Për pjesën më të madhe të njerëzve, jeta e tyre financiare është e lidhur në mënyrë direkte me punën e tyre.
Paga që ata marrin në fund të muajit është shumë e rëndësishme për ta dhe prandaj ata kurrsesi nuk mund ta humbin punën që kanë.
Kjo është edhe një ndër arsyet kryesore se përse të pasurit e një shefi të keq e përkeqëson edhe më shumë situatën. Edhe nëse bëhet fjalë për menaxherin apo për CEO-n tuaj, një drejtues i keq mund të shkatërrojë të gjithë kompaninë.
Ja se cilët janë pesë faktorët që tregojnë se shefi juaj duhet pushuar sa më parë:
1. Kur ai mendon se të bërtiturit është forma kryesore e komunikimit
Drejtuesit që bërtasin nuk e kanë asnjëherë situatën nën kontroll. Ata nuk kanë në kontroll as veten dhe as punonjësit. E bërtitura zakonisht është një taktikë që ndiqet nga ata drejtues që duan të frikësojnë stafin e tyre dhe jo ta frymëzojnë atë. Drejtuesit të cilët mendojnë se e bërtitura “do t’i përfundojë të gjitha detyrat e caktuara” apo “do të ndikojë që punonjësit të punojnë vazhdimisht, pa e çuar kohën e tyre dëm” janë totalisht të gabuar dhe nuk do të fitojnë kurrë besimin e punonjësve të tij.
2. Kur ai nuk e kupton biznesin në të cilin punon
Drejtuesi nuk duhet të kuptojë vetëm një kategori të caktuar të biznesit të cilin ai e ka në drejtim, por ai duhet të ketë njohuri të përgjithshme për të gjithë biznesin e tij në tërësi. Një drejtues i zoti duhet të jetë i aftë që të bëjë edhe detyrat e stafit të tij. Kjo nuk do të thotë që ai të jetë ekspert në çdo fushë, sepse kjo gjë nuk është e mundur, por ai duhet të jetë në gjendje që t’i japë zgjidhje çdo problemi.
3. Di vetëm të lavdërojë veten dhe jo kompaninë e tij
Ky është një aspekt shumë i lehtë për t’u përcaktuar. A është drejtuesi juaj një njeri i cili në vazhdimësi lavdëron veten e tij sesa kompaninë dhe stafin e tij? Nëse po, atëherë ai bën pjesë në atë kategori drejtuesish të cilët duhen pushuar menjëherë nga puna, sepse asgjë në kompani nuk bëhet vetëm dhe prandaj drejtuesi nuk mund të marrë kurrsesi meritat e të gjithë stafit të tij, të cilët normalisht duhet të lavdërohen të parët.
4. Kur ai nuk kupton kulturën e kompanisë
Një drejtues i cili nuk kupton kulturën e kompanisë të cilën ai e drejton, atëherë ai është i destinuar që do të dështojë. Nuk ka rëndësi nëse je menaxher apo CEO, sepse të gjithë duhet të përqafojnë dhe të respektojnë kulturën e kompanisë së tyre. Nëse një drejtues nuk e kupton kulturën e kompanisë së tij, atëherë ai rrjedhimisht do të shkëputet dhe veçohet nga kompania që drejton, gjë kjo e cila do të sjellë një mungesë të theksuar bashkëpunimi në të gjithë kompaninë.
5. Kur ai është i fiksuar pas vogëlsirave dhe çështjeve fare pa rëndësi
A është drejtuesi juaj i fiksuar pas vogëlsirave të parëndësishme? Nëse po, atëherë është e sigurt se kompanisë tuaj po i vjen fundi. Kjo sepse nëse një drejtues merret me vogëlsira, është e sigurt që ai do të neglizhojë disa prej çështjeve më të rëndësishme të kompanisë. Liderët e suksesshëm janë ata të cilët përqendrohen në disa prej çështjeve më kryesore të kompanisë, tek ato të cilat kanë më shumë rëndësi për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e kompanisë së tyre. Ata nuk kanë kohë të merren me vogëlsira.