Ngjyrat e ylberit po përhapen në shtëpitë e vogla në një lagje që dikur ish gri në kryeqytetin e Perusë, duke krijuar iluzionin optik të një murali gjigant në kodrën e San Cristobal, i cili mund të shikohet nga pika të ndryshme në të gjithë Limën.
Projekti në lagjen Letica në Limë nisi pesë muaj më parë dhe udhëhiqet nga piktorët Carla Magan e Daniel Manrique. Synimi është përmirësimi i jetës së banorëve të komunitetit, të goditur nga COVID dhe promovimi i turizmit.
“Kjo kodër konsiderohej një zonë e pasigurt në qytet. Thuhej se kjo lagje ishte e rrezikshme” – tha Manrique. – Ne vendosëm ta ndryshojmë këtë paragjykim social nëpërmjet artit”. Piktura të gjalla zbukurojnë shumë ndërtesa në lagje dhe punëtorët janë të zënë me lyerjen e shkallëve dhe mureve prej guri në nuanca të gëzueshme në të verdhë dhe portokalli. Vepra e artit, e cila ndodhet në kodrën San Cristobal, mbulon më shumë se 300.000 metra katrorë.
Projekti ambicioz ka mbështetjen e autoriteteve të bashkisë së Limës dhe një kompanie lokale pikturash, Qroma, me banorët që ndihmojnë në lyerjen e ndërtesave dhe t’i japin jetë një murali gjigant.
“Ishte përgjigjja jonë si fqinjë, banorë dhe artistë që të përpiqemi të sjellim një ndryshim në lagjen tonë nëpërmjet energjisë së ngjyrave – tha Magan – për të përmirësuar gjendjen shpirtërore të së gjithë popullatës sonë ende të prekur nga COVID-19 dhe për të ndihmuar në zhvillimin e lagjes sonë në një mënyrë të qëndrueshme”.
/ Reuters