Lehtësi fiskale, konsulencë si dhe kosto më të ulët për fillimin e një biznesi në Shqipëri për investitorët e huaj. Kjo është panorama që të ofron Drejtoresha e Agjencisë së Nxitjes së Investimve të Huaja në Shqipëri, Znj. Estela Dashi lidhur me klimën e investimeve të huaja në vend. Megjithëse biznesi i huaj, që vepron në Shqipëri përballet çdo ditë me zyrtarët burokratë shqiptarë, përsëri Shqipëria, jashtë zyrave administrative mbetet një vend me përparësi për krijimin dhe zhvillimin e një biznesi. Sektorët më me leverdi për të huajt janë sektori i agrobiznesit, sektorë të industrisë së rëndë dhe të lehtë, sektori i energjitikës dhe turizmit. Për të nxitur investimet e huaja në Shqipëri, Agjencia e ka përqendruar punën në sektorët e shërbimit të klientit, përpunim dhe shpërndarje informacioni, në sektorin e promovimit sektorial si dhe në hartimin dhe mbështetjen e strategjive. Për më shumë informacion rreth nxitjes së investimeve të huaja në vend “Monitor”, i është drejtuar Drejtoreshës së Agjencisë së Nxitjes së Investimve të huaja, Znj. Estela Dashi. Si vlerësohet klima e investimeve te huaja, gjatë periudhës së fundit në vendin tonë? Kur flitet për klimën e biznesit duhet patur parasysh se ajo përbëhet nga një tërësi politikash ligjore, institucionale, infrastrukturore, makroekonomike, arsimore, shoqërore e kulturore, financiare apo kombëtare, tërësi e cila ndikon në funksionimin e tregut dhe arritjen e synimeve të biznesit. Në këte kuadër, Shqipëria ka në fuqi një regjim liberal për investimet e huaja, i cili garanton trajtimin e paanshëm si të biznesit të huaj ashtu dhe të atij vendas. Nënshkrimi i marrëveshjeve të tregtisë së lirë me të gjitha vendet e rajonit i ofron mundësi biznesit të huaj të jetë i pranishëm me prodhimet dhe shërbimet e tij, jo vetëm në tregun shqiptar, por edhe tregjet e vendeve të tjera të rajonit. Faktorë të tjerë, të cilët flasin për klimën e favorshme të biznesit në vend janë zhvillimi me shpejtësi i sektorit bankar apo i infrastrukturës. Këtu vlen të theksohet fjala e presidentit të Ex-Im Bank si dhe e përfaqësuesit të SACE-s në Shqipëri, të cilët kanë theksuar së tashmë Shqipëria dallohet për një rrezik më të ulët në fushën e biznesit dhe të investimeve.Kur flasim për klimën e biznesit nuk mund të lihen jashtë vëmendjes dhe faktorë të tjerë, tërësia e të cilëve mundëson investitorët e huaj të kenë një kosto të ulët të fillimit të biznesit dhe vazhdimit të aktivitetit ekonomik pas fillimit të punës. Ndër to mund të përmenden: sistemi fiskal favorizues, kosto e ulët e çeljes së biznesit, krahu i lirë i punës, kosto e ulët e pasurisë së paluajtshme, kosto e ulët e lëndës së parë etj. Një ndër përparësitë, që ne i ofrojmë biznesit të huaj, është dinamika në lidhje me përmirësimin e sistemit tarifor në vend. Në krahasim me vitin 1998, tarifat doganore të cilat ishin në nivelin e 30%, janë reduktuar në fillimin e viteve 2000 në mënyrë të konsiderueshme dhe luhaten nga 2%, më e ulëta, në 15%, më e larta. Këtu duhet theksuar se përmirësimi i sistemit tarifor është bërë në përputhje me rregullat e OBT-së. Cila është tendenca e investimeve të huaja në vend?Duke filluar nga viti 2000, niveli i investimeve të huaja direkte ka njohur një rritje të konsiderueshme, po të krahasohet me nivelin e tyre gjatë viteve 90. Për vitin 2004 investimet e huaja direkte priten të kapin vlerën e rreth 300 milion