Komisioni Europian ka nënshkruar marrëveshje për trajtimet me antitrupa kundër COVID-19.
Një provë klinike që po teston një terapi me antitrupa kundër COVID-19 të zhvilluar nga kompania farmaceutike britanike AstraZeneca dha rezultate negative, njoftoi kompania të martën.
AZD7442, një kombinim i dy antitrupave të ndryshëm monoklonalë, nuk arriti të ulë në mënyrë të konsiderueshme rrezikun ndaj Covid-19 pas ekspozimit ndaj virusit, duke bërë që të dështojë objektivi primar i studimit. Prova klinike përfshiu 1,121 pjesëmarrës të pavaksinuar të cilët ishin ekspozuar gjatë tetë ditëve ndaj dikujt që ishte infektuar me COVID-19. Dy në tre prej pjesëmarrësve iu administruan trajtime me antitrupa ndërsa pjesës tjetër iu dha një placebo*.
Rezultati përfundimtar tregoi 23 raste simptomatike me COVID-19 në grupin e pjesëmarrësve që u ishin administruar trajtimet me antitrupa monoklonalë AZD7442 dhe 17 raste në grupin e atyre që iu dha një placebo.
Kompania farmaceutike vuri në dukje se ilaçi arriti të reduktonte me 33 për qind të rrezikut të shfaqjes së një infektimi simptomatik, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për ta cilësuar si të suksesshëm studimin.
Analiza e të dhënave tregoi se në rastet kur nuk kishte pasur ekspozim të mëparshëm ndaj virusit, “AZD7442 uli rrezikun e zhvillimit të COVID-19 simptomatik me 73 për qind”.
Trajtimet me antitrupa monoklonalë, të cilat imitojnë mbrojtjen natyrore të trupit kundër viruseve, kanë treguar edhe më parë se kanë trajtuar në mënyrë të suksesshme COVID-19 në individë tashmë të infektuar dhe Komisioni Europian ka nënshkruar marrëveshje për trajtimet me antitrupa monoklonalë kundër koronavirusit./Politico.eu
*Efekti Placebo si fenomen psiko-biologjik ndodh në trurin e pacientëve që marrin placebo, është trajtim medikamentoz i rremë, një substancë inaktive si sheqer, ujë i distiluar, solucione kripore; ose një ndërhyrje kirurgjikale e rremë. Kjo shpesh mund të përmirësojë gjendjen e pacientit, vetëm pasi ai beson te forca kuruese e trajtimit që merr.