Thellohet dhe më tej konflikti mes kompanisë shpërndarsë të energjisë CEZ dhe qeverisë shqiptare, duke e bërë të pashmangshëm largimin e kompanisë çeke nga vendi. Në fletoren e fundit zyrtare, qeveria ka miratuar disa vendime që kanë kundër CEZ, ndërkohë që favorizojnë operatorin shtetëror KESH.
Qeveria shqiptare, në fletoren e fundit zyrtare ka miratuar vendimin për ndëshkimin me gjobë të “CEZ Shpërndarje” në masën 1 % të të ardhurave vjetore të vitit paraardhës që i korrespondojnë vlerës 430 milionë lekë për mosprokurimin e energjisë elektrike për mbulimin e të gjitha humbjeve në sistemin e shpërndarjes për vitin 2012. Ky vendim, sipas qeverisë u mor pasi është konstatuar që “CEZ Shpërndarje” ka shkelur kuadrin ligjor në fuqi.
Ndërkohë, në një tjetër vendim, Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), pasi shqyrtoi kërkesën për lënien peng të aseteve si kolateral nga shoqëria “CEZ Shpërndarje” sh.a., pranë bankave IFC/EBRD, si dhe relacionin e grupit të punës vendosi “Refuzimin e kërkesës së shoqërisë “CEZ Shpërndarje” sh.a., për miratimin e një marrëveshje hipotekore ndërmjet “CEZ Shpërndarje” sh.a. dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), në kuadër të huas bankare prej 100 milionë eurosh të marra nga kompania “CEZ Shpërndarje” sh.a.”
Në të tjera zhvillime, Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka vlerësuar se akti normativ i buxhetit të shtetit i marrë pak ditë më parë, që synon lëshimin e letërgarancisë së qeverisë në favor të ndërmarrjes KESH sh.a., me qëllim lehtësimin e likuiditeteve të nevojshme për të bërë pagesën e faturave të importit të energjisë nuk konsiderohet si ndihmë shtetërore. Nga ana tjetër, mbështetja buxhetore i jepet KESH sh.a., në një shumë prej 4.5 miliardë lekësh, në mënyrë që të marrë kredi nga bankat me kosto sa më të ulëta, për të përballuar nevojën që ka për import të energjisë elektrike, nuk jep efekte në deformimin e konkurrencës. Kjo për faktin se duke qenë se furnizuesi publik me shumicë, pjesë e KESH sh.a., është i vetmi subjekt i licencuar në vend, i cili ka detyrimin të blejë energji elektrike nga gjenerimi publik, prodhuesit e pavarur të energjisë elektrike apo prodhuesit e vegjël të energjisë elektrike dhe tregtuesit, për nevojat e klientëve tariforë.
Furnizuesi publik me shumicë të sigurojë të gjitha furnizimet e disponueshme, përfshirë importet, për të shmangur kufizimin e ngarkesës duke blerë energji elektrike nga PVE-të2 dhe PPE-të3 me çmim të rregulluar, të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë dhe po me çmim të rregulluar, të miratuar nga ky ent, ia shet energjinë elektrike “CEZ Shpërndarje” sh.a./furnizuesit publik me pakicë, për furnizimin e konsumatorëve tariforë.
2 “PVE”- prodhuesi u vogël i energjisë elektrike i lidhur në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike.
3 “PPE”- prodhues i pavarur i energjisë elektrike i lidhur në sistemin e transmetimit së energjisë elektrike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.