Shtetet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia vuajnë nga një sërë sëmundjesh, shkruan në një raport të posaçëm, njësia e inteligjencës e revistës “The Economist”, “Economist Intelligence Unit”.
Rajoni karakterizohet nga rreziku i lartë gjeopolitik. Rreziqet e sigurisë përfshijnë shumë konflikte bilaterale; armiqësi që vazhdojnë që nga luftërat e viteve 1990, si dhe kërcënimin e fundamentalizmit islamik.
Përveç këtyre, BE-ja po përballet edhe me konkurrencën gjeopolitike në rajon nga Kina, Rusia dhe Turqia. Disa prej faktorëve që e shtyjnë rajonin drejt rrezikut politik dhe paqëndrueshmërisë përfshijnë fragmentarizimin etnik; dobësimin e besimit të popullit në qeveri; një histori konflikti; papunësia e lartë; aksesin ndaj armëve të vogla; rrezikun e terrorizmit; tensionet ndërkombëtare; abuzimet me të drejtat e njeriut; ankesat e grupeve të ndryshme dhe fluksin i madh i emigrantëve.
Në vitin 2003, në një samit të zhvilluar në Selanik të Greqisë, krerët e BE-së u premtuan shteteve të Ballkanit se dera e anëtarësimit në BE, do të ishte e hapur për ta. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, anëtarësimi në BE vazhdon të mbetet një perspektivë e largët për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Komisioni Europian dhe disa liderë të tjerë të BE-së kanë thënë se 2018-a është një vit shumë i rëndësishëm për rajonin, periudhë gjatë së cilës ata presin që të zgjidhen mosmarrëveshje të gjata, të cilat edhe më parë kanë penguar hyrjen e tyre në BE. Pas përfundimit të mosmarrëveshjes 27-vjeçare midis Greqisë dhe ish-republikës jugosllave të Maqedonisë, mbi emrin e kësaj të fundit, liderët e BE-së shpresojnë që të ndërmerret një hap i njëjtë edhe në drejtim të statusit të Kosovës. Ky do të jetë një nga mesazhet kryesore të Samitit të ardhshëm të Ballkanit Perëndimor që do të organizohet nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar në Londër më 10 korrik 2018.
Perspektivat e pranimit në BE, pas Brexit
Zhvillimi i një samiti për nxitjen e zgjerimit të BE-së në Mbretërinë e Bashkuar, një vend që do të largohet nga BE-ja në 2019, është një fakt disi i çuditshëm për disa, ndërsa për të tjerë edhe i diskutueshëm nëse duhet të mbahet apo jo. Edhe pse Britania ka qenë një prej avokatëve më të zjarrtë të pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, roli i saj në këtë drejtim shihet si i pavend dhe i tepërt, sidomos pas largimit të saj nga BE.
Megjithatë, Mbretëria e Bashkuar e ka shprehur vazhdimisht mbështetjen për zgjerimin e BE-së, nën sloganin zyrtar, “Ne jemi duke u larguar nga BE-ja por jo nga Europa”. Sidoqoftë, ekziston një paradoks në qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, që vazhdon të mbështesë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, në një kohë kur kjo e fundit po largohet vetë prej saj. Të shumtë janë ata që e kanë të vështirë të përfytyrojnë një rol të dobishëm në të ardhmen për Mbretërinë e Bashkuar në drejtim të rajonit, por ky shtet ka shumë gjëra të rëndësishme për të ofruar, pavarësisht largimit nga BE-ja.
Demokracia e Britanisë së Madhe është një prej pikave që mund të merret si shembull për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, pikë në të cilën shumica e tyre kanë çaluar për vite me radhë. Raporti sheh tendencat e fundit në zhvillimin demokratik dhe analizon se pse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë arritur të krijojnë demokraci më të forta. Ato karakterizohen nga ekonomi dhe institucione të dobëta, nga rreziku i madh politik, krimi i organizuar dhe niveli i lartë i korrupsionit. Varfëria alarmante, largimi i trurit të klasës së mesme dhe niveli i lartë i papunësisë në mesin e të rinjve, i theksojnë problemet e zhvillimit politik.