USD. Mund të thuhet se nga fillimi i viteve 2000 konstatohet një hop cilësor në thithjen e IHD-ve. Numri i investitorëve të huaj në Shqipëri është më i lartë se ai i dekadës së fundit dhe, po të kihen parasysh emrat e shoqërive të huaja që kanë investuar në Shqipëri, duket se është rritur cilësia e investimeve. Kështu pas viteve 2000 në Shqipëri janë afruar shumë shoqëri prestigjioze si: Vodafone, AMC, Raiffeisen Bank, Hochtief, General Electric etj. Sidoqoftë, këtu duhet përmendur një fakt se në një masë të konsiderueshme këto nivele të kënaqshme të IHD gjatë kësaj periudhe janë arritur falë proceseve të suksesshme të privatizmit të disa prej sektorëve parësorë në vend. Sa shoqëri të huaja veprojnë në Shqipëri dhe cila është struktura e tyre?Sipas të dhënave të INSTAT, aktualisht në Shqipëri operojnë 2915 shoqëri të huaja, prej të cilave 1793 janë krijuar në formën e ndërmarrjeve të përbashkëta dhe 1122 janë 100% me kapital të huaj. Investimet e huaja janë dominuese në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Rreth 65% e këtyre shoqërive operojnë në sektorin tregtar. Statistikat, gjithashtu, tregojnë se pjesa më e madhe e investitorëve të huaj vijnë kryesisht nga vendet fqinje, sidomos nga Italia dhe Greqia. Kjo shpjegohet me lidhjet e forta tregtare si dhe afërsia gjeografike me këto vende.Çfarë po bëhet nga Agjencia për nxitjen e IHD-ve në vend?ANIH u krijua duke pasur si synim nxitjen dhe rritjen e IHD-ve si dhe krijimin, në përgjithësi, të një ambjenti më të favorshëm biznesi dhe, në veçanti, investimi duke e kthyer agjencinë në një instrument mjaft të rëndësishëm në arritjen e objektivave të qeverisë për zhvillimin ekonomik të vendit. Si rrjedhojë e këtij synimi, ANIH ka fokusuar punën në sektorët e shërbimit të klientit, përpunim dhe shpërndarje informacioni, në sektorin e promovimit sektorial si dhe në hartimin dhe mbështetjen e strategjive.Konkretisht, sektori i shërbimit të Investitorit ka ndihmuar me dhënien e këshillave investitorëve të huaj dhe lehtësimin e krijimit të lidhjeve të tyre me biznesin vendas si në fazën fillestare dhe atë gjatë kryerjes së investimeve, ashtu edhe pas përfundimit të tyre. Po të flasim me gjuhën e shifrave, vetëm gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2004 janë asistuar 46 investitorë potencialë dhe ekzistues. Origjina e këtyre investitorëve u përket këtyre vendeve si: Italia 33%, Turqia 20%, Greqia 13%, Polonia 10%, Gjermania 5%, Belgjika 5%, Egjipti 4%, Austria 2% etj. Në këndvështrimin e sektorëve të ekonomisë, për të cilët shoqëritë e asistuara kanë paraqitur interes ato klasifikohen si vijon: 71% sektori i industrisë së lehtë dhe ushqimore, 11% sektori i shërbimeve, 9% ndërtimi, 7% infrastruktura dhe 2% në industria e rëndë.Një nga projektet konkrete më të mëdha ku ANIH luan nje rol mjaft aktiv është ai i eliminimit të barrierave administrative për biznesin e huaj, projekt i FIAS (Banka Botërore) i cili realizohet nën drejtimin e Ministrisë së Ekonomisë. Për të përmendur vlen kontributi i ANIH në përgatitjen e një periodiku, i cili synon promovimin e imazhit të vendit në komunitetet e biznesit jashtë Shqiperisë. Ky projekt zhvillohet në bashkëpunim me MPJ dhe PNUD. Keni bërë ndonjë studim se për cilat fusha janë të interesuar investitorët e huaj në Shqipëri dhe çfarë po bëhet nga Agjencia juaj?Për biznesin e huaj dhe vendas Shqipëria ofron sektorë ekonomikë