Shoqata Shqiptare e Bankave ka reaguar pas situatës së fundit të krijuar me arrestimin e ish guvernatorit Ardian Fullani dhe 18 personave të tjerë, lidhur me vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë.
Në një njoftim zyrtar për shtyp të Shoqatës së bankave thuhet: “Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit që kanë përfshirë Bankën e Shqipërisë, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në emër të gjithë bankave anëtare të saj, dëshiron të risigurojë publikun dhe të gjithë depozituesit dhe klientët se funksionimi dhe stabiliteti i bankave tregtare në vend nuk janë cënuar.
Siç reflektohet edhe nga pasqyrat financiare, të cilat AAB i ka publikuar vazhdimisht, sistemi bankar shqiptar mbetet likuid, i mirë kapitalizuar, me një rritje të vazhdueshme dhe një performancë të qëndrueshme.
AAB dhe bankat anëtare të saj do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me Bankën e Shqipërisë, si dhe institucione të tjera financiare kombëtare dhe ndërkombëtare, për të siguruar ruajtjen e stabilitetit financiar në vend”, përfundon njoftimi i Shoqatës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.