Largimi i sipërmarrjeve të huaja nga vendet arabe, ku kanë nisur revolta për rrëzimin e regjimeve, ka bërë që të rritet interesi për tregun shqiptar.
Bizneset që kanë shtuar vizitat në Shqipëri janë për industrinë e veshjeve dhe agroindustrisë. Kur luhatjet e tregut po ofrojnë më shumë mundësi për eksportet bujqësore, si mund të fitojë Shqipëria nga koniunktura gjeopolitike e tregjeve?!
Çfarë kërkon biznesi shqiptar?
Globalizim i ekonomisë, aq sa bëri që teoricienët ta quajnë botën “fshat global”, është shpjegimi i vetëm i ndjeshmërisë së theksuar të tregjeve, që po vërehet aktualisht.
Trazirat në disa vende të botës arabe ndikuan edhe në një treg të vogël si Shqipëria, shumë më tepër se ç’mund të mendonim, ndërsa shihnim lajmet nga bota.
Ndryshe nga sa mund të mendohen, në rezultanten e tyre, efektet mund të jenë pozitive, nëse do të dimë t’i shfrytëzojmë siç duhet.
Në një vorbull të dyfishtë efektesh, mundësitë e tregut shqiptar (në tërësi Ballkanit Perëndimor) janë për më shumë porosi dhe investime në teknologji nga sipërmarrësit e Europës Perëndimore,
të cilët po zhvendosin makineritë nga Tunizia dhe Egjipti.
Biznesmenë nga sektorë të ndryshëm thonë se janë shtuar ndjeshëm kontaktet me investitorë të huaj, me kërkesa që fillojnë nga investimi për hapjen e 20 mijë vendeve të reja të punës (nga një kompani gjermane e veshjeve)
deri tek eksporti i shtuar i erëzave me linjë ajrore. Kjo tendencë rritjeje është vënë re që prej muajit nëntor të vitit të kaluar, përpara se në disa nga vendet arabe të nisnin trazirat.
Po ka shumë dyshime se sa jemi në gjendje t’i mbajmë këta blerës të rinj nga Europa. Sipërmarrësit shqiptarë tregojnë se kanë shumë pak mundësi për të rritur kapacitetet e përpunimit pa ndihmë financiare nga qeveria.
Shtohet interesi për industrinë e veshjeve
Një kompani gjermane, konsulente në gjetjen e tregjeve ishte javën e kaluar në Shqipëri, për të studiuar industrinë e veshjeve. Kryetari i Shoqatës së Fasonistëve,
Gjergji Gjika, rritjen e interesit për tregun shqiptar e lidh me trazirat e ndodhura në vendet e Afrikës së Veriut. Sipas tij, “kriza politike atje ndikoi në favor të zgjimit të interesit për tregun shqiptar dhe atë të rajonit.
Dy shembuj konkretë të interesit janë vizita e sipërmarrësve gjermanë javës së kaluar dhe interesi i dhomave italiane të tregtisë”. Numri i vizitave këto kohë është shpeshtuar.
Sipas kreut të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, Flamur Hoxha, disa kompani të huaja, kryesisht italiane, që kanë pasur ndërmarrjet e tyre në Tunizi,
duket se janë interesuar për “shpërnguljen” e investimeve të tyre në Shqipëri. “Dy-tre kompani të mëdha italiane kanë shprehur interes dhe kanë pasur takime me ne, por ende nuk është konkretizuar ndonjë kontratë”, shpjegon Hoxha.
Në Tunizi dhe Libi janë të shumta kompanitë që ushtrojnë aktivitet në sektorin e fasonit, kjo falë lehtësive të mëdha fiskale që janë aplikuar nga qeveritë përkatëse për investimet në këtë sektor. Sipas industrialistëve,
investitorët e huaj kanë pasur mundësinë të punojnë të përjashtuar nga taksat e detyrimet shtetërore për disa vjet, ndërkohë që edhe punonjësit e këtyre ndërmarrjeve përfitonin lehtësi,
qoftë në transport (paguanin vetëm gjysmën e çmimit për biletat e autobusit), qoftë në edukimin e fëmijëve (shkollim falas). Këto lehtësira synonin të ndihmonin femrat, që zënë edhe pjesën dërrmuese të punonjësve në këtë sektor.
