Rruga e reformimit rrënjësor të Arsimit të Lartë fillon nga krijimi i strukturës përkatëse që inicion dhe zhvillon metodën e vlerësimit të botimeve shkencore në universitet, jo vetëm për të matur vlerat dhe meritat akademike të docentëve apo punonjësve shkencorë, por sidomos në ndarjen e fondeve të përcaktuara për kërkimin shkencor.
Nga Florida Misha*
Ruajtja e standardeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) nuk është një punë e lehtë. Rritja e cilësisë së arsimit mbetet një sfidë e përditshme dhe pjesë e një debati të vazhdueshëm, sepse, “arsimi është politika më e mirë ekonomike”. Është një sfidë që fillon, por nuk mbaron me skanimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë. Është koha të flitet për shkencën, kërkimin shkencor, produktin shkencor dhe nevojën jetike të tyre.
Trendi i përgjithshëm
Në shumicën e vendeve të OECD-së, ka rritje në efikasitetin e mbështetjes së kërkimit shkencor nga ana e qeverive përkatëse. Qeveritë e kanë të domosdoshëm një vlerësim sistematik për optimizimin, rialokimin dhe racionalizimin e fondeve për kërkimin shkencor, që u jepen universiteteve, apo instituteve të kërkimit. Në shumë nga këto vende përdoret bibliometria për të vlerësuar rezultatet e kërkimit shkencor, punën e kryer nga departamentet e fakulteteve dhe institutet e kërkimit, me anë të botimeve shkencore, si në nivelin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Kjo ka sjellë që metoda bibliometrike për kërkim të fitojë shumë terren, (madje në shtete si Finlanda, është sanksionuar në Kushtetutën e vendit). Kjo për shkak të bazave të të dhënave në dispozicion, ndërtimin e treguesve dhe shkallën e aplikimit.
Politikat e kërkimit dhe menaxhimi
Në shkallë kombëtare, në disa vende, treguesit bibliometrikë janë përdorur për përllogaritjen e parametrave në formulat e financimit dhe ndarjes së fondeve për kërkimin shkencor;
Në kuadrin e globalizimit të mësimdhënies dhe kërkimit, të domosdoshmërisë që universitetet të konkurrojnë me njëri- tjetrin në një treg ndërkombëtar, zyrtarët e politikave kërkimore dhe menaxherët, por edhe vetë publiku, e ka të nevojshëm informacionin objektiv në lidhje me performancën kërkimore – shkencore të institucioneve të arsimit të lartë;
Në nivel institucional dhe të departamenteve, treguesit bibliometrikë janë përdorur si mjete për analizën krahasuese ndërkombëtare, për vlerësimin e kërkimit shkencor në rang vendi, institucionesh, departamentesh, revistash shkencore dhe individuale. Ata nuk janë thjesht instrumente vlerësimi, menaxhimi dhe krahasimi kombëtar dhe ndërkombëtar, por edhe mjete të marketingut në drejtim të publikut të gjerë, (për shembull, pozita e një universiteti në renditjen e universiteteve botërore).
Botimet akademike
Botuesit e artikujve shkencorë shkollorë, i botojnë ato online. Shembuj tipikë janë Elsevier’s ScienceDirect dhe Springer’s Springerlink. Gjithmonë e më shumë artikujt shkencorë janë të qasshëm pa pagesë në World Wide Web. Modelet e botimeve shkencore “Open Access” po rriten gjithnjë e më shumë. Gjithnjë e më shumë institucionet e arsimit të lartë po krijojnë sisteme institucionale të kërkimit shkencor, duke përfshirë edhe të dhëna për botimet shkencore të universiteteve, departamenteve të tyre, të stafit akademik. Indekset gjithëpërfshirëse të citimeve të Thomson Reuters (Web of Science (WoS)), Elsevier (SCOPUS) dhe Google (Google Scholar) janë konkurrentët e vërtetë.
Kërkimi shkencor? Një term i huaj për Shqipërinë
Deri pak kohë më parë, Shqipëria numëronte 59 universitete dhe shkolla të larta (15 publike, 44 private), një Akademi të Shkencave, një Qendër të Studimeve Albanologjike dhe rreth 20 qendra të tjera të emërtuara për kërkimin shkencor. Për një vend me vetëm 2.8 milionë banorë, aktiv bilanci numerik i institucioneve të shkencës dhe dijes është më se i mjaftueshëm, madje shumëfish më i lartë sesa vende të tjera më të zhvilluara europiane. Referuar numrit të banorëve, Shqipëria kishte 8-15 herë më shumë universitete sesa Britania e Madhe dhe Austria, – dy ish-perandori të njohura për sukseset dhe arritjet shkencore e kulturore përgjatë historisë.
