Përfytyroni se mbërritët në një intervistë pune dhe jeni gati 100%. Ju e keni lustruar CV-në tuaj dhe keni përgatitur përgjigje të mira.
Por, sipas një eksperti të burimeve njerëzore dhe me përvojë 20-vjeçare, një intervistë pune nuk shërben vetëm për t’u lënë përshtypje të mirë punëdhënësve tuaj të mundshëm, por edhe të mbroheni nga një mjedis toksik.
Që të shmangni që puna juaj e ëndrrave të kthehet në një makth, duhet të jeni në gjendje të dalloni shenjat e llojit më të keq të shefit: narcisistit
1.Ata mezi pyesin për ju
Ju mund të keni të bëni me një drejtues narcisist nëse në një intervistë pune flasin më shumë për veten se sa për përvojën tuaj.
Ata mund të thonë gjëra si për shembull: “Kur mora drejtimin e këtij departamenti, gjërat nisën të shkojnë shumë mirë” apo “Ky projekt ishte një katastrofë deri sa erdha unë dhe i dhashë drejtim”.
Shpesh, këto tregojnë se ata i vënë arritjet e tyre përpara dinamikës së ekipit. Jini të vëmendshëm sa herë dëgjoni “unë” në vend të “ne”.
2.Ata kanë një qëndrim shpërfillës
Jini të vëmendshëm kur trajtojnë apo flasin për të tjerët gjatë intervistës. A i shpërfillin dhe përçmojnë kolegët? A i shtypin kolegët apo njerëzit me të cilët ju do të punoni?
Kjo sjellje mund të manifestohet në disa mënyra. Gjatë intervistës, dikush mund të trokasë në derë, me mirësjellje, për të kërkuar një nënshkrim, dhe menaxheri mund të përgjigjet i zemëruar: “Nuk e shihni se jam në mes të diçkaje?”.
Mungesa e respektit nuk bën dallim. Nëse veprojnë kështu para një të huaji, ka të ngjarë të jetë edhe më keq ditë pas dite.
3.Ata ju bëjnë të dyshoni rreth realitetit tuaj
I nxitur nga pasiguritë e tij, një drejtues narcisist mund të përpiqet të vërë në dyshim rezultatet dhe përvojën tuaj.
Nëse ju i flisni për një rezultat, për shembull, mund të thotë diçka të tipit: “Më duket disi e ekzagjeruar” apo “Ke bërë vetëm këtë?”.
Këto mund të jenë sinjale të faktit që të punosh për ta do t’ju bëjë të dyshoni mbi aftësitë dhe kompetencat që zotëroni.
4. Ata do t’ju bëjnë premtime të mëdha pa një plan konkret
Një drejtues narcisist do të shesë një vizion të së ardhmes në të cilin ju do të jeni një yll, por detajet do të jenë të mjegullta.
Nëse intervistuesi juaj do t’ju thotë gjëra që tingëllojnë shumë të bukura për të qenë të vërteta, mund ta gjeni veten në një punë pa perspektivë.
Ka shumë të ngjarë që ata nuk do të duan të bashkëpunojnë me ju.
5. Ata shpesh ju bëjnë kritika personale apo kritika të pabaza
Reagimet konstruktive dhe profesionale nuk bëjnë pjesë te mënyra e të vepruarit të narcisistit.
Ata mund të thonë gjëra të tipit: “Qasje interesante, por duket disi e vjetruar” apo “Është kureshtare mënyra se si e mat suksesin, por nuk jam i sigurt nëse duhet ta cilësojmë një fitore”.
Nëse reagimi duket pak i dobishëm dhe më shumë si një sulm i butë, ka të ngjarë që të jetë. Është gjithashtu një shenjë se, nëse i bashkoheni ekipit të tyre, ata vazhdimisht do t’ju minojnë.
Një intervistë është një rrugë me dy drejtime. Ju po i vlerësoni ata, po aq sa ata po ju vlerësojnë ju.
Besojuni instinkteve dhe mos kini frikë të largoheni nga një mundësi që nuk ju duket e përshtatshme.
/ CNBC