Kur FC Dordrecht priti në shtëpi TOP Oss, në ndeshjen e fundit të sezonit të Kategorisë së dytë holandeze në maj, kjo sfidë futbolli nuk kishte shumë interes.
Dordrecht dhe Oss ishin të dyja të imunizuara nga rënia në kategori dhe luajtën një ndeshje, e cila përfundoi në barazim 2 me 2 në Stadion Krommedijk.
Ky rezultat i renditi përkatësisht në vendin e 18-të dhe të 17-të në Kategorinë me 20 skuadra. Megjithatë, ndeshja u përdor si provë për diçka shumë më të rëndësishme – një projekt i gjelbër me rëndësi potencialisht globale.
Në fakt, Dordrecht vendosi ta mbyllë sezonin, duke luajtur në fushë ndeshjen e parë neutrale ndaj klimës, në futbollin profesionist holandez, për të treguar që edhe kampionatet sportive të nivelit të lartë mund të jenë 100 për qind të qëndrueshme, me kuadrin e duhur normativ.
Termi “neutralitet klimatik” është përkufizuar nga Konventa Kuadër e Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimet Klimatike në vitin 2021 si “ideja për të arritur zero emetime neto gazi serrë, duke i balancuar emetime të tilla në mënyrë që të jenë të barabarta (ose më të ulëta) se emetimet që eliminohen nëpërmjet përthithjes natyrore të planetit; në terma bazë do të thotë që ne reduktojmë emetimet tona nepërmjet veprimit klimatik”.
Tifozët, lojtarët, personeli i klubit, gazetarët, madje edhe zyrtarët e ndeshjes duhet të udhëtonin drejt dhe nga stadiumi nëpërmjet mjeteve të transportit të qëndrueshëm. Gjatë ndeshjes u theksua rëndësia e ushqimit dhe argëtimit eko të vetëdijshëm dhe reduktimit të konsumit të energjisë dhe mbeturinave në ditën e ndeshjes.
Të dhënat dhe njohuritë e fituara falë kësaj përvoje i kaluan më pas Federatës Holandeze të Futbollit (KNVB) në përpjekjen e vazhdueshme për të ndihmuar të gjitha klubet profesioniste të arrijnë objektivat e qëndrueshmërisë të paracaktatuara brenda vitit 2030.
Si pjesë e itinerarit të ndeshjes së ditës, Dordrecht zbatoi një sërë masash për të nxitur neutralitetit klimatik. Por, si ia dolën?
Një ndeshje dite më ekologjike dhe e qëndrueshme
Përgjegjësi për inovacionin i ekipit të Leon Vlemmings, shpjegoi se ndryshimet e para u bënë në periudhën para ndeshjes, kur personeli i terrenit të klubit zëvendësoi traktorin e vjetër me naftë me një robot elektrik kositës më të pastër, për të përgatitur fushën.
“Neutralitet klimatik do të thotë që çdo gjë nuk ka pasoja klimatike te klima. Kjo ndodhi në këtë ndjeshje” – deklaroi Vlemmings në revistën futbollistike holandese “Voetbal International” (VI).
Dy kamionë me ushqime vegane qëndruan në hyrjen e stadiumit për t’u ofruar tifozëve ushqime organike, neutrale ndaj karbonit; frikandel pa mish (një lloj salçice që hahet tradicionalisht në Holandë dhe Belgjikë) dhe sanduiçi vegan ishin plat du jour (pjatat e ditës).
Ndërkohë, argëtimi u ofrua nëpërmjet një DJ të ngritur lart në një vinç elektrik dhe e gjithë shfaqja u mundësua nga burime të rinovueshme të energjisë.
Reduktimi i emetimeve të udhëtimit
Arbitri dhe skuadra e tij u udhëzuan të vinin në Dordrecht me mjete transporti neutrale ndaj klimës, ndërsa kundërshtarët e TOP Oss konfirmuan paraprakisht se do të shmangnin autobusin e tyre të zakonshëm me naftë për një transport alternativ që funksionon me energji pa lëndë djegëse fosile.
Me mijëra tifozë që erdhën në Stadion Krommedijk, Dordrecht promovoi përdorimin e mjeteve të transportit ekologjik, duke i nxitur ata që të vinin më këmbë ose me biçikletë.
Parkimi i stadiumit iu rezervua ekskluzivisht mjeteve elektrike dhe një hapësirë e posaçme iu rezervua biçikletave. Kurse tifozët patën të drejtën të udhëtonin falas në rrjetin e autobusëve ekologjikë të qytetit.
“Ne përgatitëm një plan komunikimi për tifozët tanë. Plani parashikon që – nëse mund të vini më këmbë, atëherë ejani në stadium më këmbë. Nëse mund të ngisni biçikletën, atëherë shkoni në stadium me biçikletë” – shpjegoi Vlemmings.
“Dhe me biletën e ndeshjes ju mund të udhëtoni falas në autobusët Qbuzz bus. Ata janë të gjithë elektrikë”.
Edhe forcat e policisë lokale erdhën me mountain bike të specializuara.
Një projekt pilot i ngjashëm u zbatua gjatë ndeshjes së Premier League midis Tottenham Hotspur dhe Chelsea në dhjetor 2021, ndërsa Dordrecht zbuloi gjithashtu se përfaqësuesit e gjigantëve spanjollë Barcelona, Real Madrid dhe Sevilla kanë vizituar stadiumin e tyre për të mësuar rreth filozofive të qëndrueshme që po zbatohen.
Dalëngadalë, duket se bota e futbollit po fillon t’i marrë seriozisht ndryshimet radikale të nevojshme për ta bërë nivelin më të lartë të sportit më neutral ndaj karbonit dhe klimës.
“Në futboll, mentaliteti është paksa i modës së vjetër. E kuptoj që mbështetësit po bëjnë pyetje pasi jo të gjithë kanë një makinë elektrike” – tha mesfushori i Dordrecht, Jari Schuurman.
Por futbolli duhet të bëjë hapa para drejt së ardhmes dhe besoj se nëse hedhim hapa të vegjël, do të jetë më e lehtë”.
“Jemi një klub i vogël dhe nuk bëjmë bujë me paraqitjen tonë sportive. Por në këtë rast jemi i pari klub në botë që e arrin këtë objektiv. Kjo është një gjë pozitive për klubin”.
/ ESPN