Kërkesa më e madhe për mallra shqiptare pritet të vijë më shumë nga ndërmarrjet italiane, që kanë punuar me Tunizinë dhe ato gjermane. Partneri kryesor në veshje i vendeve të Lindjes së Mesme është Franca, një treg ende i largët për Shqipërinë.
Të “vjedhim modelin” e stimulit
Sektori, për të cilin oferta duket se ka filluar të ringjallet që gjatë periudhës së krizës (për shkak edhe të rritjes së kostove në Kinë e Indonezi), do mbështetje të dukshme, në mënyrë që të mund të përqafojë momentin e favorshëm.
Përfaqësues të biznesit vlerësojnë se për të parë se si mund të mbështetet industria e veshjeve në vend, mjafton të shohim ato modele me të cilat industrialistët europianë janë hasur në tregun e Tunizisë.
“Nuk është se në vendin tonë mungojnë lehtësitë, por është momenti që tregu të bëhet më interesant”, vlerëson z. Gjika. Sipas tij,
“mbështetja me grande për të investuar në teknologji është një formë shumë e mirë për të fituar këtë pjesë të tregut që po ofrohet tani”.
Grandet qeveritare në fushën e tekstileve, në kushte normale pune, kanë një periudhë të shpejtë të kthimit në buxhetin e shtetit (1.5-2 vjet), vlerësojnë ekspertët e ekonomisë.
Në të njëjtën kohë, afrimi i kërkesës europiane me ofertën e punës së sipërmarrjeve shqiptare do të donte një zonë të mirëfilltë industriale për kompanitë e veshjeve, ku disa ndërmarrje të plotësojnë kërkesat e furnitorëve.
Në mes të prillit pritet të vijë një kompani logjistike gjermane, e cila pretendon të punojë me sipërmarrjet e grupuara shqiptare. Mundësitë e ecurisë së mirë janë për 20 mijë vende të reja pune në 4-5 vite.
Krijimi i një blloku industrial për sektorin e veshjeve, nuk shmang punën në rajonet e tjera, pasi sipërmarrjet do të zhvillojnë një aktivitet të ri dhe për më tepër do të delegojnë një pjesë të punës nëpër rajon.
Ende tani, nuk mund t’u ofrohet një zgjidhje firmave të huaja që kërkojnë një ofertë të integruar. Sipërmarrjet shqiptare kanë kulturën horizontale të punës (ofertë vetëm në një produkt).
Përfaqësues të biznesit tregojnë se sipërmarrjet duhet të koordinojnë punën, të vendosura në një zonë të përbashkët industriale, ku të gjitha së bashku të plotësojnë kërkesat e plota të një kompanie të madhe.
Dy sipërmarrje, për të cilat nuk jemi interesantë, për shkak të mungesës së ofertës së integruar, janë “Beneton” dhe “MaxMara”. Drejtuesit e këtyre kompanive tentuan të hynin vitin e kaluar në tregun shqiptar,
por oferta shqiptare ishte e papërshtatshme për ta.
Nëse sipërmarrjet e fasonit kapin ritmin, mund të fitojnë nga një pjesë tregu që nuk ishte aq e lirë sa dukej. Sipërmarrës të industrisë tregojnë se kostoja e prodhimit në Shqipëri është 50% më e ulët se në Tunizi.
Kjo nënkupton mundësinë e kontratave më të “shëndetshme” financiarisht, krahasuar me këto që punojnë aktualisht, përveç rritjes së volumit të punës.
Angazhimi i kompanive dhe përfaqësuesve të biznesit nuk do të ishte i mjaftueshëm për të përfituar nga kushtet e favorshme. Sipas z. Gjika,
kërkohet një paketë nxitëse, ashtu siç u aplikua në vende të tjera deri më dje tërheqëse, apo edhe në vendin tonë disa vite më parë.
