Këto ditë, në Senë, shihen të lëvizin mbi ujë, disa objekte të çuditshëm, të bardhë dhe të heshtur.
Quhen SeaBubbles, ‘motoskafë’ të vegjël me motor elektrik, të cilët po testohen në provën e fundit, para shfrytëzimit komercial.
Koha
“Shpresojmë që shërbimi të nisë pranverën e ardhshme” – thotë bashkëthemeluesi suedez Anders Bringdal, shënues rekordesh shpejtësie në windsurf, i cili po bashkëpunon me francezin Alain Thébault për të prodhuar taksi fluturuese dhe për të marrë pjesë në garën e madhe për ndryshimin e lëvizshmërisë në Paris. Me lejen e kryebashkiakes Anne Hidalgo, e cila urrehet nga drejtuesit e makinave në qytet, por gjithsesi në krye të sondazheve për zgjedhjet që do të mbahen në mars të 2020, kryeqyteti francez po bëhet një laborator për të eksperimentuar forma të tjera transporti.
Autorizimi
Nga e hëna deri të premten, Bashkia ka dhënë autorizimin që SeaBubbles të lundrojnë mbi Senë, nga ora 8:00 deri në 10:00 të mëngjesit dhe nga ora 3:00 deri në 5:00 pasdreke. Në lundrimin e parë, taksia fluturuese u ndal menjëherë nga policia, e cila ndoshta nuk ishte lajmëruar për lejen.
“Duhet të jetë start-up nation” – tha me ironi shpikësi Thébault, duke cituar një nga sloganet e preferuar të Presidentit Macron.
“Kemi bërë një përjashtim nga rregullat, që rregullojmë lundrueshmërinë në Senë – shpjegon prefektja Magali Charbonneau, mbi tre kritere në veçanti: shpejtësia maksimale, mundësia për të parakaluar (për të gjitha mjetet e tjera është e ndaluar) dhe mundësia për të bërë një kthesë në lumë. Duam të testojmë një mjet transporti që duket interesant, pasi nuk ndot, është i heshtur dhe i shpejtë”.
Bashkëthemeluesi Bringdal thotë: “Si shumë qytete të tjera në Europë, Parisi përshkohet nga një lloj autostrade, lumi, që përdoret nga varkat e turistëve dhe anijet cargo, por mbetet thuajse bosh, ndërsa disa metra pak më lart lëvizin mijëra automjete. Me SeaBubbles, ju mund të shkoni nga një cep i Parisit tek tjetri, nga Lindja në Perëndim, në 25 minuta, jo më shumë.
Taksitë
Brenda “flluska” është plotësisht e bardhë dhe moderne. Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, në pranverë do të nisë përdorimi i tyre me këto dimensione, 4 vende, por nëse eksperimenti funksionon nga pikëpamja komerciale, Bringdal ka ndër mend që të ndërtojë një model të ri me 12 vende.
Burimi: Corriere della Sera