Datat 5-7 Maj hapin siparin e Panairit të Parë të Sigurisë dhe Teknologjisë në Shqipëri, si përpjekje për t’i dhënë tregut një segment të nevojshëm, të domosdoshëm dhe me impakt në ekonominë e vendit.
Expocity Albania po e përgatit këtë treg për të realizuar dhe prezantuar sektorin e sigurisë dhe teknologjive që lidhen me të, duke u përpjekur që të tregojë domosdoshmërinë e ekzistencës së tyre, si dhe mungesat aktuale që evidentohen në çdo sektor biznesi apo jetën e përditshme.
Duke nisur nga siguria që duhet të ekzistojë në çdo kompani apo biznes, me sisteme monitorimi apo edhe të ofrimit të mbrojtjes së shëndetit për punonjësit; deri në sistemet teknologjike të mbrojtjes së të dhënave – të gjitha do të ofrohen si pjesë e këtij panairi, në fushën e sigurisë 360 gradë.
Panairi i Sigurisë dhe Teknologjisë, aty ku ekspozues të shumtë do të paraqesin teknologjitë e fundit, pajisjet dhe shërbimet në fushën e mbrojtjes personale, sigurisë publike e zjarrit dhe sigurinë në fushën e ndërtimit, konsiderohet një event, në të cilin secili nga bizneset në vend do të gjente pika interesi të nevojshme për kompaninë.
TISPARK, si një partner ndërkombëtar në këtë eveniment, sjell standard, teknologji të avancuar dhe siguri, në fushën të cilën mbulon dhe në shërbimet që ofron: teknologji për sistemin e parkingut në qytete.
Kompania EMS Technology, si një partner i dytë ndërkombëtar, do të sjellë një qasje të re në tregun shqiptar, përmes ofrimit të pajisjeve mjekësore si: monitor/defibrilator, respiratorë, aspiratorë, si dhe një gamë të gjerë pajisjesh të tjera mjekësore të teknologjisë gjermane, nga më modernet në tregun europian për shërbimet paraspitalore dhe spitalore.
Të dy këta partnerë, përmes ekzibicioneve praktike në panairin pranë Expocity Albania, prezantojnë shërbimet që ofrojnë, teknologjinë me të cilën operojnë, standarde bashkëkohore për tregun shqiptar, të cilit i mungojnë kompani që garantojnë siguri të një niveli të lartë.
Dy shtyllat përbërëse të 3 ditëve të panairit do të jenë: ekspozimi në stenda dhe organizimi i konferencave e workshop-eve, si mënyrë për shkëmbim eksperiencash mes kompanive.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.