“Qeveria jonë hoqi taksat për këtë industri në periudhën 1992-1995 dhe pati një bum të zhvillimit të industrisë. Ajo çfarë mund të them është se nuk kemi arritur ende në shifrat e vitit ‘96 për nga volumi i punës”, vlerëson ai.
Krahas krijimit të kushteve të favorshme në tregun e brendshëm, përfaqësuesit e industrisë pretendojnë një marketing më agresiv në tregun europian për sa i përket imazhit të Shqipërisë.
Ballkani Perëndimor, “Kina” për Europën
Interesi i rritur nga industrialistët europianë nuk vjen vetëm për Shqipërinë dhe kjo nuk po ndodh vetëm për shkak të trazirave në Lindjen e Mesme.
Kostot e rritura edhe në tregje të largëta si Kina e Indonezia po bëjnë që shtetet e BE-së t’i shohin vendet e vogla të rajonit të Ballkanit si një “Kinë” e vogël për industrinë e veshjeve.
Në këtë fushë, prej pak kohësh ka filluar një projekt i shoqatës europiane të tekstileve “Eurotex”, që është nën ombrellën e Komisionit Europian.
Aty përfshihen pesë shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në dy vite, përfaqësuesit e “Eurotex”, tregojnë se kanë për qëllim që ky rajon, i zhvilluar në industrinë e veshjeve,
të integrohet në zinxhirin e përgjithshëm të vlerave të industrisë europiane. “Europa po e shikon me shumë interes industrinë e tekstileve në këtë zonë”, thonë ekspertët që punojnë në këtë projekt.
Por, a jemi në gjendje të përgatitemi që të fitojmë nga ky lloj interesi?! Për këtë duhet të kemi parasysh atë çfarë duan investitorët e huaj dhe një nga kërkesat që duhet pasur parasysh është oferta e integruar, thonë përfaqësuesit e industrisë së veshjeve.
Mbështetja që kërkon industria e fasonit
-Grande për investimin në teknologji
-Marketing më agresiv në tregjet e Europës Perëndimore
-Zonë industriale për industrinë e veshjeve
Përparësitë:
-Kosto e ulët e punës (50% më pak se në Tunizi)
-Mentaliteti europian i punës
-Afërsia gjeografike me vendet e BE-së
Në shënjestër bujqësia dhe ushqimet
Largimi i tregtarëve dhe industrialistëve nga vendet e trazuara, ka krijuar shanse për më shumë eksporte të prodhimeve bujqësore shqiptare. Arben Islami, prodhues i erëzave bio, tregon për “Monitor” se,
vështirësia e furnizimit me prodhime ushqimore po shfaqet shumë e favorshme për ne. “Interesi i parë e direkt është ai i disa sipërmarrësve danezë që duan të investojnë në teknologji e lëndë të parë,
për të prodhuar 15 lloje sallatrash me qëllim tregtimin e tyre në Danimarkë”, shprehet z. Islami. Ai tregon se ka filluar të punojë për këtë, ndërsa ka shtuar aktivitetin edhe me parterët gjermanë e zviceranë të prodhimeve bio.
Për rritje të mundësive flet edhe drejtuesi i kompanisë “Xherdo”, Xhavit Hysenaj. Sipas tij, kërkesa nuk më ka munguar, por së fundi, jam i interesuar të rris nivelin e përpunimit pa gjetur vështirësi në treg.
Kujtojmë se tregtarët europianë të bimëve mjekësore janë të interesuar të importojnë produkte të papërpunuara dhe t’i realizojnë vetë proceset e përpunimit. Interesi për produktet bujqësore është rritur kryesisht nga vendet e Europës Veriore,
vlerëson Josif Gorea, tregtar i “Bruka & Seedling”.
