Njëzet vende për t’u vizituar në bregun e Amalfit

11/09/2020 10:06 PM 0 komente
Në jug të Italisë, kupola e Kishës së Santa Maria Assunta, në lartësitë e Positano ekaterinapokrovsky.com

Në jug të Gjirit të Napolit shtrihet një nga brigjet më të bukura në Itali, 25 kilometra shkëmbinj të thepisur që zhyten në Detin Tirren, të cilat ndërthuren me fshatra kodrinorë si Amalfi, Positano, Praiano ose Ravello.

I renditur si një sit i trashëgimisë botërore, Bregu i Amalfit, të cilin italianët e quajnë thjesht Costiera, dallohet nga brigjet e tjera mesdhetare. Ndërsa kalon rrugën panoramike që lidh fshatrat, është e pamundur të mos mahnitesh nga peizazhet e tij.

Bardhësia e maleve gurore takohet në kohën e duhur me ujin e kaltër të cilat bëjnë kontrast me morinë e leanderave rozë dhe bugainvileve që varen nga kopshtet e tarracat. Limonët arrijnë një madhësi aq mbresëlënëse sa ‘parfumosin’ edhe kafenë.

Costiera ka artin e saj të të jetuarit. Ajo daton që në kohën kur Republika e Amalfit ishte në garë me fuqinë detare të Bizantit. Orienti është shumë i pranishëm në kupolat majolike të kishave, ndërsa rrënojat antike dëshmojnë të kaluarën e tij romake. I mbushur me gjire të vogla dhe shtigje magjepsëse që ngjiten në mal, bregu i Amalfit është njëkohësisht parajsë bregdetare dhe një destinacion shëtitjeje.

 

Positano dhe rrethinat e saj

Një rrugicë në Positano. Alessandro Tortora

Admironi kupolën e Kishës së Santa Maria Assunta. E mbuluar me majolikë të gjelbër dhe të verdhë, ajo është simboli i Positanos dhe Bregut të Amalfit. Për të arritur atje, do të humbisni në rrugicat e çuditshme që të çojnë poshtë në plazh. Brenda ia vlen të bësh një xhiro për ‘Virgjëreshën e zezë me fëmijën’, një vepër bizantine e shekullit të 12-të, e cila, sipas legjendës, është shpëtuar nga fundosja e një anije pirate saraçene.

 

Hyni në një vilë romake të vendosur nën kapelën e Kishës së Santa Maria Assunta. I hapur në vitin 2018 pas shumë vitesh gërmime, në këtë muze arkeologjik do të zbuloni afreske dhe mozaikë të mrekullueshëm, të ndërtuar gjatë kohës së Pompeit dhe të varrosur me shpërthimin e Vezuvit. Hyrja është 15 €. Me Covid-19, vizitat janë kufizuar në 5 persona. Këshillohet që të rezervoni online në faqen marpositano.it

 

Ndiqni gjurmët e perëndive. Duke lidhur dy skajet e Bregut të Amalfit, il Sentiero degli Dei (shtegu i perëndive) fillon nga Agerola, në një lartësi mbi 600 metra dhe arrin deri në Positano. Rruga hyjnore ofron një panoramë gati-gati qiellore mbi Mesdhe dhe shtigje të egra në zemër të maleve Lattari. Ecja zgjat rreth 5 orë (nisja bëhet në agim gjatë verës për të shmangur vapën).

 

Numëroni kullat Saraçene. Vëzhguesit përgjatë detit për të parë anijet e piratëve të Bardhë, kulla e parë e së cilës ndodhet në dalje të Positanos, aty ku mbaron Bregu i Amalfit dhe fillon Bregu i Sorrentos. Rrugës për në kullë do të gjeni një nga dyqanet më të bukura të qeramikës në Costiera, “Soso”, i cili ndodhet në një stallë të vjetër.

 

Lundroni me një ‘gozzo’ deri në Ishujt Galli. E shndërruar në jaht kënaqësie, kjo varkë peshkimi tradicionale prej druri është ideale për të zbuluar qoshet e paarritshme të Bregut të Amalfit, siç është Galli, tre ishuj të vegjël privatë jashtë Positanos, shtëpia e sirenave tek Odiseja. Këshillohet që lundrimi të bëhet në perëndimin e diellit. Duke filluar nga 250 € për marrjen me qira të varkave Lucibello që ndodhen në Spiaggia Grande të Positano.

