Sipas Market Pulse Service të Counterpoint Research, shitjet e tregut global të smartphone-ve premium (me çmim 600 dollarë ose më shumë) pritet të rriten me 6% me bazë vjetore në vitin 2023, duke arritur një rekord të ri.
Kjo e dhënë është në kontrast me rënien e parashikuar këtë vit për tregun global të smartphone-ve.
Segmenti premium pritet të zërë thuajse një të katërtën e shitjeve të tregut global të smartphone-ve dhe 60% të të ardhurave në vitin 2023.
Në vitet e fundit, segmenti premium është zhvilluar si një zonë në zhvillim në një treg të dobët.
Duke komentuar rritjen e tregut premium, analisti Varun Mishra deklaroi:
“Ka pasur një ndryshim në modelet e blerjes së konsumatorëve në tregun e smartphone-ve.
Duke marrë në konsideratë rëndësinë që ka një smartphone, konsumatorët janë të gatshëm të shpenzojnë më shumë për të pasur një pajisje me cilësi të lartë, që mund ta përdorin për një kohë më të gjatë.
Zotërimi i një pajisje më të kushtueshme është bërë një status simbol për shumë konsumatorë, veçanërisht në tregjet në zhvillim, duke kaluar direkt nga smartphone me çmim mesatar tek ata më të kushtueshëm.
Ndër të tjera, këto pajisje po bëhen më të përballueshme, falë sezoneve të promovimit dhe mundësive të tjera të financimit”.
Apple vijon të jetë lider i padiskutueshëm në tregun premium. Megjithatë, krahasuar me vitin 2022, pjesa e saj është tkurrur këtë vit.
Kjo ka ardhur kryesisht nga rimëkëmbja e Huawei në Kinë, nga seria Mate 60.
Edhe Samsung ka fituar pjesë tregu, falë modelit S23 dhe telefonave Foldable (të palosshëm). Telefonat e palosshëm kanë bërë gjithashtu diferencën në tregun premium.
Në lidhje me rajonet, pjesa më e madhe e rritjes së tregut global premium në 2023 u udhëhoq nga Kina, Europa Perëndimore, India dhe rajonet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës (MEA).
Në fakt, ka të ngjarë që Kina, India, MEA dhe Amerika Latine të regjistrojnë një rekord të ri të shitjeve në tregun premium, ku India është tregu me rritjen më të shpejtë në nivel global të telefonave premium.
Segmenti ultra-premium udhëheq rritjen në tregun e smartphone-ve të kushtueshëm. Segmenti me çmim mbi 1000 dollarë zë më shumë se një të tretën e shitjeve totale të tregut premium në vitin 2023.
Në total, pritet që segmenti premium të vijojë të tejkalojë tregun global të smartphone-ve. OEM mund të bëjnë diferencën, mbi të gjitha, të krijojnë një markë të fortë që do të ndihmojë në rritjen e këtij segmenti.
/ Counterpoint