Mëngjesin e ditës së sotme, Turqia ka rritur tarifat për makinat amerikane, alkoolin dhe cigaret, teksa situata me Donald Trumpin po përshkallëzohet.
Fuat Oktay, Zëvendëspresidenti turk, njoftoi se masat e ndërmarra nga qeveria e tij ishin si kundërpërgjigje ndaj asaj që ai tha se ishte hakmarrja për “sulmet e qëllimshme” mbi ekonominë turke nga administrata amerikane.
Këto masa, të botuara edhe në gazetën zyrtare të Turqisë, dyfishuan tarifat mbi një sërë produktesh të importuara amerikane. Taksa mbi alkoolin u rrit me 140 për qind, taksa për makinat në 120 për qind dhe ajo e duhanit në 60 për qind.
Rritje pësuan edhe produkte të ndryshme kozmetike, produkte ushqimore si orizi dhe qymyrguri.
Menjëherë pas këtij njoftimi, lira turke ishte e paqendrushme, duke shënuar fillimisht një rënie të menjëhershme, por më pas e rimori veten.
Lira është 5.2 për qind më e qendrueshme, duke u këmbyer me 6.0400 lira turke për dollarë amerikanë, duke shënuar një rimëkëmbje nga niveli i saj tjetet i ulët i ditës së hënë, ku monedha hyri në një nivel rekord të brendshëm prej 7.2149 lira turke për dollarë amerikanë. Turqia dhe SHBA-ja janë në një situatë e cila sa vjen e po përkeqësohet, dhe që si pikënisje pati arrestimin e Andrew Brunson, një pastori evangjelist nga Karolina e Veriut, në tetor të 2016 në Turqi.
Z. Trump ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme lirimin e Z. Brunson, fati i të cilit është shndërruar në shkaktarin e rritjes së tensioneve midis dy vendeve aleate të NATO-s. Në fillim të këtij muaji Presidenti amerikan, vendosi sanksione ndaj dy ministrave turq në një përpjekje për ta detyruar Turqinë që ta dërgonte Z. Brunson në shtëpi. Z. Trump dyfishoi gjithashtu edhe tarifat mbi alumin dhe çelikun e importuar nga Turqia.
Nga ana tjetër, Rexhep Tajip Erdogan, Presidenti turk, i është përgjigjur me të njejtën monedhë Presidentit amerikan, në lidhje me këtë situatë e cila i ka shtuar shqetësimet rreth ekonomisë së brishtë të vendit të tij në sytë e investitorëve ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha ka rritur presion mbi lirën turke, duke e çuar këtë të fundit të humbë më shumë se 40 për qind të vlerës së saj kundrejt dollarit gjatë këtij viti.
Z. Erdogan, i cili e ka akuzuar SHBA-në, si përgjegjësen e vetme për luftën ekonomike ndaj Turqisë, ka pohuar gjithashtu se kombi i tij nuk do të përulet ndaj kërkesave të Z. Trump. Ditën e djeshme ai deklaroi se do të bojkotonte elektronikën amerikane dhe u kërkoi shtetasve turq të ndalonin blerjen e iPhone-ve amerikanë dhe të fillonin të blinin produktet vendase.