“Vendosja e njerëzve në qendër të veprimeve për klimën, nga planifikimi deri te zbatimi i tyre, përmirëson jetën.”
Katër nga pesë qytete janë përballur me rreziqe “të rëndësishme” klimatike këtë vit, ndërsa një e katërta pritet të përballet me rreziqe klimatike “me rrezik të lartë” të cilat do të jenë më intensive dhe më të shpeshta deri në vitin 2025.
Ky është përfundimi i zymtë i një raporti të ri javën e kaluar, i përpiluar nga grupi i klimës CDP, i cili u kërkoi gati një mijë qyteteve në botë që të raportojnë mbi rreziqet klimatike me të cilat po përballen dhe mënyrat se si po reagojnë ndaj tyre.
Raporti zbuloi se ndikimet klimatike po kthehen në një shqetësim në rritje për drejtuesit e qyteteve në mbarë botën. Sipas raportimeve, rreth 46 për qind e qyteteve janë përballur me nxehtësi ekstreme këtë vit, 36 për qind kanë pasur reshje të dendura të shiut, 35 për qind kanë pasur thatësira dhe 33 për qind, përmbytje urbane. Për gati një të tretën e qyteteve, këto rreziqe kërcënojnë shumicën dërrmuese të njerëzve, të paktën 70 për qind të popullsisë së tyre.
Për më tepër, gati dy të tretat e qyteteve presin që këto rreziqe të jenë më intensive në të ardhmen, ndërsa më shumë se gjysma e tyre parashikojnë që ato të jenë më të shpeshta.
Raporti thekson gjithashtu se pasojat e këtyre rreziqeve janë të shpërndara në mënyrë të pabarabartë, duke vënë në dukje se të moshuarit, familjet me të ardhura të ulëta, fëmijët dhe komunitetet e margjinalizuara ose ato vulnerabël janë më të ekspozuara ndaj rreziqeve që lidhen me klimën.
“Nga përmbytjet më vdekjeprurëse në historinë e Pakistanit e deri te thatësira më e keqe në të gjithë kontinentin e Europës në pesë shekujt e fundit, viti 2022 ka qenë një tjetër vit shkatërrues për sa u përket ngjarjeve të ndryshimeve klimatike,” tha Maia Kutner, drejtore e përkohshme globale për qytetet, shtetet dhe rajonet në CDP.
“Çdo ditë, në mbarë botën, ne dëgjojmë shprehje rutinë, si ‘e paprecedentë’, ‘më e keqja’ ose ‘hera e parë në histori’, të cilat gjithsesi nuk arrijnë ta përcjellin si duhet ndikimin tronditës që ka rritja e temperaturave globale te planeti dhe njerëzit e tij. Duke qenë vendet ku banon më shumë se gjysma e popullsisë së botës, qytetet gjenden në frontin e parë të përballjes me ndikimet e ndryshimeve klimatike.”
Raporti gjithashtu tregon se pjesa më e madhe e qyteteve po marrin masa për të forcuar qëndrueshmërinë e tyre klimatike dhe këto masa gjithashtu po vënë në dukje një sërë përfitimesh të përbashkëta.
Për shembull, 85 për qind e qyteteve që ndërmarrin veprime klimatike me në qendër njerëzit, raportuan përfitime shëndetësore publike, të tilla si cilësia më e mirë e ajrit, përmirësim të shëndetit fizik dhe mendor, ndërsa qytete të tjera raportuan edhe përfitime sociale, duke përfshirë rritjen e sigurisë së ushqimeve dhe të ujit, si dhe mbrojtje më të mirë për pjesën vulnerabël të popullsisë.
Për më tepër, qytetet që ndërmarrin veprime klimatike me në qendër njerëzit kanë pesë herë më shumë gjasa që të mundësojnë krijimin e vendeve të punës si një përfitim të përbashkët të veprimeve për klimën, ndërsa tre të katërtat e qyteteve të tilla raportuan përfitime mjedisore, të tilla si më shumë hapësira të gjelbra në qytete ose përmirësimin e cilësisë të ujit dhe të tokës.
“Vendosja e njerëzve në qendër të veprimeve për klimën, nga planifikimi e deri te zbatimi i tyre, përmirëson jetën”, tha Kutner. “Kjo bën që të shtohen përfitimet sociale, ekonomike dhe mjedisore, të rritet barazia dhe gjithëpërfshirja, si dhe siguron një tranzicion të mirë drejt një ekonomie me norma më të ulëta të emetimit të karbonit.
Qytetet që identifikojnë grupet më vulnerabël, që angazhohen me këto grupe dhe që kuptojnë nevojat e tyre për të ofruar strategji të drejta për t’u përshtatur, shohin përfitime të qarta nga kjo gjë dhe krijojë një të ardhme të qëndrueshme për njerëzit dhe planetin.”
CDP po u bën thirrje qyteteve që të ndërmarrin një sërë hapash për të çuar përpara veprimet klimatike dhe për të përmirësuar qëndrueshmërinë klimatike, duke përfshirë vendosjen e objektivave të emetimeve bazuar te të dhënat shkencore, ndërmarrjen e vlerësimeve të rrezikut klimatik dhe zhvillimin e planeve të përshtatjes.
Themeluesi i Bloomberg dhe i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Objektivat dhe Zgjidhjet Klimatike, Michael Bloomberg, tha: “Ky raport nënvizon rreziqet kryesore me të cilat përballen qytetet në botë nga ndryshimet klimatike, si dhe përfitimet që vijnë nga ndërmarrja e veprimeve, duke përfshirë pastrimin e ajrit, përmirësimin e shëndetit publik dhe zgjerimin e mundësive ekonomike.
Sa më shumë informacione që të kenë qytetet për këto rreziqe dhe përfitime, dhe sa më shumë që t’i angazhojnë qytetarët e tyre në punën që po bëjnë për t’u përballur me krizën klimatike, aq më shpejt do të mund të ecin përpara.” / World Economic Forum