Skandali i pesticideve te trangujt ngre pikëpyetje të mëdha mbi çfarë konsumojmë. Ministria e Bujqësisë konfirmon se pesticidi është nën normën e BE-së, por megjithatë Mali i Zi vijon të mbajë të bllokuar eksportet shqiptare.
Eksportet e trangullit përbëjnë 16% të totalit të eksportit të perimeve shqiptare jashtë vendit. Me një vlerë prej afro 90 milionë lekësh, ndalimi i tyre dëmton ndjeshëm ekonominë e fermerëve lokalë
Nga Laura Çela
Përdorimi i pesticideve dhe hormoneve në produktet bujqësore pa kriter vijon të mbetet jashtë kontrollit dhe vëmendjes së autoriteteve përkatëse. Bllokimi i një sasie të madhe kastraveci në doganën e Hanit të Hotit nga qeveria e Malit të Zi që ishte importuar nga Shqipëria ishte një tjetër sirenë alarmi për produktet bujqësore shqiptare.
Kjo tendencë për përdorimin e pesticideve ka prekur prej kohësh jo vetëm perimet, por edhe frutat dhe zarzavatet.
Ekspertët japin alarmin për sasinë e përdorimit të pesticideve dhe hormoneve nga fermerët në produktet bujqësore. Ata deklarojnë se rasti i bllokimit të kastravecit në doganë është një sinjal i qartë për Ministrinë e Bujqësisë dhe strukturat vartëse për të reaguar menjëherë.
Analizat treguan se sasia e spiroxamine, një pesticid që lufton sëmundjen e hirit, e gjetur në kastravecët e bllokuar nga Mali i Zi, është poshtë nivelit maksimal të lejuar nga BE, që do të thotë poshtë nivelit 0.05 miligramë për kg, që është norma e gjurmimit me standardet e BE dhe më poshtë se kjo shifër, nuk regjistron aparatura.
Analizat për praninë e pesticidit spiroxamine janë bërë mbi mostrat e kastravecëve të marrë direkt nga vendi i origjinës, pra në serat e kompanisë së cilës i është ndaluar sasia e produktit në pikën kufitare të Hanit të Hotit (Mali i Zi). Analizat u kryen nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, (institucion në varësi të Ministrisë së Bujqësisë), si e vetmja qendër reference në vend, e certifikuar dhe akredituar ndërkombëtarisht për disa analiza laboratorike.
Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, SHBA dhe Britania e Madhe kanë të përcaktuar në mënyrë fikse, nivelin e spiroxamine-s, që duhet të jetë në masën 0.1 mg për kg.
Spiroxamine është certifikuar nga BE dhe ka dalë në treg në vitin 2011. Ajo përdoret për të luftuar sëmundjen e hirit tek hardhia dhe drithërat, por nuk e ka në spektrin e saj këtë sëmundje tek perimet. Për më tepër, sipas ekspertëve, kjo sëmundje nuk zhvillohet në këtë stinë.
Peshë e rëndësishme tek eksportet
Perimet kanë shënuar gjatë viteve të fundit një rritje dinamike të eksporteve në tregjet e huaja, kryesisht drejt atyre të rajonit.
Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, kastraveci zë një peshë të rëndësishme të eksporteve në perimet shqiptare.
Gjatë vitit të kaluar, ai përbënte rreth 16% të eksporteve të perimeve.
Në vlerë, këto eksporte kanë arritur në afro 90 milionë lekë, duke përbërë kështu një sasi të konsiderueshme të ardhurash për fermerët vendas. Lajmi se këto eksporte mund të bllokohen përkohësisht përbën një lajm shumë negativ për fermerët lokalë.
Në total, në vitin 2012 janë prodhuar rreth 630 mijë tonë kastravecë me një rritje prej 20% kundrejt një viti më parë.
Perimet, ku përfshihen edhe kastravecët, prodhohen kryesisht në të njëjtën zonë, në Lushnjë (shih tabelën Sipërfaqja, rendimenti dhe prodhimi i trangullit në sera).
Kundrejt vendeve të tjera fqinje, vendi ynë ka kushte shumë më të favorshme klimaterike, por ndërkohë fermerët vendas konkurrojnë edhe me çmime të ulëta.
Në Shqipëri, prodhimi bëhet më shpejt për shkak se ka më shumë orë diell në vit dhe si rrjedhojë, kostoja është më e ulët përkundrejt atyre vendeve ku ndërhyhet artificialisht për të arritur parametrat e caktuar që iu referohen prodhimit në sera.
“Të mbështesim bio-n”
Në këto kushte, përfaqësuesit e prodhimeve “bio” në vend e shohin si prioritare vënien në qendër të vëmendjes së qeverisë së këtij lloj prodhimi. Iris Kazazi, drejtuese e Shoqatës Shqiptare të Marketingut, thotë se për kushtet shumë të favorshme klimaterike dhe për nivelin ende në norma të ulëta të pesticideve dhe hormoneve, qeveria duhet të hartojë një plan të qartë për mbështetjen e këtyre produkteve.
“Duhet shumë më tepër mbështetje për këtë sektor kaq potencial në vend. Deri më sot ka përpjekje kryesisht nga shoqata dhe donatorë huaj, por shumë pak nga qeveria. Është pozitiv gjithsesi fakti që qeveria e re ka plane të qarta për promovimin e këtij sektori, që përkthehet në vlerë të shtuar për bujqësinë dhe fermerët vendas”, thotë znj. Kazazi.
Sipas përfaqësuesve të bujqësisë bio është fakt se në treg nuk ka një kontroll mbi prodhimet bujqësore, mbi përmbajtjen dhe nivelin e kimikateve tek to. Mungesa e kontrolleve nga institucionet të caktuara për ta bërë këtë punë, prej shume vitesh ka krijuar hapësirë abuzive, e nxitur nga padituria dhe “lakmia” e fermerëve për të pasur një prodhim të shpejtë dhe të shumtë.
Dëmet e mundshme
Në perime, pesticidi duhet përdorur tre javë para vjeljes në momentin që duhet të jetë e detyrueshme, sidomos në fazat e para bimore. Nuk mund të përdoret në fazën tre javë para vjeljes. Vërtet është problematike si vlerë, 0.05 njësi për kg është një shifër që e ka përcaktuar BE-ja.
Në lidhje me efektet që mund të ketë në organizmin e njeriut kjo substancë, mjekët thonë se kjo dozë nuk përbën një shqetësim. Nëse merret nga njerëzit, organizmi i tyre ka aftësinë që pas 14 orësh ta eliminojë në mënyrë të menjëhershme ngaqë kastraveci ka një sasi të madhe uji në përbërje.
Kur kapet pesticidi me një sasi 20 miligramë për kilogram, efektet janë shumë të dukshme. Ndërkohë, që diferenca është 0.09 dhe kjo është shifër shumë e vogël.
Rreziku qëndron në marrjen e sasisë së lartë të këtij pesticidi.
Efektet negative që sjell ky lloj pesticidi në qoftë se merret në sasi të mëdha mbi normat e lejuara sipas BE-së, 005 miligram për kilogramë, lidhen me sëmundjet neurotoksike që prekin nervat. Mund të japin paraliza të pjesshme, mosfunksionim të mirë të nervave.
Praktikat bujqësore që zbatohen kanë disa parametra që duhet të zbatohen në kultivimin e produkteve bujqësore të vendosura sipas legjislacionit të BE-së. Ky rast, sipas ekspertëve, është një ngacmim që i bëhet shtetit tonë në zbatimin e praktikave të mira bujqësore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.