Turizmi, kontratat e 2021 të (pa)sigurta

28/11/2020 10:08 PM 0 komente

Pavarësisht pandemisë, agjencitë e huaja kanë negociuar me tur-operatorët shqiptarë kontratat për verën e vitit 2021, duke lënë si kusht rishikimin në mars. Niveli i rezervimeve është në shifrat e 2019-s, duke dhënë shpresë për rikuperim të shpejtë të sektorit, nëse risku i COVID-19 kalon. Strukturat hoteliere shprehen se Kosova ishte tregu që mbajti në këmbë sektorin dhe strategjia e tyre e marketimit, që prej vitesh ishte larguar nga turizmi patriotik, do të ndryshojë duke u gërshetuar. Bjellorusët dhe ukrainasit, të vetmit që udhëtuan spontanisht drejt Shqipërisë, pasi nuk u lejuan në asnjë vend tjetër, janë befasuar dhe kanë nisur turet për hartimin e paketave të vitit tjetër. Bilanci i sezonit 2020? Tur-operatorët dhe hotelierët konfirmojnë se ishte më mirë sesa pritej, sektori do të mbijetojë, por ka nevojë për mbështetjen e qeverisë në pikat më të dobëta

 

Nertila Maho

Teksa askush nuk e di se ç’do të ndodhë nesër, javën apo vitin tjetër, ekonomisë i duhet të “mbijetojë” e bashkë me të, të gjithë sektorëve. E në këtë mjegull pasigurie që ka sjellë COVID-19, agjencitë e huaja të turizmit kanë vrapuar edhe këtë shtator që të mbyllnin kontratat për verën e vitit 2021.

Tur-operatorët shqiptarë konfirmojnë se janë finalizuar të gjitha dhe rezervimet janë në të njëjtin nivel të vitit 2019, atëherë kur nuk kishim ende në horizont pandeminë. Shifra është inkurajuese dhe mund të rikthejë menjëherë turizmin në shinat e tij, nëse do të zbehet rreziku i COVID-19. Në të kundërt, situata do të jetë e vështirë për të gjithë.

Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, shprehet se kontratat e këtij viti janë rezervime paraprake, me të drejtë rishikimi në mars. “Për shkak të pasigurisë dhe paqartësisë që ka pandemia, është kërkuar nga agjencitë e huaja që tani të bëhet rezervimi i dhomave me kontratë, por në mars të rishihet edhe një herë kjo pjesë. Nëse pandemia nuk do të jetë më një faktor shqetësues, atëherë këto kontrata do të kalojnë automatikisht në formën e garancisë dhe do të bëhen edhe pagesat. Nëse situata do të ketë kufizime, atëherë hyn në fuqi forca madhore dhe ato mbeten të ngrira. Në mars do të bëhet një rikonfirmim për këtë pjesë” – pohon Kasa.

Të njëjtën gjë nënvizon edhe Arben Çipa, nga Shoqata e Hotelierëve në Sarandë. Sipas tij, polakët dhe turistët nga vendet skandinave po operojnë njëlloj me negocimet, pasi është hera e parë që të gjithë përballen me një situatë si pandemia. “Kemi negociuar për kontratat dhe çmimet në parim, gjë që do të thotë se kemi përcaktuar tarifat me të cilat do t’i marrin dhomat, por nuk ka pagesë paraprake. Këtë pjesë do ta rishikojmë në mars dhe nëse situata është pozitive, të gjitha do të kalojnë automatikisht në kontrata me garanci duke bërë dhe pagesat përkatëse” shprehet Çipa.

 

Hotelierët hedhin sytë nga Kosova, strategji marketimi më të fokusuar

Prej disa vitesh, Shqipëria po i largohej turizmit patriotik duke gjetur strehë tek ai europian i organizuar, por pandemia riktheu edhe një herë sytë tek e shkuara. Në kushtet e kufizimit të qarkullimit të shtetasve europianë drejt vendeve si Shqipëria, këtë sezon ata që mbushën bregdetin ishin turistët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Sigurisht nuk munguan as emigrantët e rikthyer në atdhe, në një numër më të pakët.

Panorama që dha sezoni veror solli edhe një lloj reflektimi se turizmi patriotik dhe ai europian i organizuar duhet të gërshetohen dhe jo të braktiset njëri për tjetrin. Ndaj disa prej strukturave më të mëdha hoteliere në vend mendojnë që do të vazhdojnë një tjetër strategji marketimi në tregun e Kosovës.

“Pushuesit nga Kosova e kanë mbajtur në këmbë industrinë këtë vit. Edhe nëse do të ketë ngarkesë të madhe nga agjencitë e huaja, numri i dhomave në hotelet FAFA për agjencitë e Kosovës do të mbetet gjithmonë i rezervuar, sepse kaluam bashkë një kohë të vështirë. Ne bashkëpunuam verën e kaluar me disa agjenci serioze në Kosovë, i cili rezultoi i frytshëm. Kemi në plan që ta mbajmë këtë lloj bashkëpunimi”- thekson administratori i “FAFA Group”, Fatos Çerenishti.

