Huaja për ekonominë ka shënuar një rritje të fortë në nëntor, pas muajsh të tërë kur ajo ishte futur në stanjacion. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë stoku i kredisë arriti në 553.3 miliardë lekë, duke u zgjeruar me 2.6 miliardë lekë, apo 0.5% në krahasim me muajin e mëparshëm dhe duke arritur nivelin më të lartë që nga qershori i vitit 2015.
Zëri kryesor që ka ndikuar në këtë performancë është kredia për bizneset, në lekë, stoku i të cilës është rritur me 2.6 miliardë lekë me bazë mujore.
Edhe huaja për individë ka vijuar rritjen, ndonëse me ritme më të ulëta, duke u zgjeruar me rreth 400 milionë lekë me bazë mujore, e orientuar nga monedha vendase.
Pavarësisht performancës së mirë të nëntorit, huaja për ekonominë vijon të jetë e dobët, duke mos reaguar ndaj përpjekjeve të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë për ta bërë sa më të lirë koston e lekut. (norma bazë e interesit është në nivel minimal historik prej 1.25%, ndërsa interesat e kredive në lekë kanë zbritur në rreth 8%).
Me bazë vjetore (nëntor 2016/nëntor 2015), huaja për ekonominë është rritur me vetëm 0.75%, duke nënkuptuar më pak para të hedhura në ekonomi, sidomos për investime (pjesa më e madhe e huasë është për kapital qarkullues).
Me bazë vjetore, huaja për bizneset ka rënë me 3%, si rrjedhojë e uljes së portofolit në valutë (këtu ka ndikim dhe zhvlerësimi i euros), ndërsa kredia në lekë për bizneset është rritur me 2%.
Janë individët ata që kanë marrë më shumë hua përgjatë 2016-s, teksa stoku i huasë për këtë segment është zgjeruar me gati 10% me bazë vjetore. Performanca më e mirë e kthimit të huasë nga individët ka bërë që bankat të orientohen te kjo kategori huamarrësish.
Rritja e vazhdueshme e huave me probleme, që u rritën sërish në 21.4% në tetor nga 18% që zbriti në dhjetor 2015 i ka bërë bankat të kujdesshme në huadhënien e bizneseve që kanë rezultuar dhe kreditorët më të këqij.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.