Teksa kryeministri Rama kishte paralajmëruar më parë se biznesi i vogël do të hyjë në TVSH, ministri I financave Arben Ahmetaj ka sqaruar sot në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, se nuk do të ketë asnjë prag, pra TVSH do të fillojë që të zbatohet që nga zero.
Ahmetaj deklaroi se Tvsh do të shtrihet deri tek bizneset me qarrkullim nga zero por theksoi se kjo nuk ka rritje të kostos. ” Ka rritje të kostos për ata që punojnë në informalitet. Për ata që janë formalë kjo ska kosto” tha ministri.
Sot paguajnë TVSH bizneset që kanë të ardhura vjetore mbi 5 milionë lekë. Por, teksa Shqipëria ka si karakteristikë numrin e lartë të mikrondërmarrjeve, eskpertët kanë paralajmëruar se përpjekjet për të krijuar ciklin e mbyllur të pagesës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, duke ulur pragun e taksimit nga 5 milionë lekë, që është aktualisht, në zero pas 1 janarit 2018, më shumë se sa formalizim, pritet të sjellin çmime më të larta për konsumatorët dhe falimente masive në shtresat më të brishta të biznesit.
Tatimet numërojnë rreth 82 mijë subjekte të vogla dhe të mesme, nga rreth 105 mijë biznese gjithsej në të gjithë vendin, shumica e të cilave nuk plotësojnë kriterin e xhiros për të paguar TVSH. Kontributi në të ardhura i këtyre njësive ishte 0.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2016, por roli i tyre në punësim është dominues. Shqipëria është ndër vendet me numrin më të lartë të të vetëpunësuarve në botë, me rreth 36% të totalit. Ekspertët e ekonomisë lajmërojnë se çdo politikë shtrënguese në bizneset e pakicës do të jetë me pasoja fatale ekonomike dhe sociale për familjet e punësuara në to.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.