Efekti “krizë” ka shtuar angazhimet e sipërmarrësve për një menaxhim më të mirë, duke u fokusuar në tkurrjen kostove.
Por cila është kërkesa
Sipas studimit të “Deloitte Touche Tohmatsu Limited’s” (DTTL), situata ekonomike nuk është aq e errët sa në 2008-n, kur kompanitë nuk ishin të përgatitura për rënien e tregut. Ndonëse 2012-a është ende një treg i pasigurt, disa kompani kanë bërë organizimet e nevojshme për t’u përballur me sfidat e tregut. Pasiguria vjen nga kushtet e përgjithshme të tregut dhe ecuritë e ekonomike në vende të ndryshme të botës.
Ekspertët e “Deloitte” theksojnë në studimin e tyre se kriza e borxhit në Europë nuk po shkakton vetëm vështirësi financiare, por edhe rënie të besimit mes konsumatorëve europianë e kompanive, të cilat flasin për një kërkesë të dobët të brendshme. Si kundërpërgjigje ndaj kësaj pasigurie, kompanitë janë përqendruar në uljen e kostove, por edhe në mbajtjen e të ardhurave cash për të siguruar më shumë likuiditet. Industritë e përpunimit po monitorojnë me shumë vëmendje inflacionin, por përshtypja e përgjithshme është se kostot, si për asetet fikse edhe ato variabël do të mbeten të ulëta për pjesën më të madhe të vendeve europiane. Kushtet e tregut nuk janë ende ideale, veçanërisht për shfrytëzimin e pyjeve dhe produktet e letrës.
Problemi është se riorganizimi i sektorit të përpunimit të drurit dhe prodhimit të letrës, përveç racionalizimit të kostove dhe rritjes së eficencës po prek tashmë edhe shpenzimet për punonjësit. Kapaciteti i tepërt i instaluar vazhdon të rëndojë mbi prodhuesit europianë. Një transaksion nxitës në sektor ishte blerja e kompanisë “Myllykosk” nga “UPM-Kymmene’s” (UPM). Por në të njëjtën kohë, letra për gazeta u reduktua me 1.3 milionë tonë.
Në Kinë, një prodhues e përpunues i madh i letrës, politikat për të reduktuar lëshimin e dioksidit të karbonit dhe njëkohësisht atë të rritjes së sipërfaqeve të gjelbra kanë tkurrur ndjeshëm fitimet e shumë kompanive. Shifrat zyrtare tregojnë se prodhimi i letrës dhe paketimit u rrit, por marzhi i fitimit ra për shkak të kostove më të larta të lëndës së parë (veçanërisht për materialin drusor për letër në gjysmën e parë të vitit). Në të njëjtën kohë, çmimet e produkteve të letrës në tregun botëror janë shumë konkurruese. Kontribuues në tkurrjen e përfitimeve është varësia e një tregu të tillë të madh nga importi i lëndës së parë.
Në tregun e Amerikës së Veriut, vërehet rënie e madhe e kërkesës për segmentin e letrës së papërpunuar dhe të asaj që shkon për gazetën. Kërkesa për letrën e papërpunuar është në gjendje më të mirë se në vitin 2007. Sipas të dhënave të tregut, letra gjysmë e përpunuar ra 3% vjet, nga 6% në vitin 2007.
Amerika e Jugut vijon të shënojë rritje, por me ritme të vogla.
Për sa kohë ka një kapacitet të konsiderueshëm që nuk vihet në punë në Europë e Azi, rritja modeste e kërkesës nuk do të nxisë prodhimin.
Parashikimet për 2013-n dhe vitet e ardhshme janë pozitive dhe prodhuesit e letrës po fillojnë të përgatiten për këtë. Në nxitje të kësaj, në disa vende po ngrihen plantacione të tëra për prodhimin e drurit të letrës si në Brazil, Kili, Argjentinë dhe Uruguai. Në Argjentinë, për shembull, janë 1.8 milionë hektarë pyje që shfrytëzohen për drurin e letrës dhe rreth 4.5 milionë hektarë tokë në dispozicion për t’u pyllëzuar.
Në vendin tonë, përpunimi i letrës është vetëm i pjesshëm. Përpunohet lëndë e parë e importuar ose kartoni i ricikluar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
,