Një vizitë nga Shqipëria në Rumani

07/05/2012 4:24 PM 0 komente

Ka ardhur koha që të ndërmerrni një pushim të shkurtër. Koha tani është vërtet e mrekullueshme dhe ofertat e veçanta dhe interesante nuk mungojnë. Ju propozojmë një aventurë që do t’ju lërë mbresa. Si thoni për t’i bërë një vizitë Kont Drakulës? E pra, bëhet fjalë për një udhëtim disaditor në Bukuresht

 

Përse ky destinacion

Guidën tonë turistike zgjodhëm ta nisnim me një destinacion që ka shumë për të ofruar dhe që preferohet shumë nga turistët europianë. Ka thesare të çmuara (është pasuri që mbrohet nga UNESCO), siç është delta e lumit Danub. Por, nuk do të takoni vetëm Kont Drakulën, do të shikoni afreske të mrekullueshme, fshatra që kanë ngecur në kohë.

Është një botë krejtësisht e ndryshme që nuk rresht së impresionuari. Çdo vit numri i vizitorëve është në rritje. Një arsye që e bën Rumaninë shumë të vizituar ka të bëjë me faktin se është destinacion lehtësisht i arritshëm me autobusë, tren dhe avion. Nuk është çudi që në vendet kufitare të shihni radhë të gjata makinash, veçanërisht në fundjavë dhe në ditët e festave. Por, mos u shqetësoni. Agjencitë turistike mendojnë për çdo detaj.

 

Oferta e “Union Travel” për ju

Përse nuk ia thoni edhe miqve tuaj këtë ide. Një udhëtim në grup në ditët e fundit të majit do të ishte vërtet relaksues. Agjencia e udhëtimit “Union Travel” ka përgatitur me kujdes këtë ofertë që është e vlefshme nga data 24 deri më 29 maj. Janë pesë ditë të këndshme udhëtimi, gjatë të cilave nuk do të njiheni vetëm me bukuritë që ofron Bukureshti. Vajza, lajmi i mirë është se do të keni në dispozicion një ditë të tërë për “shopping”. Por, le të njihemi më në detaje me këtë tur.

Pasi keni mbërritur në destinacion, do të mund të vizitoni Pallatin e Parlamentit, ose siç njihet ndryshe shtëpia e Çausheskut. Është i pari në Europë për nga madhësia dhe i dyti në botë pas Pentagonit, një nga ndërtesat më të bukura në botë. Gjatë turit do të vizitoni disa nga monumentet më të bukura si: “Harkun e Triumfit”, Shtëpia e Gazetarëve, parkun “Herastrau” dhe bulevardin “Chiselef” që është bërë sipas modelit të bulevardit “Champs Elisees” në Paris. Një ndalesë e veçantë do të jetë parku “Cishmixhiu”, një nga vendet më të qeta të Bukureshtit ku mund të bëni shëtitje dhe të pini kafe.

Gjatë turit do të keni mundësi të vizitoni Brashovën, një nga qytetet më të bukura të Rumanisë. Ekskursioni do të fillojë me kështjellën Bran, kështjella e Drakulas. Bran është një ndërtesë shumë e çuditshme dhe e ngrysur. E vendosur mbi një kodër prej guri, deri-diku e frikshme, por shumë e bukur dhe që lë mbresa të veçanta për çdo njeri që e viziton. Kështjella e ndërtuar në vitin 1377, është një monument kombëtar shumë i rëndësishëm dhe një pikë referimi për zonën e Transilvanisë, jo vetëm për bukurinë, por edhe për legjendën fantastike të Kontit Drakula. Përpara kështjellës është një treg ciganësh ku mund të blini suvenire. Kështjella të tjera që do të vizitoni janë “Pelesh” dhe “Pelishor” në qytezën e Sinaias.

 

Pasaporta e udhëtimit

Vendi: Bukuresht, Rumani

Qëndrimi: 4 ditë/5 net

Çmimi: 249 euro/personi

Transporti: Autobus

Datat: 24-29 maj

Valuta: 1 euro = 3.5 lei

 

Në paketë

– Transport me autobus vajtje-ardhje

– Akomodim në hotel

– Transport gjatë ditëve të udhëtimit

– Mëngjesi

– Guidë dhe asistencë në gjuhën shqipe

 

Kujdes!

Kjo paketë turistike nuk i përfshin hyrjet në muze apo kështjella dhe sigurimin e shëndetit në udhëtim

 

Udhëtim “bëje vetë”

Nëse dëshironi që këtë udhëtim ta bëni vetë, atëherë duhet të merrni në konsideratë disa aspekte.

Nga Tirana nuk ka linjë direkt udhëtimi me autobus për në Bukuresht. Nëse do të fluturoni me avion, atëherë mund t’ju sugjerojmë një drejtim. Nga Bari i Italisë për në Bukuresht. Me shoqëri ajrore “low cost” mund të gjeni bileta udhëtimi me çmim edhe 10 euro. Në këtë rast biletës së udhëtimit Durrës-Bari do t’i shtoni edhe çmimin 10 euro për person.

Hotelet në Bukuresht ofrojnë çmime nga 30 euro (hotel me tre yje) deri në 100 euro (dhomë dyshe). Në hotele me një yll mund ta gjesh dhomën edhe për 11 euro. Apartamentet me qira për katër persona mund të kushtojnë edhe 49 euro për person/nata. Natyrisht që çmimet ndryshojnë edhe në varësi të largësisë nga qendra.

Makina me qira, për katër ditë mund t’ju kushtojë 128 euro.

Këto janë vetëm disa nga aspektet e udhëtimit. Por nëse dëshironi siguri, atëherë lëreni këtë në dorën e profesionistëve.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of