Alban Zusi, sipërmarrës i një industrie të përpunimit të peshkut për eksport, tregon se ka filluar të punojë me një klient italian, i cili u tërhoq nga Egjipti. “Sigurisht që ka më shumë mundësi për biznesin shqiptar,
pasi sipërmarrësit perëndimore që kanë punuar me Tunizinë dhe Egjiptin janë vënë në lëvizje në kërkim të tregjeve të tjera”, thotë Zusi. Deri më tani, ai tregon se ka pasur mbi tre kontakte të reja.
Interesi më i madh i shfaqur këto ditë në tregun shqiptar është nga sipërmarrësit e Italisë së Jugut, veçanërisht Sicilisë, tregojnë biznesmenë shqiptarë. Por, mëdyshjet e industrisë ushqimore janë tek kapacitetet thithëse.
Ato nuk ndihen të përgatitura, nuk kanë kapacitete të mjaftueshme përpunimi dhe mbi të gjitha nuk kanë mundësi të bëjnë investime të mëdha përmes kreditimit në bankë.
Alban Zusi tregon se do t’i duhej të bënte një investim të shpejtë prej 200 mijë eurosh në mënyrë që furnitori i ri i tij të realizojë qëllimin: ruajtjen e pozicionit në treg.
Edhe për industrinë ushqimore, sipërmarrësit kërkojnë mbështetjen e politikave qeveritare në mënyrë që të ndajnë riskun e investimeve me qeverinë. Për rritjet e shpejta, grantet do të ishin ndihma e duhur, vlerësojnë sipërmarrësit.
Materiale ndërtimi, ulet kostoja
Trazirat në Lindjen e Mesme kanë bërë që tregtia e shumë produkteve të ndryshojë kah. Vështirësitë e eksportit të prodhimit shqiptar të tullave drejt Egjiptit dhe transportit të hekurit në tregun brazilian kanë bërë që çmimi i tyre të ulet në tregun shqiptar.
Përfaqësues të sektorit të ndërtimit tregojnë se çmimi i shufrave të hekurit për ndërtim ka rënë 7% gjatë këtyre ditëve. Ata presin rënie të mëtejshme të çmimit.
Një nga sektorët më të prekur nga kriza në Egjipt është padyshim ai i tjegullave në Shqipëri. Drejtori i marketingut në “Edil-Centro”, kompanisë që prej vitesh eksporton në tregun egjiptian, tregon se tashmë eksportet në këtë shtet janë ndërprerë.
Sipas Elmir Boriçit, kjo krizë i ka dhënë një goditje kompanisë, e cila ka rreth 35% të eksporteve të saj me Egjiptin.
“Ne eksportojmë rreth 1.5 milionë tjegulla në vit dhe jemi prekur 100% në eksportet tona”, tregon Boriçi. Në total, vlera e eksporteve të “Edil-Centro” drejt Egjiptit luhatet në mbi 1 milion euro, një shifër kjo e konsiderueshme.
Tjegullat, të cilat shiten kryesisht për shtëpi apo vila në zonat rezidenciale në bregdetin egjiptian, tani ende po presin eksportin e radhës.
Siç shpjegon, Elmir Boriçi, për momentin eksporti i tullave është ndërprerë, ndërkohë që pritet që brenda dy javëve të ardhshme të niset sasia e parë drejt Egjiptit. Por megjithëse kompania shqiptare do të rinisë eksportet, pasiguria ende qëndron.
Nëse më parë eksporti bëhej me anije, pasi eksportohej një sasi tepër e madhe tullash, tashmë eksporti do të bëhet me kontenierë me një sasi tepër të limituar.
“Tregu është ende i pastabilizuar dhe ne po rinisim me sasi të vogla. Në Egjipt tashmë ndërtimi është tërësisht i pezulluar çka e pengon rritjen e eksporteve tona”, shprehet Boriçi.
Për momentin kompania po vazhdon të eksportojë tjegulla vetëm në vendet e rajonit, si Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi. Synimi është që të rriten edhe më shumë eksportet drejt tyre,
me qëllim eliminimin sa më shumë të efekteve negative që vijnë nga kriza e Egjiptit.
