Pavarësisht se nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, shitja e ARMO-s tek azerët dhe largimi i Taçit ka suprizuar jo pak tregun e naftës. Prapaskenat e një operacioni me shumë mistere, planet e ardhshme dhe si do të ndikojë kjo lëvizje në tregun e karburanteve në vend. Burime të pakonfirmuara thonë se ARMO iu shit azerëve për 150 milionë euro, por me zbritjen e borxheve, mbeten cash vetëm 30 milionë euro.
U fuqizua deri në atë pikë sa u përfol se do të blinte një ekip të Serisë A në kampionatin italian (Bolonjën), madje hyri në tratativa edhe për të zotëruar disa aksione në ekipin anglez Çelsi, klub që ka pronar manjatin rus të naftës dhe gazit, Abramoviç. Ishte sponsor i klubit italian të futbollit, Milan, ku për herë të parë, një kompani shqiptare dhe marka “Taçi Oil” qëndronte si reklamë mes shoqërive të fuqishme anash fushës ku luante ekipi milanist.
Drekonte me Berluskonin, kryeministrin italian, miliarder dhe një prej njerëzve më të fuqishëm të botës, solli në Tiranë ekipin galaktik të Real Madridit dhe Milanit, kërkonte të blinte “Sheraton”-in, markën e njohur të hoteleve, madje të kishte dhe një bankë të tij, por u “ngushëllua” me disa aksione te një nga bankat më të rëndësishme në vend, etj., etj.
Bleu ARMO-n për 128 milionë euro, hapi zyra dhe luante në Bursën e Singaporit, kërkoi të privatizonte “Albpetrol”-in për 850 milionë euro, xhiroi në vitin 2012 rreth 350 milionë euro, nga kompanitë e naftës dhe…u largua në gusht, duke i shitur të gjitha, pasi ishte i mbytur në borxhe!!
Historia e ngritjes dhe rënies së Rezart Taçit, personazhit kontrovers që turbulloi tregun e karburanteve në vend, por edhe politikën, është e shoqëruar me shumë mistere.
Gjatë gjithë historisë 10-vjeçare të tij është folur mirë dhe keq, por pas datës 8 gusht 2013, nuk do të përmendet më për asnjë nga karakteret.
ARMO-ja e tij, të cilën aq e dëshironte, nuk do të jetë më pronë e “Taçi Group”, por e një grupi investitorësh, kryesisht nga Azerbajxhani, me konsorciumin “Heaney Assets Coorporation”. Këta nuk kryen thjesht një blerje, pasi kishin interesa në Shqipëri, por transaksioni ishte rrjedhojë e detyrimeve të papaguara të Taçit me bankën azere, në shumën 75 milionë euro. Këto para i kishte marrë hua përmes kredisë për të blerë ARMO-n në vitin 2008. Rafinerinë e përpunimit të naftës e kishte dëshiruar që kur krijoi Grupin Taçi, në vitin 2003, por në ato kohë nuk i kishte “bindur” krerët e shtetit. Ndoshta nuk kishin besim, ishte i ri, por e realizoi pesë vjet më pas, kur kryeministër ishte Berisha dhe qeveria drejtohej nga demokratët.
Taçi nuk do të jetë më pronari i ARMO-s. Aksionet e tij, 80 përqindëshi, do të jetë nën kontrollin e “Heaney”, kurse pjesa e mbetur, 20 për qind (e gjithë paketës 85 për qind, pasi 15 për qind i ka shteti), kontrollohet nga amerikanët e “Texas”.
Në njërin nen të kontratës, konkretisht pika 8, thuhet se Taçi dhe familja e tij nuk duhet të merren me tregun e karburanteve për të paktën pesë vjet. Megjithatë, janë vendosur edhe kushte të tjera se si mund të kthehet, ndërsa nga ana tjetër do të vijojë të menaxhojë pikat e shitjes me “Taçi Oil”. Këto të fundit janë shtuar shumë në vitin 2012, me rreth 300, por shumë shpejt pritet të reduktohen, pasi prej më shumë se tre muajsh, një pjesë e mirë nuk po ofrojnë më shërbim. Kryesisht ishin pika të marra me qira dhe plani ishte për të shkuar në 600 pika, nga 1200 që janë gjithsej në të gjithë vendin.
Qëllimi ishte mbytja e tregut, zotërimi në çdo drejtim, që me posedimin e ARMO-s, rafineria, “Taçi Oil”, shitja me shumicë dhe pakicë, si dhe me synimin për të blerë “Albpetrol”-in, prodhimin, Rezart Taçi plotësonte ciklin.
“Albpetrol”-in nuk e bleu dot, kurse borxhet e ARMO-s, në vlerë disa milionë euro, e shtynë të hiqte dorë nga aksionet, madje nga disa të drejta në tregun e karburanteve.
Dritëhijet 10-vjeçare
ARMO e ngriti në vitin 2009 dhe ajo e largoi në 2013. Rafineria pati një aktivitet pozitiv në vitin e parë, por me ndihmën e shtetit, i cili e lejoi që të shiste vetëm ai naftë D2 në treg. Natyrisht që të ardhurat e llogaritura vetëm nga ky favor shkonin në 200 milionë euro në vit.
