Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha sot në konferencën për mediat, ku lajmëroi rritjen e normë së bazë të interesit me 0.25 pikë për qind (https://www.monitor.al/inflacioni-i-larte-banka-e-shqiperise-rrit-per-here-te-dyte-normen-baze-e-con-ne-1-25/) , se Projektligji i Amnistisë Fiskale duhet të përjashtojë fondet dhe asetet që vijnë nga krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Sejko tha se, aplikimi i një amnistie fiskale ka kosto dhe përfitime. Përfitimet lidhen me injektimin e fondeve në ekonomi, rritjen e të ardhurave në buxhet, por edhe formalizmin e ekonomisë.
Por Guvernatori tha, se amnistia fiskale duhet të shmangë paratë e krimit dhe korrupsionit. “Nuk duhet të krijojmë konceptin e amnistisë së vazhdueshme. Ajo duhet të kryhet vetëm njëherë dhe rregullat fiskale duhet të shtrëngohen në mënyrë që të ketë një evazion minimal” tha Sejko.
Sipas tij, amnistia do të ishte e pa kuptim nëse nuk do të shoqërohej me masa të rrepta fiskale.
Inflacioni do të jetë i lartë
Guvernatori tha se, informacioni i ri i marrë në analizë vijon të ilustrojë ndikimin që konflikti ushtarak në Ukrainë ka mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare. Rritja e çmimeve të produkteve, shtrëngimi i kushteve financiare dhe rritja e pasigurisë, kanë sjellë një rritje të fortë të inflacionit dhe kanë filluar të frenojnë ritmet e rritjes ekonomike.
Rifreskimi i analizës dhe përditësimi i projeksioneve të Bankës së Shqipërisë sugjeron se inflacioni në vend do të vijojë të mbetet i lartë gjatë vitit 2022. “Ky inflacion pasqyron – në masën më të madhe – efektet direkte të goditjes së ofertës që vjen nga tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, pasojat e kësaj goditjeje rrezikojnë të forcohen dhe të zgjaten në kohë, si pasojë e kërkesës relativisht solide për mallra e shërbime në vend” tha Sejko.
Ai njoftoi se, në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se rritja e inflacionit është rreziku kryesor që kërcënon rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të vijojë procesin e normalizimit të politikës monetare. Ky normalizim synon të krijojë kushte monetare të përshtatshme për kontrollin e inflacionit në horizontin afatmesëm dhe sinjalizon vullnetin tonë për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve.
Inflacioni shënoi rritje në muajt prill e maj, duke regjistruar respektivisht vlerat 6.2% dhe 6.7%. Këto nivele ishin në kahun e sipërm të pritjeve tona tha Guvernatori.
Baza e presioneve inflacioniste ka ardhur në zgjerim. Ndonëse dinamika e inflacionit në këta dy muaj pasqyroi kryesisht rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të lëndëve energjetike, kjo rritje është e pranishme në pjesën më të madhe të artikujve të shportës.
Në këndvështrimin makroekonomik, presionet inflacioniste vijojnë të ushqehen nga normat e larta të inflacionit në tregjet botërore, të cilat janë në nivelet më të larta të katër dekadave të fundit, si dhe nga kërkesa e qëndrueshme për mallra e shërbime në vend.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, PBB u rrit me pothuaj 6% në tremujorin e parë të vitit. Ky ritëm rritjeje ishte – gjithashtu – në kahun e sipërm të pritjeve te BSh-sw. Sejko tha se, rritja ekonomike u diktua nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve private, si dhe nga rritja e eksporteve të mallrave e shërbimeve. Nga ana tjetër, rënia e investimeve publike dhe rritja e importeve kanë vepruar në kahun e kundërt.
Mungesa e fuqisë punëtorë presion mbi pagat
Zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime u pasqyrua në rritje të mëtejshme të punësimit e të pagave në tremujorin e parë, duke ofruar një faktor shtesë në rritjen e inflacionit. Sipas të dhënave zyrtare, papunësia në vend zbriti në nivelin 11.3% në tremujorin e parë, ndërsa ritmi i rritjes së pagave në sektorin privat shënoi vlerën 10.5%. Megjithëse rritja e pagave u ndikua edhe nga masat e marra për formalizimin e tregut të punës, ajo sugjeron se mungesa e fuqisë punëtore po ushtron presione për rritjen e kostove të prodhimit në vend.
