur një qeveri shkurton shpenzimet publike, sidomos në vitin e fundit të qeverisjes së saj, kjo tregon se nuk po e mbyll me kokën lart këtë mandat. Ia vlen të kujtojmë gjithashtu se 400 mijë shqiptarë jetojnë me më pak se 4 dollarë në ditë dhe mbi 200 mijë të tjerë kanë braktisur tashmë Shqipërinë. Këto shifra të frikshme të cilat tregojnë ritmet e varfërimit të popullsisë dhe të braktisjes së vendit, dëshmojnë se këtë shoqëri e ka kapur depresioni ekonomik. Pavarësisht se janë shtuar dritat e festave për të na krijuar iluzionin se jetojmë në një vend që shkëlqen, në fakt errësira e varfërisë ka pllakosur gjithandej.
Duke kaluar tek biznesi, motori kryesor i ekonomisë shqiptare, falë taksave të së cilave mbushet buxhetit i shtetit, të dhënat gjithashtu janë aspak inkurajuese. Pas aksionit informalitet të cilin ne e mbështesim, por nëse bëhej me mirëkuptim, jo me arrogancë dhe dashakeqësi, u formalizuan 37 mijë biznese, por ama në QKR kaluan në status pasiv 90 mijë biznese, ndërsa borxhi tatimor vetëm për vitin e kaluar u rrit me 100 milionë euro, i cili përbën ritmin më të lartë vjetor që kur institucioni taksambledhës nisi të arkivojë borxhet e biznesit. Investimet e huaja gjithashtu u frenuan sepse tregu shqiptar nuk premtonte asgjë. Shteti shqiptar gjithashtu nuk arriti të bëjë politika favorizuese që të thithë këto investime të huaja aq të nevojshme për t’i dhënë frymëmarrje ekonomisë shqiptare. Nisur nga kjo analizë që gjithsesi është e përciptë, besoj se viti 2017 nuk do sjellë asnjë risi përsa i përket zhvillimit të ekonomisë. Por kur dëgjojnë Ministrin e Financave dhe Kryetarin e Bashkisë Tiranë (meqë shumica e bizneseve janë të përqendruara në kryeqytet) të cilët thonë se taksat nuk do ndryshojnë, kjo do të thotë nuk ka shpresë për ta. Taksat aktuale, të vendosura pa asnjë studim tregu, janë të papërballueshme dhe duhej bërë patjetër diçka për t’i ulur ato që të shpëtojnë ata që nuk kanë falimentuar akoma, por me gjithë përpjekjet tona që këto taksa të uleshin për vitin 2017, siç duket ata nuk e kanë ndërmend të na dëgjojnë dhe ne si pjesë e biznesit, por edhe si konsumatorë, mirë është që t’i ndëshkojmë me votë për këtë qeverisje të papërgjegjshme dhe armike të biznesit dhe të popullit të thjeshtë.
Çfarë projeksionesh keni për ecurinë e kompanive tuaja në lidhje me tregtimin me pakicë?
Mbi 45% e popullsisë shqiptare aktualisht jeton me rreth 4 dollarë në ditë sipas standardit të fuqisë blerëse, që në Shqipëri përkthehet më pak se 325 lekë në ditë për person. E përmenda këtë fakt sepse janë këta konsumatorët e produkteve dhe shërbimeve të çdo biznesi në Shqipëri të cilët hapin çdo ditë hapin dyert e dyqaneve me shpresën se do ketë shitje. Një kompani që i nënshtrohet rregullave të shtetit, që paguan taksat rregullisht dhe ka një bilanc të pastër shpenzime – të ardhura, që nuk ka një dorë të fshehtë nga ku merr e jep para në mënyrë të jashtëligjshme si klient i pushtetit, arrin të krijojë fitime vetëm nëse niveli ekonomik i popullsisë është i kënaqshëm, si dhe shteti me politikat e drejta dhe reale fiskale, e mbështet, jo ta penalizojë dhe ta çojë na faliment. Personalisht po ju them, se me aq punë sa bëjmë, të ardhurat duhet të ishin shumë herë më të larta, sepse njeriu punon që të fitojë, ndërkohë që sot bizneset punojnë shumë, vetëm që të mbijetojnë e të tjera po falimentojnë për ditë.
Përsa i përket tregtisë me pakicë, e kam thënë shpesh që është një problem shumë i madh, limiti i xhiros që i kanë vënë biznesit të vogël. Në këtë mënyrë ata refuzojnë të marrin faturat tatimore që të mos kalojnë pragun dhe të mos futen në biznesin e madh që të paguajnë më shumë detyrime në shtet. Kjo ka rritur informalitetin dhe i ka krijuar shumë probleme biznesit të madh i cili s’ka se ku të shkarkojë TVSH-në. Kjo është një situatë që duhet të marrë fund, sepse po krijon probleme të mëdha. Deri tani nuk shoh asnjë përmirësim të kësaj situate që i ka bërë tregtarët e vegjël të jenë të pasinqertë me shtetin, ndërkohë që zgjidhja mund të ishte shumë e thjeshtë, duke hequr tavanin e xhiros.
Si e parashikoni ecurinë e konsumit vitin që vjen dhe çfarë sugjeroni ndaj politikbërësve që të përmirësojnë klimën e biznesit?
Përsa i përket ecurisë së konsumit për vitin 2017, besoj se e dhashë shpjegimin më lart, kështu që parashikimi sipas meje është tejet pesimist. Konsumi mund të shtohet disi nga maj-qershori kur politikanët, ashtu si Babagjyshi i Vitit të Ri, do fillojnë të ndajnë dhurata në këmbim të votës, por ky është një fenomen që duhet të na bëjë të vëmë kujën, sepse minon demokracinë në një vend, duke mos e lënë të lirë individin që të shprehë me votë vullnetin e tij. Kjo klasë politike, pasi e ka varfëruar deri në skaj këtë popull, shkon dhe jep lëmoshë në këmbim të votës. E di që shumë shqiptarë do ta shesin përsëri votën e tyre dhe do vijnë të blejnë për pak javë në dyqanet tona me ato para, por kjo nuk mund të quhet rritje konsumi, por një dramë sociale me pasoja të rënda.
Përsa i përket sugjerimeve, Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë të cilën unë e drejtoj, ka qenë gjithnjë një avokat i fortë i sipërmarrjes së lirë në vend. Ne kemi bërë beteja ligjore për t’i fituar këto të drejta dhe jo thjesht tavolina të rrumbullakëta me platforma të cilat janë vetëm teori kot dhe nuk japin asnjë produkt. Pra nga eksperienca që kemi, kjo qeveri dhe pushteti lokal, nuk dëgjon asnjë sugjerim të biznesit të ndershëm, por kjo nuk do të thotë që ne nuk do vijojmë luftën tonë të pandalshme në mbrojtje të sipërmarrjes së lirë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.