Banka e Kinës zhvilloi ceremoninë e hapjes së degës së saj të parë në Bukuresht në Pallatin e Parlamentit Rumun, njëkohësisht edhe institucioni i parë financiar kinez që hapet në këtë shtet. Presidenti i Senatit të Rumanisë, Teodor Melescanu tha gjatë ceremonisë se Banka e Kinës do të jetë e mirëpritur në Rumani, duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy shteteve do të kontribuojë në zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve bilaterale.
“Hapja në Bukuresht e një dege të Bankës së Kinës përfaqëson një moment të rëndësishëm si për Rumaninë ashtu edhe për Kinën, e cila vjen në kuadër të festimit të 70-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike të pandërprera ndërmjet këtyre dy shteteve, si edhe 15 vjetorit të krijimit të partneritetit gjithëpërfshirës të miqësisë dhe bashkëpunimit midis Rumanisë dhe Kinës”, tha më tej z. Melescanu.
Sipas tij, Rumania dëshiron të angazhohet sa më shumë dhe të marrë pjesë në projektet e lidhjes rajonale midis Europës dhe Kinës, duke shfrytëzuar platformat ekzistuese të bashkëpunimit, siç është strategjia e BE-së për Lidhjen e Europës dhe Azisë ose Platforma e Lidhjes BE-Kinë.
Sipas Antonel Tanase, Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë Rumune, hapja e një dege të Bankës së Kinës në Bukuresht, do të sjellë vlerë të re të shtuar për industrinë financiare rumune, ndërsa Banka e Kinës do të shndërrohet në një partner afatgjatë, i cili mund të kontribuojë në mënyrë efektive për të arritur qëllimet e zhvillimit ekonomik dhe financiar të të dyja vendeve. Kryetari i Bordit të Bankës së Kinës, Liu Liange, u shpreh se Europa Qendrore dhe Lindore ka qenë gjithmonë një treg i vlerësuar shumë jashtë shtetit për Bankën e Kinës dhe shpresohet që nëpërmjet krijimit të një dege të kësaj banke në Bukuresht, ajo do të përmirësojë më tej aftësitë e saj në drejtim të shërbimit në rajon dhe do të mbështesë fuqishëm ndërmarrjet lokale për të eksploruar tregun kinez dhe për të ndërtuar një urë të fortë financiare për bashkëpunimin Kinë-Rumani.
Ambasadori kinez në Rumani, Jiang Yu, e vlerësoi hapjen e degës së Bankës së Kinës në Bukuresht, duke theksuar se ky hap do të tejkalojë pengesat financiare të bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy vendeve, duke ndihmuar në promovimin e rritjes së tregtisë dhe investimeve dypalëshe Kinë-Rumani.