 

Nga Praiano në Amalfi

Brenda Katedrales së Amalfit, me ndikime të stilit bizantin, barok dhe roman. Gabriele Maltinti -stock.adobe.com

Zbuloni skulpturat në natyrë të Praiano NaturArte. Që prej disa vitesh, veprat prej qeramike të realizuara nga artistët më të njohur të rajonit, si Francesco Mangieri, janë shpërndarë nëpër rrugicat e fshatit Praiano. Broshura me kod QR mund të shkarkohet nga faqja e internetit. (Http://www.praiano.org/naturarte.html)

 

Bëni një zhytje në Cala Gavitella. Nga sheshi i Kishës San Genaro de Praiano, duhet të zbrisni 400 shkallë të zhytura në shkurrishte, për të arritur këtë gji shkëmbor, në të cilin do të gjeni shezllona, një bar dhe një restorant. I gjithë mundi juaj do të shpërblehet nga panorama nga Capri dhe Positano, si dhe transparenca e ujit. Shkoni herët në mëngjes në verë, ose rezervoni një çadër në One Fire Beach (facebook).

 

Fotografoni fjordin e vetëm italian në Furore. Ky fshat i adhurueshëm peshkatarësh, ku aktorja Anna Magnani kishte një shtëpi, ndodhet në një luginë ku rrjedh një lum që derdhet në det, duke formuar një fjord të vogël. Ekzistojnë dy mundësi për të hyrë në Furore – mund të ngjisni 3000 shkallë, ose të merrni aty një varkë.

 

Bëhuni mistik duke vizituar Duomo-n e Amalfit. Katedralja, e cila dominon sheshin qendror të ish-republikës detare, të mahnit me ndërthurjen e ndikimeve bizantine, baroke dhe romake. Afresket me gjethe ari dhe dera prej bronzi të shkrirë në Kostandinopojë në shekullin XI janë të mrekullueshme. Në të majtë të Duomos do të gjeni dyqanin e ëmbëlsirave më të mirë të Amalfi, “Andrea Pansa”.

 

Ngjisni kodrat e gjelbra të Valle delle Ferriere. Duke kaluar zemrën e Amalfit për t’u ngjitur drejt veriut të fshatit, rruga i lë shpejt vendin një shtegu malor në zemër të bimësisë së egër dhe të harlisur, të cilat lagen nga përrenj të vegjël, duke formuar një ekosistem veçanërisht të rrallë. Llogarisni tre orë për të shëtitur me guidë. Ekziston edhe mundësia e udhëtimeve të organizuara me çmim 20 € për person (valledelleferriere.it).

 

Nga Atrani në Vietri sul Mare

Atrani, një fshat i qetë i ngritur në shkëmb. Boris Stroujko

Pini një kafe në Sheshin Atrani. E gjithë jeta e këtij fshati të bukur, i ngritur mbi shkëmb, i madh sa një shami xhepi, zhvillohet në sheshin e tij, të ndarë nga plazhi, nëpërmjet harqeve (arkada). Dikush mund të kalojë orë të tëra duke parë vajtje-ardhjet e vendasve, veçanërisht kur ka procesion që të çon drejt kishës së bukur baroke të “San Salvatore de Bireto”.

 

Imagjinoni jetën e romakëve të shquar, duke vizituar vilën detare në Minori. Mozaikët e saj, që datojnë nga shekulli I p.e.s, për fat të keq janë dëmtuar. Viridarium-i, me pellgun e saj qendror, nuk është gjë tjetër përveçse paraardhësi i kopshteve tona të stome me pishinë. Hyrja është falas nga e hëna në të shtunë. Nga ora 9:00 e mëngjesit deri në perëndimin e diellit.

 

Shijoni spageti alla Colatura në Cetara. Të peshkuara gjatë natës me lamparo[1], sardelet vendase përgatiten më pas alla colatura sipas një tradite që daton që nga Mesjeta. Ajo është e famshme në të gjithë Campania, Colatura zakonisht shërbehet në ditën e Krishtlindjeve, por do të mund ta gjeni në çdo stinë në trattoria-t e fshatit.

