Komisionit do t’i duhet të përcaktojë detajet me qeveritë kombëtare të BE-së dhe Parlamentin Europian përpara se rregullat të hyjnë në fuqi
Rregullat e Komisionit Europian do të ndalin “sistemet e Inteligjencës Artificiale, të cilat konsiderohen kërcënim i qartë për sigurinë, jetesën dhe të drejtat e njerëzve”.
KE do të propozojë edhe rregulla më të ashpra mbi përdorimin biometrik – si njohja e fytyrës, e cila përdoret nga forcat e rendit, që do të kufizohet. Shkelja e rregullave do të çojë në gjoba deri në 6% të xhiros globale. Për kompanitë më të mëdha, kjo shifër mund të arrijë në miliarda. Komisioneri europian për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton, tha se rregullat do të ndihmojnë 27 shtetet e Bashkimit Europian që të marrin përfitimet e teknologjisë në të gjithë rrjetin.
“Kjo ofron një potencial të madh në fusha të ndryshme si shëndetësia, transporti, energjia, bujqësia, turizmi ose siguria kibernetike”, tha ai. Aktivistët e të drejtave civile dhe dixhitale kërkojnë ndalimin e plotë të mjeteve biometrike të mbikëqyrjes masive, si sistemet e njohjes së fytyrës, për shkak të shqetësimeve në lidhje me rreziqet e privatësisë dhe të drejtave themelor, si dhe abuzimit të mundshëm të Inteligjencës Artificiale nga regjimet autoritare.
“Të drejtat themelore”
Komisionerja europiane për Dixhitalizimin, Margrethe Vestager, tha: “Tek Inteligjenca Artificiale, besimi është i domosdoshëm, jo diçka e mirë për t’u pasur”.
BE po punon mbi “rregulla të reja globale” për IA. Në lojë janë siguria dhe të drejtat themelore të qytetarëve europianë – tha ajo. Këto rregulla do të përballen me një proces të gjatë miratimi dhe nuk janë përfundimtare.
“Rreziku i lartë”
Shumë nga idetë bazë, të cilat u zbuluan javën e kaluar, para njoftimit, shfaqin shqetësimin e komunitetit të teknologjisë, që mund të ndalë inovacionin.
“Sistemi i propozuar nga Komisioni Europian nuk përshtatet mirë me pjesën më të madhe të komunitetit” – tha Nikolas Kairinos, drejtues ekzekutiv i Soffos.ai, i cili krijon një Inteligjencë Artificiale për trajnimin e punonjësve në biznese. “Cilësimet e përgjithshme si ‘rrezik i lartë’ nuk janë të dobishme”.
“Qasja e dyfishtë ndaj rregullores, e cila mbikëqyret nga individë të cilët nuk kanë një njohje të thelluar të teknologjisë së Inteligjencës Artificiale, vështirë se do të ngjallë besim”.
Herbert Swaniker, ekspert i teknologjisë në studion ligjore Clifford Chance, tha se gjobat e rënda të propozuara i japin rregullores së Inteligjencës Artificiale më shumë pushtet dhe janë “jashtëzakonisht ambicioze” në fushën e veprimit. “Ka shumë punë për t’i përmirësuar disa nga këto koncepte” – tha ai.
“Gjobat janë një gjë – por si do t’i përballojnë prodhuesit kostot shtesë dhe kontributin njerëzor të nevojshëm për ta bërë pajtueshmërinë një realitet?”
“Propozimet do të detyrojnë prodhuesit të rimendojnë thellësisht mënyrën se si Inteligjenca artificiale blihet dhe konceptohet”. Normat do të rregullojnë atë për të cilën Inteligjenca Artificiale përdoret, më shumë se sa vetë teknologjinë – tha Vestager. Por “sistemet apo aplikacionet e Inteligjencës Artificiale, që manipulojnë sjelljen njerëzore duke anashkaluar vullnetin e lirë të përdoruesve”, hyjnë në kategorinë “rrezik i papranueshëm”.
Ata që veprojnë në fusha me rrezik të lartë – të tilla si infrastruktura kombëtare, arsimi, punësimi, financat dhe zbatimi i ligjit – do të përballen me një seri pengesash përpara se të mund të përdoren. Komisionit do t’i duhet të përcaktojë detajet me qeveritë kombëtare të BE-së dhe Parlamentin Europian përpara se rregullat të hyjnë në fuqi. Procesi mund të zgjasë më shumë se një vit.
Burimi: BBC