Një ofertë e pazakonte e bankave për të blerë obligacionin 7-vjecar të qeverisë së fundmi e çoi normën e interesit në pikiate, duke rrezikuar t’i kthejë me risk investimet e bankave në këtë instrument.
Obligacioni 7- vjeçar u tregtua me 13 mars kundrejt një interesi fiks prej 3.75 %, me një rënie 1.27 pikë përqindje në raport me ankandin e mëparshëm, që u zhvillua në dhjetor të 2018-ës.
Interesi i obligacionit 7-vjecar ra nën nivelin e obligacionit 5 vjeçar (3.8%) dhe ju afrua nivelit të bondit 7 vjeçar në euro (3.55%).
Ekspertët nga bankat tregtare në vend shpjegojnë se shkak për këtë rënie drastike të interesit u bë oferta e pazakonte e bankave.
Qeveria kërkoi të financohej nëpërmjet obligacionit 7 vjeçar me 3 miliardë lekë, teksa bankat ofruan 8.1 miliardë lekë, me një raport mbulimi 2.7. Raportimi i mbulimit ishte mbi 2 edhe në dhjetor 2018 për të njëjtin obligacion, por në ankandet e mëparshme oferta e bankave ka qenë në nivele të ngjashme më kërkesën e qeverisë ose pak më e lartë.
Ekspertët pohojnë se nxitja e bankave për të investuar në borxhin e qeverisë lajmëron projeksionet e tyre të zymta për të kredituar ekonominë.
Drejtimet kryesore ku bankat shqiptare i investojnë kursimet e qytetarëve janë huaja për ekonominë dhe blerja e borxhit të qeverisë. Për shkak të nivelit të lartë të kredive me probleme dhe kërkesës së vakët të ekonomisë për kredi bankat kanë limituar huanë teksa kanë rritur interesin për të blerë borxhin e qeverisë.
Rritja e ofertës në ankandet e letrave me vlerë të qeverisë ka shkaktuar uljen e interesave. Ekspertët e bankave vlerësojnë me mjaft risk blerjen e një obligacioni 7 vjeçar me interes fiks 3.75%.
Në pritje të uljes së mëtejshme te normave të interesit, bankat po nxitojnë të investojnë duke ndikuar të përshpejtojnë në uljen e mëtejshme të interesave në letrat me vlerë të qeverisë.
Sipas një analize të Ministrisë së Financave në tregun primar të titujve shtetërorë, normat e interesit për pothuajse të gjithë titujt shtetërorë kanë ndjekur një trajektore rënëse përgjatë vitit 2018. Në periudhën afatmesme parashikimet e normave të interesit flasin për një rritje graduale duke filluar nga gjysma e dytë e vitit 2019.
Ministria e Financave synon të financojë borxhin e ri nga tregu i brendshëm në nivelin 20-22 miliard lekë. Përtej kësaj shume gjykohet se mund të ushtrohet presion rritës mbi normat e interesit dhe në të njëjtën kohë do të rritet më tej ekspozimin ndaj riskut të rifinancimit dhe atij të likuiditetit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.