Nëse një reformë e arsimit dhe shkencës pritet të ketë sukses, varet nga tri faktorë: baza ligjore e organizative, kapaciteti profesional dhe buxheti në dispozicion.
• Buxheti ynë për arsimin dhe shkencën nuk ka kaluar asnjëherë 3% të PBB, kur standardi i vendeve të zhvilluara dhe në zhvillim është minimumi 5%.
• Shpenzimet tona direkte për arsimin e lartë e kërkimin shkencor kufizohen në 0.4-0.6% të PBB, ndaj 1-3% e mesatares së vendeve të OECD.
• Çdo vend i rajonit tonë ka përqindje më të lartë financimi sesa Shqipëria. Nga ana tjetër, asnjë vend rajonal nuk ka bërë më shumë ndërhyrje e ndryshime përgjatë dekadës së fundit në sistemin e arsimit të lartë sesa Shqipëria.
Kur analizohen të dhëna dhe tregues të tillë vazhdimisht lihet mënjanë një aspekt tjetër me rëndësi: institucionet tona universitare janë mësimdhënëse, jo kërkimore shkencore. Në database-n e botimeve shkencore rajonale dhe evropiane, Shqipëria nuk përmendet, nuk raporton asgjë, nuk është pjesë e projekteve me rëndësi dhe nuk ka potencial ndryshimi e konkurrence. (Fjala vjen, Maqedonia ka fituar 80% më shumë projekte sesa Shqipëria, Serbia 90%, Rumania 120% më shumë, Sllovenia 130% etj.)
Ne jemi nga vendet e vetme ku fitimi nga projektet ka qenë më i pakët sesa vlera e taksës vjetore të anëtarësisë në konkurrim, pra që rezulton me humbje dhe që negocion me të tjerët mbulimin e humbjes. (Nga një analizë e detajuar e katër universiteteve më të mëdha publike në vend rezulton se, gjatë 3-4 viteve të fundit, secili prej tyre ka “djegur” fondin e kërkimit shkencor).
Në arkivin shkencor në Bibliotekën Kombëtare gjatë 4-7 viteve të fundit nuk është raportuar dhe as shënuar asnjë, absolutisht asnjë projekt me rëndësi shkencore që vjen nga bota akademike dhe universitare. 90% e titujve janë botime me theks personal, nisma institucionale, pasqyrim i dokumenteve arkivore apo raporte rutinë administrativë, pa ndikim e risi në shkencë, në shoqëri dhe në bilancin shkencor e kulturor të Shqipërisë. Përjashtim minimal përbëjnë disa degë specifike që lidhen me arkeologjinë, gjuhën apo kulturën shqiptare, – edhe këto larg standardeve që trashëguam nga Çabej, Riza dhe emra të tjerë shkencëtarësh që nuk jetojnë më.
Një vend pa shkencë është një i sëmurë pa mendje, – jeton, ushqehet, lëviz, flet, grindet, kërcen, këndon, bën plazh, përdor edhe FB apo Twitter por nuk ka vizion, maturi, integritet, ndërgjegje, moral qytetar dhe as aftësi të dallojë vlerën nga antivlera.
Kërkimi shkencor
Kërkimi shkencor duhet të përcaktohet si baza e arsimit të lartë dhe e edukimit, si motor i inovacionit, i konkurrencës dhe i cilësisë së mësimdhënies. Është e gjithëpranuar teza, sipas së cilës “nuk mund të ndahet edukimi nga kërkimi shkencor” dhe se kërkimi është një element i domosdoshëm, që sjell përparimin e një vendi.
Kërkimi shkencor duhet të përcaktohet si baza e arsimit të lartë dhe e edukimit, si motor i inovacionit, i konkurrencës dhe i cilësisë së mësimdhënies. Është e gjithëpranuar teza, sipas së cilës “nuk mund të ndahet edukimi nga kërkimi shkencor” dhe se kërkimi është një element i domosdoshëm, që sjell përparimin e një vendi.
