Italianët janë grupi kryesor i turistëve që kanë vizituar hotelet në dhjetor, duke mbajtur tendencën e shfaqur gjatë gjithë vitit të shkuar.
Të dhënat e strukturave akomoduese të publikuara nga Instituti i Statistikave për muajin e fundit të 2023 tregojnë se 11.5% e vizitorëve jorezidentë ishin italianë, ndërkohë që pas tyre vijnë shqiptarët e Kosovës me 8.2%. Grupi i tretë i jorezidentëve përbëhet nga gjermanët me 5.3%.
“Gjatë muajit dhjetor 2023, numri i net-qëndrimeve gjithsej është rritur me 67,5%, në krahasim me muajin dhjetor 2022. Numri i net-qëndrimeve të vizitorëve jorezidentë të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritje me 90,3%. Në zonat jobregdetare ky tregues është rritur me 2,5 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Numri i net-qëndrimeve të vizitorëve jorezidentë të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 80,9%” thuhet në publikimin e INSTAT.
Turistët janë vendosur kryesisht në rajonin qendër, dhe ndryshe nga vera kur tendenca janë zonat bregdetare këtë herë janë ato jo-bregdetare.
“Në muajin dhjetor 2023, numri më i lartë i net-qëndrimeve është realizuar: sipas rajoneve në “Rajonin Qendër“ (57,1 %); sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat jobregdetare” (65,7%); sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (96,8%)” vlerëson INSTAT.
Shifrat e INSTAT
Rritja e interesit për Shqipërinë si një destinacion turistik edhe në dhjetor tregohet qartazi dhe nga norma e shfrytëzimit të kapaciteteve. Sipas INSTAT normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët matin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë.
“Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 13,3%, kundrejt 9,9% që ishte në muajin Dhjetor 2022. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 14,7%, kundrejt 8,5% që ishte në muajin Dhjetor 2022” thuhet në dokument.
Referuar shifrave numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 47,9%, në krahasim me dhjetor 2022. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm: numri i vizitorëve rezident është rritur me 33,2 %; numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 66,0%.
“Gjatë muajit Dhjetor 2023, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 47,9%, krahasuar me dhjetor 2022. Numri i vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritje me 82,3%.
Në Zonat Jobregdetare ky tregues është rritur me 92,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve jorezidentë të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 65,8%.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.