Duke ju rikthyer kontekstit makroekonomik, rritja e tremujorit të parë pasqyroi bilancet e shëndosha financiare të sektorit privat, si dhe kushtet e favorshme të financimit.
Likuiditeti i bollshëm
Zhvillimet financiare në vend vijojnë të karakterizohen nga prime të kontrolluara rreziku, likuiditet i bollshëm, kurs i qëndrueshëm këmbimi dhe kredi në rritje. “Stimuli ynë monetar është përcjellë në norma të ulëta interesi për financimin e sektorit privat. Paralelisht me të, rritja e kërkesës për kredi dhe bilancet e shëndetshme të sektorit bankar, janë përkthyer në rritje të qëndrueshme të kreditimit. Rritja vjetore e kredisë për sektorin privat është forcuar më tej, duke shënuar vlerën 13.8% në muajin maj. Kjo rritje ishte e pranishme si në segmentin e bizneseve dhe në atë të individëve, duke i shërbyer si financimit të konsumit dhe investimeve ashtu dhe nevojave për kapital qarkullues” referoi Guvernatori.
E ardhmja sfiduese
Ecuria e ekonomisë në periudhën vijuese mbetet subjekt i sfidave serioze. Rritja e çmimeve në tregjet botërore, shtrëngimi i kushteve financiare dhe ngadalësimi i pritur i ekonomisë në Eurozonë, si dhe frenimi i fuqisë blerëse të familjeve, do të kenë një ndikim me kah të kundërt mbi ecurinë e inflacionit dhe të rritjes ekonomike në vend.
Megjithatë, Sejo tha se, përditësimi i parashikimeve sipas skenarit bazë sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të shënojë rritje solide në horizontin afatmesëm. Ritmi i rritjes ekonomike do të vijë në ngadalësim kundrejt atij të shënuar në tremujorin e parë të vitit, por ai do të jetë i mjaftueshëm për të ruajtur shëndetin e bilanceve të familjeve dhe bizneseve shqiptare.
Nga ana tjetër, inflacioni do të vijojë të mbetet i lartë në tremujorët në vijim. Projeksionet e skenarit bazë sugjerojnë se norma e inflacionit do të kulmojë jo shumë larg nivelit aktual në tremujorin e tretë të vitit aktual dhe do të vijë në rënie graduale gjatë tremujorëve në vijim. Kjo trajektore pritet ta sjellë inflacionin në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.
Projeksionet e skenarit bazë parashikojnë një normalizim gradual të politikës monetare në periudhën në vijim. Shpejtësia e normalizimit do të synojë një harmonizim sa më të mirë të intensitetit të stimulit monetar me intensitetin e presioneve afatmesme inflacioniste.
Balanca e rreziqeve mbi inflacionin vijon të mbetet në kahun e sipërm. Në veçanti, goditjet e forta shtesë të ofertës apo shfaqja e efekteve zinxhir të raundit të dytë, do të forconin më tej presionet inflacioniste. Në të kundërt, një ecuri më negative ekonomike e partnerëve tanë tregtarë apo një zgjidhje e shpejtë e konfliktit në Ukrainë do të reduktonte presionet inflacioniste.
Rritet norma e interesit, arrin në 1.25%
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se nivelet e larta të e presioneve inflacioniste janë rreziku primar mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.
Për këtë arsye, në respektim të objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:
- Të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, nga niveli 1.0% në nivelin 1.25%;
- Të rrisë me 0.35 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 1.9% në nivelin 2.25%; si dhe
- Të rrisë me 0.15 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 0.1% në nivelin 0.25%.
Në gjykimin e Këshillit, normalizimi i politikës monetare do të krijojë kushte më të përshtatshme për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda horizontit afatmesëm. Në të njëjtën kohë, ky normalizim nuk do të cenojë premisat e rritjes ekonomike në këtë horizont.
Po ashtu, Këshilli Mbikëqyrës thekson se materializimi i projeksioneve të skenarit bazë do të kërkojë vijimin e ciklit normalizues të politikës monetare edhe në tremujorët në vazhdim. Në këtë skenar, shpejtësia e normalizimit do të jetë graduale, por në çdo rast e mjaftueshme për të respektuar objektivin tonë afatmesëm të inflacionit.
Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes dinamikën e presioneve inflacioniste në periudhën në vijim. Ai mbetet i gatshëm të ndërhyjë, në kohën dhe me forcën e duhur, për të garantuar stabilitetin e çmimeve në vend.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.