Universitetet, edhe te ne, duhet të konsiderohen si institucionet më të përshtatshme për zhvillimin e kërkimit shkencor. Dhe kjo, për dy arsye kryesore: a) Lidhja e drejtpërdrejtë e kërkimit shkencor me procesin e mësimit; b) Integrimi i kërkimit me një institucion që është më afër tregut të punës së cilido tjetër.
Nga ana tjetër, kërkimi shkencor nuk mund e nuk duhet të bëjë pa komunikimin shkencor. “Komunikimi shkencor është term, i cili përdoret për të shpjeguar mënyrën se si hulumtuesit/kërkuesit, pasi kanë bërë kërkime, i publikojnë dhe i shpërndajnë rezultatet e hulumtimeve/kërkimeve të tyre, për t’i vënë në dispozicion të kolegëve të tyre, hulumtuesve të tjerë, komunitetit akademik dhe arsimor, madje edhe më gjerë. Por, ky proces përfshin edhe të drejtat e autorit, procesin e shqyrtimit të artikujve nga departamentet, kolegët, burimet ekonomike të universiteteve, modelet e reja të publikimit (si qasja e hapur, [open access] dhe depot institucionale), të drejtën për qasje në projektet e financuara nga qeveria, si dhe ruajtjen e aseteve intelektuale.
Puna kërkimore konkretizohet me botimet shkencore të botuara dhe në cilat revista prestigjioze janë botuar. Por, për të matur këto output-e, hyn në lojë bibliometria.
Bibliometria në ditët e sotme po merr rëndësi gjithmonë e më të madhe dhe kjo falë zhvillimit të teknologjive moderne të informacionit, si dhe politikave gjithmonë e më angazhuese për kërkimin shkencor. Duke qenë se është një metodë sasiore dhe cilësore, që mbështetet në përllogaritjen e botimeve, si dhe të elementeve të nxjerra nga bibliografitë, bibliometria bëhet jo vetëm garant i rezultateve objektive të këtyre përllogaritjeve, por sidomos një mjet shumë i efektshëm për vlerësimin e kërkimit shkencor, pasi qëllimi kryesor i saj është të “gjurmojë” sasinë dhe cilësinë e botimeve të autorëve të ndryshëm në një fushë të caktuar të kërkimit shkencor.
Treguesi më i njohur bibliometrik është Impakt Faktori, (IF), i cili jepet nga raporti midis numrit të citimeve të marra gjatë një viti të caktuar prej një artikulli të botuar nga revista gjatë dy viteve të fundit, si dhe nga totali i artikujve të botuar në revistë gjatë dy viteve të fundit të marra në analizë.
Vlerësimi i botimeve shkencore është një strategji që qeveritë dhe universitete të vendeve të ndryshme në botë e përdorin jo vetëm për të matur vlerat dhe meritat akademike të docentëve apo punonjësve shkencorë, por sidomos në ndarjen e fondeve të përcaktuara për kërkimin shkencor. Domosdoshmëria për të matur veprimtarinë shkencore të një institucioni, duke përllogaritur punimet shkencore të botuara, solli detyrimisht edhe lindjen e treguesve për revistat që botojnë këto punime shkencore. Pikërisht këta tregues përdoren nga bibliometria (aspak ose fare pak e njohur në Shqipëri), për të vlerësuar nga ana sasiore dhe me anë të modeleve matematikore e statistikore, prodhimtarinë e dokumenteve, përdorimin e tyre, peshën ose faktorin e impaktit në shoqëri dhe në komunitetin shkencor.
Çfarë kriteri duhet të përdorin universitetet për vlerësimin e kërkimit shkencor?
Ai më kryesori është origjinaliteti, risia, metodologjia dhe rëndësia që këto botime i sjellin komunitetit shkencor dhe vendit përkatës, por të gjitha këto së bashku lidhen edhe me faktin se sa ndikim kanë këto botime në komunitetin shkencor vendas dhe ndërkombëtar. Për të vlerësuar impaktin në komunitetin ndërkombëtar hyn në lojë banka e të dhënave bibliografike botërisht të njohura si Web of Science, Scopus, ISI, Hirch index. Në vendin tonë, së pari, duhet të jenë bibliotekat universitare ato që duhet të krijojnë bazën e të dhënave të botimeve të profesoratit.
