Në vitin 2015, numri i sipërmarrjeve të reja që u regjistruan arriti në mbi 39 mijë, duke shënuar një shifër rekord. Aksioni antiinformalitet që ndërmori qeveria vuri në lëvizje kryesisht bizneset e vogla, që nxituan të dilnin në “dritë”. Për herë të parë do të mundësohej edhe regjistrimi online, që do të reduktonte ndjeshëm radhët e gjata që krijoheshin çdo ditë pranë sporteleve. Megjithatë, rritje pati edhe numri i bizneseve që u mbyllën dhe u pezulluan.
Ndërsa në prill pritet të nisë funksionimi i Qendrës Kombëtare të Biznesit, ku parashikohet shkrirja e QKR-së dhe QKL-së dhe ofrimi i një sërë shërbimeve në një ndalesë. Bashkimi i këtyre institucioneve nuk do të prekë asnjë funksion që ofrohet aktualisht. Faza e parë ka të bëjë me bashkimin administrativ, ndërsa në të dytën do të rishikohen shërbimet dhe ku nuk përjashtohet edhe mundësia e reduktimit të lejeve/licencave, si dhe shtimit të aplikimeve të reja, kryesisht elektronike.
Nga Elona Bedalli
Vendimi i qeverisë “Rama” në fund të korrikut të vitit të shkuar për nisjen e aksionit kundër informalitetit vuri në lëvizje biznesin që rrinte “fshehur” (kjo edhe sepse u përmend fjala burg). Në fillim, fjala e qeverisë nuk u mor shumë seriozisht, por me ardhjen e vjeshtës radhët për t’u regjistruar në sportelet e QKR-së krijoheshin që pa zbardhur dita. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore që çoi në një “bum” regjistrimesh fillestare. Sipas të dhënave zyrtare të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, për vitin 2015, numri i bizneseve të reja të regjistruara arriti në 39,650 subjekte ose rreth 137% më shumë në krahasim me vitin e mëparshëm. Rritja kulmoi në muajin shtator, ku numri i bizneseve fillestare arriti në rreth 18,000.
Të dhënat tregojnë se pas Tiranës (15,250 biznese), qytetet me rritjen më të madhe të numrit të bizneseve fillestare ishin Dibra (rritja 270%), Elbasani (rritja 260%) dhe Fieri (217%).
Shifrat flasin pozitivisht edhe sa i përket rritjes së prezencës së bizneseve me pronësi të huaj. Në 2015-n u regjistruan rreth 12% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i degëve të huaja për të njëjtën periudhë u rrit me rreth 6% dhe po kaq edhe prezenca e biznesit me pronësi shqiptare – e huaj.
Edhe bizneset në pronësi të grave shënuan rritje. Sipas të dhënave të QKR-së, numri i bizneseve të reja të zotëruara nga femrat u rrit shtatë herë në krahasim me vitin 2014. Gjatë vitit të kaluar, ato zunë 34.2% të totalit të bizneseve të reja, nga rreth 12% që zinin në 2014-n.
Në të gjithë territorin e vendit numërohen 34 sportele, ku rreth 42% e veprimeve kryhen në zyrat e Tiranës.
Vitin e kaluar, numri i shërbimeve të realizuara nga QKR-ja arriti gjithashtu një shifër rekord. Nga punonjësit u pritën mbi 672,000 subjekte dhe u trajtuan mbi 345,000 çështje, duke u bërë kështu hallka e parë institucionale në formalizimin e biznesit.
Nga ana tjetër, QKR është institucioni i parë që ofroi regjistrimin online të biznesit nëpërmjet sportelit elektronik (i pari i këtij lloji) dhe që vazhdon të shtojë shërbimet.
Rriten çregjistrimet dhe pezullimet
Vala e aksionit antiinformalitet ndikoi edhe në krahun e kundërt. Numri i bizneseve që u çregjistruan në vitin 2015 u rrit duke arritur në 5,323 nga 3,987 që ishte në vitin 2014. Numri më i lartë i sipërmarrjeve të mbyllura i takon formës ligjore “person fizik”, ku gjatë 2015-s u llogaritën në 4,918.
Sipas të dhënave të QKR-së, edhe numri i bizneseve të pezulluara shënoi rritje. Në krahasim me vitin 2014, ato u rritën me rreth 39.4%.
Megjithatë, pavarësisht numrit të bizneseve të mbyllura dhe të pezulluara, regjistrimet fillestare patën ritëm më të lartë rritjeje.
Shkurtohet koha e regjistrimit të biznesit
Shqipëria synon që të përmirësojë klimën e të bërit biznes dhe duket se përmirësimet e bëra në procesin e regjistrimit gjatë vitit të kaluar do të ndikojnë në raportin e radhës të “Doing Business”.
Regjistrimi i biznesit mund të bëhet brenda 24 orëve, ndërsa për 4.2 sekonda mund të gjenerohen të dhënat online të regjistrit tregtar nga rreth 40 sekonda që ishte më parë kjo periudhë.
QKR-ja është institucioni me numrin më të lartë të shërbimeve të përdoruara nga publiku në platformën qeveritare e-Albania (23,560). Sipas të dhënave zyrtare, numri i personave nga jashtë vendit që vizituan portalin e QKR-së u rrit me 141% krahasuar me vitin 2014. Falë platformës online, rreth 95% e subjekteve përditësuan kodin e tyre ekonomik, ndërsa mbi 98,000 subjekte tregtare përditësuan të dhënat e tyre (NID).
Për herë të parë gjatë vitit të kaluar, pasqyrat financiare u dorëzuan tërësisht online. Numri i bilanceve të dorëzuara u llogarit në 12,185 ose rreth 47.5% më shumë se në vitin 2014, ndërsa pasqyrat financiare të publikuara online u llogaritën në 75,000.
Për të përballuar fluksin e lartë të veprimeve, QKR vitin e kaluar mundësoi edhe ofrimin e regjistrimit online të biznesit pranë zyrave noteriale (400 në total).
Qendra Kombëtare e Regjistrimit ofron rreth 22 shërbime funksionale që përmblidhen në 78 formularë. Afati për marrjen e përgjigjes për çdo aplikim të kryer është 24 orë, ndërsa shërbimi online ofrohet pa pagesë për më pak se 8 orë (rreth 34 shërbime). Ndërsa koha për ofrimin e shërbimeve dytësore llogaritet nga 3-6 orë. Këto janë një risi për QKR-në dhe aplikimi i tyre filloi në gjysmën e dytë të vitit 2015.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.