Flasin Manjola Lloja Bushati dhe Anisa Lloja
Si lindi nisma e krijimit të një hapësire vetëm për artizanët?
“Nji Mar, Nji Mrapsht” lindi në pranverën e vitit 2014 nga Manjola, sociologe, dhe Anisa, arkitekte, si një përpjekje për të ndërtuar diçka që mungonte në Tiranë, për t’u dhënë hapësirë krijuesve, artistëve artizanë që të tregonin e tregtonin punimet e tyre, ndërsa klientelës mundësinë për të gjetur artikuj të veçantë, të personalizuar, unike.
Duhet thënë se në atë kohë në Tiranë kishte nisur angazhimi i të rinjve për të mbrojtur mjedisin e për të rijetësuar dashurinë për natyrën, për të krijuar hapësira të artit eksperimental e për të ndërtuar bizneset e para sociale. Kjo klimë besojmë bëri të nisnin Ekovolis, Tulla, Pana, Mbill pemën tënde… e në këtë atmosferë lindi edhe biznesi ynë, i mbështetur krejtësisht në dëshirën për artizanatin dhe bindjen se kishte një numër të madh praktikuesish e simpatizuesish të tij.
Sa lloje produktesh realizoni?
Ne kemi nisur me tre artizanë që punonin me dru ulliri, pëlhurë tezgjahu dhe riciklim… Nga ajo kohë deri sot, më shumë se 190 artistë shqiptarë jo vetëm banues në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Itali apo edhe ShBA kanë ekspozuar punimet e tyre në dyqanin tonë. Secili prej tyre ka teknikë të ndryshme, përdor materiale të veçanta dhe propozon artikuj që e identifikojnë, kështu që lloji i produkteve është shumë i larmishëm. Secili artist sjell veten dhe frymëzimin e tij, duke respektuar padyshim kriteret që ne kemi vendosur në fillim të bashkëpunimit me secilin prej tyre. Stoli, orendi për shtëpi, zyra e mjedise publike, aksesorë, kartolina, lojëra, dekoracione e detaje për arredim, produkte të përkujdesit vetjak…të gjitha të realizuara në mënyrë artizanale, ku materialet e përdoruara variojnë nga argjendi, metalet e ndryshme, qeramikë, mermer, gurë natyralë, pambuk, lesh, lëkurë, shajak, letër, karton, lule e elemente natyrale ….dhe teknikat e përdorura janë nga më ndryshmet, duke gërshetuar shpesh elemente tradicionale me ato të konsumit të përditshëm e duke kërkuar që përveç të qenët suvenir apo dekoracion, të kenë edhe një përdorim funksional.
Për cilat kategori produktesh janë kërkesat më të mëdha?
Janë të larmishme, duke iu dhënë mundësi shumë artistëve që të tejkalojnë pritshmëritë e tyre fillestare e të vijojnë të krijojnë, duke përmirësuar punën e duke prodhuar çdo herë diçka të re. Padyshim, prodhimet artizanale që gjejnë përdorim në jetën e përditshme janë më të kërkuarat. Gjithashtu shohim me kënaqësi të veçantë sesi shtohet ditë pas dite numri dhe kërkesa e klientëve për artikuj, të mbështetur në elemente të traditës, por të sjella në kohë dhe për artikuj unikë e të personalizuar që identifikojnë atë që ata duan e përfaqësojnë, apo edhe ndjeshmërinë në rritje për artikujt e ricikluar.
Si ka qenë ecuria ndër vite?
Ecim mirë, rritemi e ka gjithmonë diçka për të mësuar. Duam të mos ndërmarrim hapa të guximshëm në aspektin financiar, pasi ky është një biznes i vogël që mbështetet 100% nga puna e dorës dhe simpatia e klientëve. Por ka disa shifra që na bëjnë optimiste: nëse 100 artizanët e parë i kemi kontaktuar e ndërtuar marrëdhënie biznesi me ta për një periudhë kohore gati 3-vjeçare, 90 të tjerë i janë shtuar nismës sonë vetëm në vitin e fundit. Në këto ditë, në dyqan ekspozojmë njëkohësisht punimet e tyre më shumë se 70 artizanë, mesatarisht çdo muaj 36 prej tyre krijojnë të ardhura të qëndrueshme nga shitjet në dyqan.
Katër vajza janë të punësuara për mbarëvajtjen e dyqanit. Më shumë se 80% e artizanëve tanë janë nën moshën 35-vjeçare. Numri i klientëve apo edhe vetë vizitorëve shtohet ditë pas dite, vëmendja e medias është rritur ndjeshëm ndaj punimeve artizanale, vetëm në tremujorin e fundit, ne jemi ftuar në më shumë se 10 nga emisionet me shikueshmërinë më të lartë në televizionet tona.
Organizimet nga institucionet shtetërore e private gjithashtu e kanë rritur ndjeshmërinë ndaj artizanatit në përgjithësi e atij modern në veçanti. Për herë të parë, këtë vit, Bashkia e Tiranës ka nisur veprime konkrete në nxitjen e artizanatit, duke organizuar një konkurs për krijimin e suvenirëve të qytetit, apo përpjekje për të mbështetur financiarisht prodhimin e marketimin e tyre. Këtë dhjetor, për herë të parë, artizanët kanë mundur të kenë kontrata lehtësuese për t’u bërë pjesë e sheshit kreativ në Pazarin e Ri. Pëlqejmë ta shohim gotën gjysmë plot e pjesën tjetër bosh, si mundësi e nxitje për të punuar më shumë.
Tejmbushja e tregut me prodhime të cilësisë së dobët, që jo vetëm nuk bëhen në vendin tonë, por edhe shtrembërojnë elementet e traditës, e tregtohen nën ombrellën e punimeve artizanale…
Mungesa shpesh e lëndës së parë dhe pamundësia për ta siguruar atë me larminë e mundshme në kohë të shkurtër…
Qiratë e palogjikshme në qendrën e Tiranës, ku ende është e pamundur të gjesh hapësirën e duhur për të ndërtuar gjithë atë që kemi pikësynim. Një dyqan të madh, një atelie për t’iu dhënë hapësirë artizanëve të bëjnë punën e tyre, pasi shumica punojnë në kushte shtëpie. Për të realizuar punëtori për fëmijë e të rinj që duan të mësojnë nga këto teknika, apo edhe për të nxitur turistët që të kalojnë më shumë kohë në qytet, duke u bërë vetë pjesë e prodhimit të suvenirit të tyre nga Shqipëria.
Si ju ka ndihmuar e-blerjet për këtë lloj biznesi?
Është ende shpejt të flasim për këtë. E-blerjet na ndihmojnë në sigurimin e lëndës së parë, por shumë pak në tregtimin e artikujve. Tarifat e larta të postave alternative e pasiguria apo korrektesa e dyshimtë në afate e postës zyrtare janë ende problem.
Ndonjë tendencë në veçanti?
Punimet e “Nji Mar, Nji Mrapsht” janë gjithmonë në ndryshim, nga vetë struktura e dyqanit, ku secili artizan sjell krijimet e tij. Njëkohësisht, çdo artizan reflekton në kohë të ndryshme frymëzime të ndryshme.
Në këto vite, kemi vënë re me kënaqësi interesin e klientelës për punime unike e të papërsëritshme. Kujdesi ndaj natyrës, respekti ndaj traditës, vlerësimi ndaj shprehjeve individuale të karakterit duket të jenë, fatmirësisht, gjithmonë në modë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.