Kina dhe Serbia nënshkruan dy marrëveshje për ndërtimin e rrugëve me vlerë totale prej afro 4 miliardë eurosh (4.2 miliardë dollarë), si dhe një kontratë për blerjen e pesë trenave me shpejtësi të lartë, tha Ministria e Transportit.
Kontratat u nënshkruan në Pekin një ditë pasi dy vendet firmosën një marrëveshje të tregtisë së lirë në një forum për nismën kineze “Rruga e Mëndafshit”, ndërsa Pekini kërkon të forcojë aleancat me fuqitë perëndimore.
Kontratat e ndërtimit të rrugëve, që në total shkojnë deri në 4 miliardë euro, do t’i mundësojnë Serbisë të ndërtojë afro 300 kilometra rrugë dhe autostrada të reja, thuhet në një deklaratë të ministrisë.
“Ky është një kontribut i madh për ndërtimin e infrastrukturës rrugore”, tha ministri i Transportit, Goran Vesic.
“Kemi marrë pesë trena për 54 milionë euro, që do të thotë se tani do të kemi trena të shpejtë kinezë, që do të lëvizin në hekurudhën Beograd-Budapest”, shtoi ai.
Disa nga trenat do të fillojnë të funksionojnë në fillim të vitit 2025, duke lidhur kryeqytetin Beograd me qytetin verior Subotica.
“Kur miqtë tanë hungarezë do të mbarojnë pjesën e tyre të hekurudhës, ne do të shkojmë në Budapest”.
Në deklaratë nuk jepen hollësi mbi financimin e projekteve dhe AFP-ja ka kërkuar sqarime nga autoritetet serbe.
Investimet kineze në projektet infrastrukturore “Rruga e Mëndafshit”, bëhen përgjithësisht me kredi, ndërsa punimet kryhen nga kompani kineze. Ndërkohë, disa vende kanë hasur vështirësi në shlyerjen e borxheve.
Në vitet e fundit, Kina ka investuar me miliarda euro në Serbi dhe në vendet fqinje të Ballkanit, duke shpresuar të zgjerojë gjurmën ekonomike në Europën Qendrore dhe Lindore.
Në shtator, Beogradi tha se kompania shtetërore kineze Zijin Mining, do të investojë 3.8 miliardë dollarë në kompleksin e minierave në qytetin lindor Bor.
Serbia, e cila dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian, ka marrë shumë investime nga Kina, dhe Beogradi kërkon të tërheqë një sërë investitorësh në mes të luftës midis Lindjes dhe Perëndimit për ndikimin në Ballkan.
Vitin e kaluar, rreth një e treta e investimeve të huaja në Serbi, erdhën nga Kina, duke arritur në shifrën 1.4 miliardë euro, sipas Beogradit.
Në vitin 2022, Kina ishte partneri i dytë më i madh i Serbisë në tregtinë e jashtme pas Gjermanisë, dhe vëllimi i tregtisë midis dy vendeve arriti në 6.15 miliardë dollarë.