me perspektivë zhvillimi dhe përfitimi. Janë konsideruar parësorë sektorët e turizmit, agroindustrisë, i naftës dhe i gazit, sektori bankar, investimet në infrastrukturë etj. Janë organizuar sondazhe, publikime, prezantime, tryeza të rrumbullakta, rrjet kontaktesh me institucione të fushës, agjenci etj., për të evidentuar avantazhet krahasuese, që paraqesin sektorët parësorë të ekonomisë. Një projekt i iniciuar rishtasi në bashkëpunim me MIGA-n merret me krahasimin e disa sektorëve ekonomikë shqiptarë me vendet e rajonit të Europës Juglindore, i cili synon të evidentojë saktësisht sektorin apo sektorët më konkurrues, që ekonomia jonë paraqet aktualisht. Në “Strategjinë e Tërheqjes së Investitorëve” janë përcaktuar si parësore turizmi, agrikultura dhe industria agropërpunuese, industria e naftës dhe e gazit dhe industria e rëndë dhe minerare. Duhet përmendur se studimi është përfunduar në vitin 2001 dhe nuk ka pasur mundësi të reflektojë dinamikat e zhvillimit të viteve në vijim. Më konkretisht, për fushën e turizmit është miratuar ligji “Për zhvillimin e zonave prioritare për turizmin”, i cili përmban nxitësa për biznesin e huaj, që kërkojnë të investojnë në fushën e turizmit. Sipas ligjit në fjalë, të gjithë ata të huaj, të cilët investojnë në fushën e zhvillimit të turizmit në Shqipëri: a) përjashtohen nga pagimi i tatimit mbi fitimin për pesë vjet dhe për pesë vitet pasardhëse do të paguhet vetëm 50% e tatimit mbi fitimin; b) përjashtohen nga pagimi i taksave doganore të mallrave të importit me synim realizimin e investimit; c) reduktohet tatimi mbi fitimin në masën 40% për investitorët e huaj në rastin e riinvestimit të fitimit. Në lidhje me agrikulturën dhe industrinë agropërpunuese Shqipëria ofron për tregun vendas, por edhe atë të huaj, produkte bujqësore bio-organike dhe sipërfaqe bujqësore të papërdorura, të cilat mund të vihen në eficiencë me një investim jo shumë të madh. Klima mesdhetare bën të mundur që në Shqipëri të ekzistojnë të gjitha kushtet për zhvillimin e industrisë së frutikulturës. Shqipëria ofron, gjithashtu, lëndë të parë për industrinë agropërpunuese; siguron një llojshmëri të madhe të prodhimit të perimeve e frutave gjatë gjithë vitit. Edhe fauna ujore e pashfrytëzuar përbën një ndër përparësitë e tjera, që Shqipëria i ofron biznesit të huaj, por edhe atij vendas për të zhvilluar këtë degë të industrisë. Gjatë vitit 2003, në industrinë e naftës dhe gazit natyror, investimet e huaja arritën në 90 milion USD. Përsa i përket industrisë së rëndë dhe minerare, prej vitesh biznesi i huaj ka shprehur interes dhe ka investuar në industrinë metalurgjike shqiptare. Firma turke Kurum ka filluar aktivitetin e saj në prodhimin e çeliqeve të petëzuara, që nga viti 1999 dhe deri në vitin 2002 ajo ka investuar mbi 27 milion USD. Prodhimi është i destinuar kryesisht për tregun vendas me një kapacitet të përgjithshëm vjetor prej 300 mijë ton çelik të petëzuar në vit. Në sektorin minerar zhvillojnë aktivitetin e tyre 309 shoqëri vendase dhe të huaja. Në industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit të minieralit të kromit është anagazhuar firma italiane DARFO, e cila përpunon në vit rreth 300 mijë ton mineral kromi, prej të cilit nxjerr rreth 85 mijë ton ferrokrom në vit. Ky nënprodukt i kromit është i destinuar tërësisht për tregjet e huaja.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.