Për herë të parë që nga viti 2002, Arsenali rrezikon ta mbyllë vitin 2017 me një bilanc negativ, me humbje rreth 30 milionë euro. Kjo mund të vijë si pasojë e rrezikut të moskualifikimit në Champions League në sezonin e ardhshëm.
Në dy dekadat e fundit nën drejtimin e Arsene Wenger, modeli i biznesit të ndjekur nga klubi londinez ka qenë thuajse i përsosur në anën financiare – madje as ndërtimi i stadiumit Emirates nuk e ka vënë në vështirësi financiare klubin anglez.
Wenger ka ditur gjithnjë ta rendisë skuadrën e tij në katër vendet e para në një kampionat të vështirë si Premier League duke mbajtur rekordin e 18 pjesëmarrjeve radhazi në Champions League. Fakti që mund të mos ia dalë këtë sezon do të kishte ndikim negativ tek Arsenali.
Hera e fundit që Topçinjtë kanë regjistruar një bilanc negativ ka qenë në vitin 2002, me një humbje prej 20,6 milionë sterlinash.
Në vitet e mëpasshme, shitja truallit të stadiumit të vjetër Highbury Park ka kontribuar me të ardhura të larta në veçanti në vitet 2008 – 2012. Megjithatë në vitin 2016, fitimet kanë rënë në 2,9 milionë sterlina, kuota më e ulët në 14 vjet.
Perspektiva për të fituar 17 milionë sterlina nga pjesëmarrja e mundshme në Europa League përkundrejt 45 milionë euro të fituara në vitet e fundit në Champions League do të përbënte një humbje e madhe. Në anën tjetër, Arsenali këtë sezon do të ketë fitime të konsiderueshme nga marrëveshja e re e të drejtave televizive të Premier League. Megjithatë, siç ka gjasa të ndodhë, nëse klubi do të shpenzonte për blerjen e lojtarëve të rinj në verë, rreziku i një bilanci negativ do të ishte konkret. Mundësitë për të manovruar nuk janë të shumta, për shembull, sepse klubi ka çmimet më të larta të biletave në futbollin anglez.