Sipas ekspertëve, një zgjidhje do të ishte mbështetja e qeverisë për ushqimin e kafshëve, sa herë rritet çmimi i drithërave
Pas goditjes që morën katër vite më parë fermat blegtorale vendase, për shkak të çmimeve të larta, ato jo vetëm që nuk kanë arritur të rimëkëmbën, por po zvogëlohen edhe më. Në të gjithë vendin janë vetëm 4 ferma me mbi 100 lopë, nga 16 që ishin para se çmimi i misrit dhe sojës të arrinte nivelet më të larta (në vitin 2008).
Por, edhe këto pak ferma janë në rrezik, me çmimet e rritura të drithërave së fundi.
Ndini Ndoni, sipërmarrës i një prej tyre (me mbi 100 krerë) në zonën e Lushnjës, pohon se fermat e lopëve po rrezikojnë mbijetesën. “Viti ka qenë i pafavorshëm për blegtorinë, pasi çmimi i sojës e misrit është rritur ndjeshëm, ndërkohë që prodhimi i qumështit tregtohet me të njëjtin çmim si një apo dy vite më parë, 45-46 lekë/litër”, thotë Ndoni.
Në ngritjen e fermave të gjedhit, investimet u shtuan në 2006-n. Kushtet ishin të favorshme, veçanërisht po t’i krahasojmë me këto vite. “Një kuintal sojë kushtonte asokohe 4-5 mijë lekë, ndërsa sot e blejmë me 11 mijë lekë. Çmimi i misrit ka arritur në 4 mijë lekë/kv, nga 2 mijë pesë vite më parë”, pohojnë përfaqësuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit. E ndërsa janë dyfishuar shpenzimet për të ushqyer kafshët, çmimi i qumështit është rritur vetëm 15%. Në fakt, sipas përpunuesve të qumështit por edhe ekspertëve të tregtisë, çmimi i qumështit nga ferma vlerësohet të jetë i lartë. Ai tregtohet pothuajse në të njëjtat nivele çmimi si në Europën Veriore. Edhe në tregun gjerman, ku të ardhurat për frymë janë disa herë më të larta, çmimi i qumështit në fermë është 40 cent/euro për litër.
Sipas ekspertëve të bujqësisë, drita e vetme jeshile për këtë sektor është mbështetja financiare. Aktualisht, si fermat (në bazë të krerëve) edhe prodhimi i qumështit janë përfshirë në skemën e mbështetjes direkte. Por, pak ferma vlerësohet të jenë mbështetur. Prej më se dy vitesh, pjesa më e madhe e financimit direkt në bujqësi po shkon në mbjelljen e ullinjve dhe shumë zona blegtorale nuk kanë arritur të përfitojnë. Fermerët e një prej rajoneve më të mëdha, si ai i Fierit, tregojnë se asnjë fermë blegtorale nuk ka arritur të përfitojë nga financimi direkt.
Në Europë, fermat e prodhimit të qumështit janë bërë përfitues tradicionalë të financimeve direkte, pasi vlerësohet të jenë shumë të ndjeshme ndaj çmimeve të tregut. Një prej ekspertëve në bujqësi pohon se, “çmimet e larta të drithërave vetëm në një sezon prodhimi, rrezikojnë të mbyllin ferma, të cilat është dashur vite të ngrihen. Ndaj edhe tregu europian i mbështet gjithnjë në periudhë krize ushqimore, me qëllim që kriza të mos kalojë edhe te prodhimet shtazore, ku do të mbetej për shumë kohë”. Drithërat e kripërat minerale vlerësohet të zënë rreth 70% të kostos së mbarështimit të gjedhit.
Lënda e parë ushqimore, veçanërisht për fermat e mëdha të prodhimit të qumështit sigurohet tërësisht nga importi, duke i bërë më të ndjeshme nga luhatjet në treg. Fermerët e zonës së Lushnjës tregojnë se në rastin më të mirë e sigurojnë në vend prodhimin e misrit, i cili gjithsesi po tregtohet me çmim të lartë.