Tashmë të gjithë pyesin, nëse ishte shteti që e largoi, apo iu mbyll cikli dhe nuk mund të vazhdonte më.
Rafineria nuk pati ecuri pozitive në vitet e mëtejshme, pasi punonte vetëm 2-3 muaj në vit, e pamjaftueshme për të arritur fitime të kënaqshme. Edhe pse nuk ka informacione zyrtare, vlerësohet se investimet nuk kanë qenë të mjaftueshme për një rendiment pozitiv.
Vetë kompania deklaronte se nuk kishte mundësi të ecte me planet e investimeve, pasi të ardhurat nuk ishin të mjaftueshme, mungonte lënda e parë dhe se “Albpetrol”-i dhe “Bankers” nuk po e furnizonin si më parë. Natyrshëm! Ndaj këtyre dy kompanive, Taçi kishte borxhe, që sipas KLSH-së arrinin në mbi 40 milionë euro.
ARMO kishte nën zotërim dy rafineri, atë të Fierit, e cila arrinte të sillte diçka për shkak të përpunimit të solarit dhe mazutit, kurse ajo Ballshit kishte mjaft probleme, ndërsa për cilësi, pak, për të mos thënë aspak, nuk është treguar transparente, përfshi edhe autoritetet shtetërore. Nga ana tjetër, kompania thotë se nuk u la e lirë të punonte, me tatimet që i rrinin nga pas, por vetë operatorët konkurrentë pohojnë se shtetin e ka pasur gjithnjë me vete.
A ishte grupi i Taçit thjesht një fasadë e mbuluar me shifra plot zero, apo realisht kishte plane? Mjafton të shikojmë xhirot e aktivitetit të tij, të raportuara nga Tatimet, me një xhirim të të ardhurave në të paktën 350 milionë euro në vitin 2012. Dyshohet se këto rezultate ishin produkt i lojës në bursa duke shitur naftë nën kosto.
Nëse me pikat e shitjes së Taçit po ecte pozitivisht, nuk duhet thënë e njëjta gjë me ARMO-n. Tregu i rafinerisë në vend po përballej me shumë probleme, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Për shkak të rendimentit të ulët, të paktën aktualisht në Europë janë në shitje mbi 10 rafineri me çmim simbolik 1 euro.
Nafta e përpunuar në tregun tonë dilte me kosto mbi 30 për qind, ndaj pakkush kishte interes për ta blerë, përpos cilësisë së dobët. Fundi i Taçit nuk erdhi thjesht për borxhet e papaguara, por se ju desh të menaxhonte kompanitë e një sektori, ku konsumi i naftës po bie. Në vitin 2012, kishim rreth 5 për qind më pak konsum, po aq rënie kishte edhe Greqia, kurse në Itali kërkesa ra me 20 për qind.
Përmes kompanive të tij, “Taçi Oil” (tregtues me shumicë i naftës), “Kuid” (tregtues me pakicë i naftës) dhe ARMO (rafineria e naftës), biznesmeni Rezart Taçi realizoi një xhiro vjetore prej rreth 50 miliardë lekësh në 2012-n, me një rritje prej 80 përqindësh në raport me një vit më parë, kryesisht si rrjedhojë e zgjerimit të “Taçi Oil”.
Rritje të ndjeshme ka shënuar kompania e tregtimit të naftës, “Taçi Oil International”, ku grupi e ka përqendruar aktivitetin në këtë kompani më 2012-n, ndryshe nga një vit më parë, kur sipërmarrja tjetër e grupit, rafineria ARMO, mbajti pjesën kryesore të grupit. Xhiro e “Taçi Oil International” arriti në 32.8 miliardë lekë në 2012-n, duke u 7-fishuar në raport me një vit më parë dhe duke u renditur në kompaninë e dytë më të madhe të naftës në vend, pas “Kastratit”. Por kompania rezultoi me një humbje minimale prej 30 milionë lekësh. ARMO, nga ana tjetër, ka rezultuar me një tkurrje të xhiros prej 20 përqindësh në 18 miliardë lekë.
Përpos këtyre të dhënave, dilema më e madhe është te shitja e aksioneve të ARMO-s, për 35 milionë euro tek azerët. Burime të pakonfirmuara thonë se ARMO iu shit azerëve për 150 milionë euro, por me zbritjen e borxheve, mbeten cash vetëm 30 milionë euro.
Tratativat për shitjen kishin nisur kohë më parë dhe u mbyllën në muajin qershor, me vendimin e gjykatës, për të dhënë një zgjidhje “pajtuese” mes palëve, Taçit dhe azerëve.
Kompania
“Kompania është azere dhe me histori të respektueshme në fushën përkatëse”, thotë Ministria e Ekonomisë. Sipas kontratës së shitjes së aksioneve, kompania blerëse “Heaney Assets”, është e regjistruar në Ishujt Virgjinë Britanikë, me zyrë përfaqësimi në Luksemburg. Nga regjistrat mësohet se shoqëria azere është krijuar, enkas rreth gjashtë muaj më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.