Në studimin me temë: “Krahasimi i botimeve shkencore në universitetet teknike, publike dhe private, në Shqipëri”, (të autores së këtij shkrimi – i vetmi studim i bërë deri tani në Shqipëri), duke përdorur metodën bibliometrike, u analizuan artikujt shkencorë, të botuar nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe tri universitete private të të njëjtit profil. Të dhënat u morën nga Buletini Shkencor, botuar nga UPT, si dhe nga Web of Science (Thomson Reuters), http://isiknowledge.com.
U analizuan artikujt shkencorë në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze, të botuara këto të fundit në revista të ndryshme shkencore të huaja, në bazë departamentesh, fakultetesh, artikujt me një, dy, tre dhe me më shumë autorë, si edhe revistat ku janë botuar.
Rezultatet: Universiteti Politeknik kishte 55 artikuj në gjuhën shqipe dhe më abstrakt në anglisht, nga të cilët vetëm 10 prej tyre me një autor, pjesa tjetër janë me tre ose katër autorë. Fakultetet më prodhimtare, Inxhinieria e Teknologjisë së Informacionit dhe Inxhinieria Elektrike, me nga 15 artikuj secili. Për sa u takon departamenteve, ai i elektronikës dhe telekomunikacionit, si dhe ai i sistemeve elektrike të fuqisë. Ajo që bie në sy është numri i artikujve të botuar në revistat e huaja, 120, nga të cilët vetëm gjashtë me një autor, të tjerët janë me më shumë se gjashtë autorë. Mungesa e fondeve, i ka detyruar profesorët të gjejnë vetë financime dhe bashkëpunime, sidomos me profesorë të huaj, gjë që ul edhe kostot e botimeve.
Nga studimi ka dalë, se në artikujt me bashkautorë, shumica e tyre janë të huaj. Studimi tregon se 96,5% e artikujve realizohen me bashkautorë të huaj, vetëm 3,5% realizohet me financimin e vetë profesorëve. Megjithatë, janë shumë pak artikujt e botuar nga profesorët e një universiteti publik, (i krijuar më 1957-n) që ka 372 profesorë, nga të cilët: dy akademikë; 54 profesorë, 53 asistentë profesorë, 70 doktorë, 22 lektorë, 171 asistentë lektorë (të dhëna të marra nga zyra e statistikave të UPT-së për vitin 2012-2013). Për sa u takon citimeve të artikujve shkencorë të botuar nga profesorët e UPT, për periudhën e lartpërmendur, treguesi është zero. Për sa u takon revistave ku janë botuar vetëm 2% e tyre, bën pjesë në elitën e revistave shkencore. Ndërsa Epoka University, (i krijuar në 2007-n), ka trefishin e botimeve cilësore shkencore, të gjitha të indeksuara në Web of Science.
a) Rruga e reformimit rrënjësor të Arsimit të Lartë fillon nga krijimi i strukturës përkatëse që inicion dhe zhvillon metodën e vlerësimit të botimeve shkencore në universitet, jo vetëm për të matur vlerat dhe meritat akademike të docentëve apo punonjësve shkencorë, por sidomos në ndarjen e fondeve të përcaktuara për kërkimin shkencor.
b) Kërkimi shkencor nuk mund të bëjë pa komunikimin shkencor. Nevojitet aplikimi i bibliometrisë si një metodë kërkimore e përdorur në shkencën e bibliotekave dhe të informacionit, e cila përdor analiza dhe statistika sasiore për të përshkruar shpërndarjen e botimeve të autorëve sipas një teme, fushe, institucioni apo vendi të caktuar. Punonjësit e bibliotekave duhet të përgjigjen me shërbime të reja në dy fusha: në bibliometri dhe në menaxhimin e të dhënave të kërkimit.
c) Universitetet publike në Shqipëri i kanë mundësitë që, në strukturat e tyre të reja, të organizojnë aplikimin e bibliometrisë, për të vlerësuar rezultatet e kërkimit shkencor, punën e kryer nga departamentet e fakulteteve dhe institutet e kërkimit, me anë të botimeve shkencore, si në nivelin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Kjo është vlerë e shtuar për universitetin dhe marketim i drejtpërdrejtë për të.
Doktorante në Shkencën e Informacionit dhe të Bibliotekave
Fakulteti i Arteve – Universiteti i Lubjanës, Slloveni
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.