Edhe drejtori i përgjithshëm i hoteleve “Royal G”, Blerim Norja, pohon se do të ndryshojë plotësisht strategjia e marketimit me Kosovën, duke qenë se ishte grupi kryesor i turistëve që frekuentoi hotelet e tyre këtë vit. “Kemi bërë një program marketimi të hotelit, duke shpresuar për më shumë klientë nga Kosova” – thekson Norja. Por ndërsa kemi dimrin para, Rrahman Kasa nga Unioni Turistik Shqiptar shprehet se ndoshta kjo është stina që shqiptarët t’i kthejnë “borxhin” Kosovës.

“Kosova dha një kontribut të jashtëzakonshëm po të kemi parasysh pandeminë. Ne duam që në dimër t’ia kthejmë sadopak këtë borxh, duke orientuar shqiptarët që udhëtojnë drejt hoteleve dhe turizmit të borës në Kosovë dhe Maqedoni. Ne nuk kemi shumë mundësi për turizmin dimëror. Janë pak destinacione dhe nuk ka resorte dimërore, apo infrastrukturë me pista e ski dhe kjo na penalizon” – nënvizon Kasa.

 

Bjellorusët të befasuar, nisin turet për paketat e vitit tjetër

Shifrat e larta të infektimeve me COVID-19 në vende si Bjellorusia dhe Ukraina bënë që dyert e shumë shteteve të mbeteshin të mbyllura për çdo shtetas gjatë periudhës së verës. Shqipëria ishte më tolerante dhe në fakt u kthye në një destinacion interesant për këto dy grupe. Disa prej tyre e kanë pëlqyer aq shumë atë që gjetën në Shqipëri, sa nuk nguruan të ktheheshin dy herë brenda të njëjtit sezon.

“Turistët nga Bjellorusia dhe Ukraina janë befasuar pozitivisht nga Shqipëria dhe ne patëm rastin e tetë familjeve nga këto vende që u rikthyen dy herë brenda sezonit. Me të vërtetë, kjo më ka kënaqur shumë nga ana profesionale” – thotë Blerim Norja. Duket se përshtypjet pozitive që kanë marrë agjencitë nga klientët i ka angazhuar këto të fundit me ture studiuese të destinacioneve dhe ofertës që ka Shqipëria, për të bërë gati paketat e vitit tjetër. Kjo ka ndodhur kryesisht me bjellorusët.

“Bjellorusët kanë operuar në mënyrë të organizuar deri në datë 11 tetor ndërsa deri më 22 tetor kanë vazhduar të sjellin operatorët e tyre turistikë në ato që quhen ‘study tour’ dhe gjatë të cilave shihen destinacionet dhe përgatiten ofertat” – thotë Arben Cipa.

 

Shifrat e INSTAT, si e “shpëtoi” Kosova turizmin shqiptar

Shtatori ka sjellë pak frymëmarrje për turizmin në vend, pas situatës së vështirë që po kalonte nga marsi, kur për gati tre muaj, lëvizja ishte pothuajse e bllokuar dhe pas një vere të vakët, ku ata që i mbajtën hotelet në këmbë ishin shtetasit nga Kosova.

Të dhënat e INSTAT treguan se në shtator 2020, hyrjet e shtetasve të huaj në territorin shqiptar janë 377.033. Krahasuar me shtator 2019, ky numër ka rënë me 36,2%. Ndonëse në rënie, tkurrja ishte më e ulët se në periudhat e mëparshme, kur në gusht, hyrjet e të huajve ranë me 63% dhe në korrik me -67.1%.

Kosova është në fakt shpëtimtari i turizmit këtë verë. Vetëm në shtator, erdhën 239 mijë turistë nga Kosova, që përbënin 64% të totalit të të huajve që hynë në vend këtë muaj. Hyrjet e shtetasve nga Kosova në shtator ishin 44% më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë, duke mbajtur të zëna hotelet në të gjithë vendin dhe duke kompensuar rënien e turistëve nga Maqedonia (-50% në shtator), Greqia (-87%), Italia (-69%), Mali i Zi (-46%) etj.

Për shembull, nga 23 mijë turistë polakë që erdhën në shtator 2019, këtë vit kishte vetëm 1422, nga Greqia (një pjesë e madhe emigrantë) hynë vetëm 5,840 shtetas nga 47 mijë në shtator 2019, apo nga Italia erdhën 10 mijë shtetas, nga 35 mijë një vit më parë.

Gjithsesi, për 9-mujorin, rënia e hyrjeve të shtetasve të huaj është e lartë. Sipas INSTAT, numri i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri në 9-mujorin 2020 është 2.122.202, duke rënë me 61,1%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Gjatë nëntë muajve të 2020, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 45,2%, ndërsa tkurrjen më të madhe e ka pasur Spanja me 90,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Sipas INSTAT, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin shtator 2020, janë 604.703. Krahasuar me shtator 2019, ky tregues rezulton me rënie 43,1%. Në shtator 2020, hyrjet e shtetasve të huaj në territorin shqiptar janë 377.033. Krahasuar me shtator 2019, ky numër ka rënë me 36,2%.

Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori shqiptar, në shtator 2020 janë 706.145, duke shënuar një rënie me 44,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë në shtator 2020 janë 271.586. Krahasuar me shtator 2019, ky numër ka rënë 51,7%.

Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë në shtator 2020, janë 434.559. Krahasuar me shtator 2019, ky numër ka rënë 39,2%. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në 9-mujorin 2020, është 2.208.821 duke rënë 50,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of