 

Të shëtisësh përgjatë bregdetit Maiori në orën e passegiata[2]. E shtrirë për më shumë se një kilometër dhe e kryqëzuar me plazhe private, është shëtitorja buzë detit më e gjatë e Costiera-s. Në muzg, do të ndeshni të gjithë fshatin të veshur me “veshjet e tyre të së dielës”.

 

Vizitoni muzeun e qeramikës në Vietri sul Mare. Ky muze i vogël interesant, por disi i demodé, i cili gjendet në një vilë aristokratike të shekullit të 18-të, ofron një shëtitje tërheqëse në kodrat e Vietri. Përmendim këtu në veçanti, fasadën e saj të bërë me pllaka qeramike. Villa Guariglia, via Nuova Raito.

 

Ravello

Belvedere i Villa Cimbrone, në Ravello, ofron një pamje të mrekullueshme të detit. Giuseppegreco – stock.adobe.com

Shëtisni në gjurmët e Wagner-it në tërfilin maor të Villa Rufolo. Kompozitori i njohur gjerman ra nën magjinë e kopshteve romantike të kësaj vile të mrekullueshme të shekullit të 13-të, që e frymëzoi në kopshtin magjik të Klingsor, në Parsifal. Çdo verë, Villa Rufolo organizon një festival të famshëm të muzikës klasike. Hyrja në vilë është 7 €.

 

Fluturoni mbi Mesdhe nga parvazi i Villa Cimbrone. E shndërruar në një hotel luksoz, kjo rezidencë e hershme e shekullit të 20-të e ndërtuar në një stil klasik, ka vlera për kopshtet e saj angleze të jashtëzakonshme që të çojnë në “Tarracën e pafundësisë”, një belvedere e mrekullueshme, e dekoruar me statuja antike. Në perëndimin e diellit, kur bashkohen deti dhe qielli, ky vend është thjesht magjik. Hyrja është 7 € (hotelvillacimbrone.com)

 

Vëzhgoni kuadratet e jashtëzakonshme të derës prej bronzi të Duomo të Ravello. Që prej shekullit të 12-të, këto gdhendje sjellin pamje nga jeta e Krishtit, si dhe luanë apo grifë … Bukuria e skulpturave dhe gjendja e tyre mbresëlënëse meritojnë vëmendjen tuaj.

 

Zbuloni misteret e koralit në Fabrikën Cameo. Shumë afër Duomo-s, ky muze mban një koleksion të pasur koralesh që u përkasin familjeve të pronarëve. Disa pjesë datojnë nga Antikiteti dhe zbulojnë në veçanti virtytet e koralit të kuq ende shumë të kërkuar në Italinë e Jugot, e cila simbolizon gjakun dhe rrjedhimisht jetën. Hyrja është falas (museodelcorallo.com).

 

Shkoni në Scala në anën tjetër të luginës. I ndodhur pak metra më poshtë Ravello-s, fshati më i vjetër në Bregun e Amalfit nuk shtrihet në det, por është i zhytur në vreshta dhe pemë gështenje. Ky nuk është një dizavantazh, përkundrazi kjo i jep qytetit një qetësi të madhe, sepse ka më pak turistë dhe mund të shëtisni qetësisht në qendrën e qytetit mesjetar, i cili ka ruajtur të gjithë bukurinë e tij.

 

Fletore praktike

VAJTJA

Fluturime ditore për në Napoli, direkt ose me ndalesë, nga Franca me Air France, Alitalia, Transavia, ose EasyJet.

LËVIZJA

Me makinë

Kompanitë Hertz, Avis, Sixt, Europcar janë të pranishme në aeroportin Napoli Capodichino.

Me skuter

Dy rroteshat janë ideale, sepse rruga e Costiera është gjarpërushe dhe e ngushtë. Trafiku është shumë i shpeshtë dhe hapësirat e parkimit janë të rralla dhe shumë të shtrenjta. Agjencia Interfur ofron lloje të ndryshme zhvendosjeje.

Me varkë

Nga porti i Napolit, disa kompani trageti, si Traghetti Napoli, shërbejnë në fshatrat e Bregut të Amalfi.

Në pikun e sezonit ka edhe disa lidhje ditore midis Amalfit dhe Positanos, me Travelmar ose metròdelmare.

Me autobus

Shoqëria Sita Sud u shërben fshatrave të ndryshëm në bregdet.

 

[1] Mënyrë peshkimi

[2] Shëtitore

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of