Si ndryshon çmimi i drithërave dhe qumështit
2006 2012
Sojë 4-5 mijë lekë/kv 11 mijë lekë/kv
Misër 2 mijë lekë/kg 4 mijë lekë/vl
Qumësht/fermë 40 lekë/litër 46 lekë/litër
Burimi: Shoqata e Fermerëve
Tkurren edhe fermat mesatare
Prej vitit të kaluar, edhe fermat mesatare (me mbi 10 krerë lopë) janë zvogëluar në numër.
Në të gjithë vendin numërohen 1870 ferma blegtorale të këtyre përmasave, ose 2% më pak se një vit më parë. Rrjedhimisht po shtohen fermat me më pak krerë gjedh. Numri i tyre u rrit gati 11% vitin e kaluar, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë.
Ekspertë të blegtorisë mendojnë se ky është një hap mbrapa, pasi fermat e vogla, përveçse kanë kosto më të larta për krerë, rrezikojnë edhe më shumë ndotjen e qumështit dhe rritjen e ngarkesës bakteriologjike. Ekspertë të huaj kanë tërhequr vazhdimisht vëmendjen për ngarkesën e lartë mikrobike që ka qumështi i prodhuar në Shqipëri, pikërisht për shkak të fermave të vogla dhe standardeve të ndryshme të grumbullimit.
Fermat e mëdha filluan të ngrihen pikërisht në kohën kur investimet në industrinë e përpunimit të qumështit ishin në nivelet më të larta. Në njëfarë mënyre, mes vitit 2006-2007, ishin agropërpunuesit që nxitën krijimin e fermave për prodhimin e qumështit me mbi 100 krerë. Sot po ndodh një tendencë tërësisht e kundërt. Ndërsa fermat janë zvogëluar, investimet në përpunimin e qumështit janë më të larta se në çdo industri tjetër ushqimore në vend. Gjatë 2011-s, tregut iu shtuan dy marka të reja, ndërsa këtë vit pritet të dalin në treg edhe prodhimet e një tjetër stabilimenti të ri.
Gjatë vitit të kaluar, nga rreth 801 milionë lekë të investuar në agroindustri, 380 milionë kishin destinacion përpunimin e qumështit.
Sipas specialistëve në fushën e tregtisë, drejtimet me kahe të kundërta të fermave dhe agropërpunuesve rrezikojnë të “minojnë” kushtet për të nxitur prodhimin vendas edhe në të ardhmen. “Nëse përpunuesit e qumështit nuk e gjejnë lëndën e parë në vend, dhe mbi të gjitha nuk arrijnë ta marrin atë me cilësinë që u nevojitet dhe me çmim konkurrues, ata do t’u drejtohen tregjeve fqinje për import”, vlerësojnë profesorë të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Në fakt, drejtuesit e marketingut në këtë industri kanë pranuar se e shohin me interes importin e qumështit, me qëllim përpunimin e tij. Prodhuesit e “Ferlat” tregojnë se rreth tre vite më parë provuan të importojnë qumësht nga Maqedonia.
Sipas të dhënave statistikore, vitet e fundit është rritur importi i qumështit nga Bullgaria e Rumania.
Fermat e mëdha u goditën në 2008-n
Deri në mesin e vitit 2008, Abdullah Lame, fermer në Korçë, kishte një fermë me rreth 200 krerë lopë. Sot, kjo fermë nuk është më, pasi atë vit ai i shiti pothuajse të gjitha te fermerët familjarë. Një tjetër fermë në Lushnjë, me sipërmarrës Gëzim Sinanin, reduktoi po atë vit, numrin e krerëve nga 100 në 38. Sot ai ka vetëm 15 krerë lopë. Reduktimi i numrit të krerëve, për disa deri në mbyllje të plotë të fermës, ka prekur pikërisht sektorin e furnizimit me prodhime bulmeti.
Numri i krerëve në total ka rënë krahasuar me rreth dhjetë vite më parë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2000, në të gjithë vendin kishte rreth 728 mijë krerë gjedh, ndërsa sot kemi rreth 33% më pak. Për një periudhë pesëvjeçare (2000-2005) u therën shumë bagëti. Më vonë, ulja vazhdoi, por me ritme shumë më të vogla.
Të njëjtën tendencë ndoqën edhe fermat me të imëta. Aktualisht numërohen pak më shumë se 2.5 milionë krerë të imëta, ose 16% më pak se dhjetë vite më parë.
Burimi:MBUMK
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.