Turizmi, mund të rriten çmimet
Turizmi shqiptar nuk preket nga trazirat e këtyre vendeve të ngrohta. Operatorët turistikë vlerësojnë se nuk i zgjedhin Egjiptin apo Tunizinë si destiancione turistike gjatë periudhës së dimrit.
Gëzim Hajdini, menaxher i përgjithshëm i “Union Travel” shprehet se “efekti mund të duket në sezonet e ardhshme. Vende të tilla si Turqia apo Spanja mund të rrisin çmimet e shërbimeve, me rritjen e kërkesës për këto vende”.
Goditja e tregut europian
Lindja e Mesme është një rajon me të cilin Bashkimi Europian ka një lidhje të fortë tregtare. Sipas të dhënave të “Eurostat”, Libia renditet si partneri i 11-të i BE-së me një vlerë eksporti prej rreth 20 milionë eurosh.
Sipas këtyre të dhënave, Egjipti zhvillon rreth 30% të tregtisë me BE-në, (për vitin 2009 ishte 15.15 milionë euro).
Importet e BE-së për 2009 (në mln euro)
Libia 20
Maroku 6.55
Egjipti 6.14
Tunizia 7.9
Burimi: Eurostat
Qetësia e trazuar shqiptare
Me gjithë rritjen e interesit të sipërmarrësve të huaj, dyshimet e pasiguritë për të investuar në tregun shqiptar kanë mbetur.
Dy muajt e parë të këtij viti kanë qenë intensivë si për kontaktet, edhe për marrëveshjet e bashkëpunimit që sipërmarrësit shqiptarë nënshkruan me partnerë të huaj. Javën e kaluar, drejtuesi italian i “Cotolla s.a.”
erdhi në Shqipëri e deklaroi se do të rrisë kapacitetin përpunues 15% dhe në një të ardhme të shkurtër do të transferojë prodhimin nga Kina në tregun shqiptar.
Një kompani konsulente gjermane erdhi të studiojë tregun e veshjeve për llogari të industrive gjermane. Dhomat e tregtisë së rajoneve kryesore italiane kanë zhvilluar takime me përfaqësues të biznesit shqiptar.
Nga ana tjetër, edhe përfaqësues të shoqatave shqiptare të biznesit tregojnë se kanë qenë aktivë në takimet e tyre në Itali, Gjermani apo Bruksel.
Madje, biznesi shqiptar duket të jetë vënë në lëvizje më shumë sesa parashikimet pikërisht për të “mbytur” atë klimë të zymtë që u krijua me ngjarjet e 21 janarit.
Gjergj Liqejza, sipërmarrësi i kompanisë që punon për “Cotonella”-n në Shkodër, shprehet se, “pas shqetësimeve pak ditë pas 21 janarit, situata është sqaruar për operatorët me të cilët bashkëpunojmë”.
Klima është përmirësuar edhe sipas presidentit të Konfindustrisë, Hajredin Fratari, i cili vlerëson mbi të gjitha raportin e qëndrueshëm me tregun italian, pas disa marrëveshjesh të nënshkruara e aktivitete të përbashkëta me përfaqësues të kësaj industrie.
Por, që pas kësaj periudhe, puna nuk ka qenë njësoj për një pjesë të mirë të sipërmarrësve që punojnë me operatorë të huaj. Do të duhet ende shumë kohë për të korrigjuar gabimet e politikës, shprehen përfaqësues të biznesit.
“Para nisjes së çdo kamioni, partnerët tani pyesin për situatën”, tregon sipërmarrësi në industrinë e përpunimit të peshkut, Alban Zusi.
Të ndjeshëm nga rrëmujat në Lindjen e Mesme, ata tregohen edhe më të interesuar për mbarëvajtjen e transportit të mallrave të tyre nga Shqipëria. Ata që kishin planifikuar të udhëtonin pyesin për klimën në vend.
Përfaqësues të industrisë së fasonit tregojnë se disa sipërmarrës gjermanë që duhej të vinin më 24 janar, po vazhdojnë ta shtyjnë ardhjen e tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.