Bitcoin është një pasuri spekulative, por ende jo një rrezik sistematik. A ka një rast investimi për kriptomonedhën?
Tregjet financiare shumë rrallë mund t’i humbasin mundësitë për të fituar para. Kjo gjë është po aq e vërtetë sa edhe në rastin e kriptomonedhave. Tregtia e kontratave të së ardhmes së Bitcoin në Bursën e Cboe Global Markets dhe në “CME Group” filloi së fundmi. Lëvizja i dha një nxitje të mëtejshme rritjes së çmimit të monedhës dixhitale, e cila ka shënuar rritje vjetore me 1.550%.
Regjistrimi i të dhënave të tilla bën që shumë institucione të besojnë se është rasti i një flluske financiare, e cila mund të shpërthejë nga momenti në moment, shkruan The Economist. Por a ka një shembull të caktuar për të investuar në Bitcoin? Fatkeqësisht, shembujt e zakonshëm financiarë nuk mund të merren parasysh. ‘Ekuiteti’ është interesi i mbetur në pasuritë e një firme pasi janë shlyer të gjitha detyrimet. Letrat me vlerë i japin të drejtën investitorit për një seri pagesash dhe shlyerjen në maturim. Bitcoin nuk sjell para cash për pronarin. I vetmi kthim është nëpërmjet rritjes së çmimit.
Kur vlerësimi i një aktivi nuk bëhet sipas një mënyre të dukshme, është e vështirë të përcaktohet çmimi. Prandaj vlera e Bitcoin-it mund të jetë 10 dollarë, por mund të jetë edhe 100,000 dollarë.
Ndërsa investitorët përqendrohen dhe mbështeten më shumë në një skenar pozitiv të kësaj situate: po sikur çdo fond pensioni të investonte 1% të portofolit të tij në kriptomonedha? Dhe përgjigjja që vjen nga ana e mbështetësve të flaktë të Bitcoin-it, është se ajo është një lloj “ari dixhital”.
Bitcoin është jashtëzakonisht e paqëndrueshme. Sipas kodit të sigurisë nuk lejohen të krijohen më shumë se 21 milionë monedha, që e veçon Bitcoin-in nga paratë Fiat, të cilat bankat qendrore mund t’i krijojnë sipas nevojës. Megjithatë, kufizimi në furnizim është një kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm për të pasur vlerë të madhe. Edhe fotografitë e firmosura nga gazetarët e “Economist” janë të rralla por, për fat të keq, me një vlerë të papërfillshme.
Por, as furnizimi nuk është i kufizuar, sepse ekzistojnë edhe kriptomonedha të tjera. A mund t’i zëvendësojë Bitcoin monedhat e zakonshme në transaksionet e përditshme? Edhe mundet, por jo së shpejti. Kush do të donte të merrte në këmbim një monedhë që mund të rritet ose të bjerë me 20% të vlerës së saj gjatë një ore?
Gjithashtu, monedhat e vërteta përdoren për të përcaktuar si detyrimet ashtu dhe asetet. Imagjinoni për një moment shkatërrimin me të cilin do të përballeshin ata që kishin marrë një kredi biznesi në bitcoin më parë gjatë këtij viti.
Bitcoin mund të triumfojë mbi monedhat e tilla si dollari dhe euro, që i nënshtrohen hiperinflacionit, por deri më tani nuk ka tregues të një situate të tillë.
Një skenar i mundshëm është ai që teknologjia bazë e shumë kriptomonedhave, ashtu si edhe e Bitcoin, e njohur gjerësisht me termin blockchain, provon që të jetë aq e dobishme sa të bëhet gjerësisht e adoptuar edhe nga të tjerë. Nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë Bitcoin do të shndërrohej në një mjet edhe për shërbime të tjera dhe që rrjedhimisht njerëzit do të dëshironin të zotëronin disa bitcoin për t’i përdorur.
Por mbështetja kryesore e Bitcoin-it erdhi nga liberalët dhe nga ata që dëshironin të tregtonin mallra ilegalë, të tillë si droga dhe ku të gjitha lëvizjet dhe veprimet bëheshin larg syve të autoriteteve.
Anonimiteti në të cilin operon Bitcoin nuk u pëlqen shumë bankave të mëdha (ose rregullatorëve të tyre). Ata po zhvillojnë blockchain-at e tyre.
Nëse bumi i bitcoin duket si një prej trendeve më të fundit, edhe thirrjet për ta ndaluar përhapjen e saj po ecin me të njëjtin ritëm.
Rregullatorët kanë të drejtë të shohin “ofertat fillestare të monedhës”, tentativa të kompanive për të grumbulluar fonde, duke emetuar monedhat dixhitale.
Ata kanë të drejtë të paralajmërojnë investitorët e shitjes me pakicë në lidhje me rreziqet e një tregu pa vlerë të natyrshme dhe mbi të gjitha me rekurse të pakta nëse gjërat shkojnë keq.
Por është e vështirë të shihet se si kjo monedhë është burim i një rreziku sistemik. Dëmi i vërtetë ekonomik mund të ndodhë atëherë kur rënia në çmimet e aseteve është e kombinuar me përdorimin e përhapur të parasë që është huazuar, kryesisht nga bankat. Por, këto elemente nuk janë ende të pranishme.
Për ata që besojnë se kriptomonedha mund të jenë “lëvizja e radhës më e madhe”, blerja e bitcoin është si një kontratë në të cilën ju mund vetëm të paguani. Ndërsa për disa të tjerë e gjithë situata mbetet për t’u parë dhe prova e vërtetë do të jetë pikërisht, atëherë kur papritmas të lindë nevoja që të dilet jashtë nga ky treg.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.