Raporti analizon perspektivat e rritjes ekonomike të rajonit. Rritja, që nga kriza globale e vitit 2008, ka qenë e dobët dhe rajoni vazhdon të jetë në të njëjtat nivele të ulëta. Ka shumë arsye pse ky rajon ka perspektiva modeste afatgjata, si për shembull problemet e vazhdueshme institucionale; demografia e dobët; rreziku i lartë politik; pozicionet e brishta fiskale; ecuria e dobët në fushën e inovacionit; infrastruktura e dobët dhe ndikimi i papunësisë së lartë në konsum dhe cilësinë e punës.
Tregtia e jashtme është një tjetër fushë në të cilën Ballkani Perëndimor çalon në krahasim me shtetet e Europës Lindore që janë anëtare të BE-së, si dhe me rajone të tjera të tregjeve në zhvillim. Raporti paraqet të dhëna bindëse që tregojnë se shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor po performojnë shumë më poshtë potencialit të tyre. Eksportet janë rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, por Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet pak i integruar në tregtinë botërore. Maqedonia dhe Serbia janë më të integruara. Megjithatë, vendet e Europës Lindore që janë anëtarë të BE-së (BE11) kanë peshë më të madhe në tregti. Të dhënat tregojnë se tregtia brenda rajonit nuk pritet që të ndikojë në ngushtimin e këtij hendeku.
HYRJA NË BE: RRUGA DREJT ASKUNDIT APO DREJT ANËTARËSIMIT NË 2025?
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker e deklaroi synimin gjatë fjalimit në Parlamentin Europian më 13 shtator të 2017, se mbështeste dhe nxiste zgjerimin e BE-së në drejtim të Ballkanit Perëndimor. Sipas dokumentit të strategjisë së BE-së, që nga fillimi i vitit 2018, kandidatët kryesorë që do të bëheshin pjesë e këtij zgjerimi janë Serbia dhe Mali i Zi, duke shpresuar se që të dyja do të jenë anëtare të BE-së deri në 2025, të ndjekura nga Shqipëria, Bosnjë- Hercegovina (BiH), Maqedonia dhe Kosova. Për BE-në, 2018 është një vit shumë i rëndësishëm, periudhë gjatë së cilës ajo dëshiron që të shohë një ndryshim vendimtar në drejtim të një normalizimi të plotë të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Të dy vendet janë ende të përfshira në një mosmarrëveshje që vazhdon që nga shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, fokusi i BE-së pas muajit qershor të këtij viti do të zhvendoset në Kosovë. Takimi ndërmjet BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur më 17 maj 2018 në Sofje, kryeqytetin bullgar, kishte për qëllim të siguronte vendet e Ballkanit Perëndimor për perspektivat e tyre drejt anëtarësimit në BE. Një ndër çështjet më problematike dhe më shqetësuese për BE-në është edhe paqëndrueshmëria politike dhe ndikimi i fuqive të treta si Rusia, Kina dhe Turqia në Ballkanin Perëndimor.
Kriza e emigracionit në vitin 2015, në të cilën qindra mijë emigrantë hynë në BE nëpërmjet Ballkanit Perëndimor, ishte një tjetër moment i rëndësishëm për të nxjerrë në pah dhe për të kujtuar rëndësinë strategjike të këtij rajoni. Përkrahësit e zgjerimit të BE-së e shohin atë si mjet kryesor për të siguruar paqen, stabilitetin, prosperitetin dhe sundimin e ligjit në rajon. BE-ja gjithashtu ndien nevojën për një mision dhe qëllim të ri, i tillë si ai i integrimit të Ballkanit Perëndimor, në epokën post-Brexit.
“Një kovë me ujë të ftohtë” për Presidentin Macron
Takimi i Sofjes u zhvillua 15 vjet pas mbajtjes së një takimi të ngjashëm në Selanik të Greqisë, ku iu premtua rajonit se ai do të përfshihej në BE. Samiti i këtij viti synon të sigurojë rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE. Deklarata e samitit ripohoi vendosmërinë e BE-së “për të forcuar dhe për të intensifikuar angazhimin në të gjitha nivelet për të mbështetur zhvillimin politik, ekonomik dhe shoqëror të rajonit”. Megjithatë, dy prej fjalëve kryesore, si “integrimi” dhe “zgjerimi” mungonin në dokumentin përfundimtar. Mesazhi kryesor i këtij dokumenti ishte i njohur për shumë: “angazhim i përbashkët ndaj vlerave europiane”; “mbështetje e qartë për perspektivën europiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor” dhe angazhim për vendosjen e demokracisë dhe shtetit ligjor.
Në këtë samit, Presidenti francez, Emmanuel Macron, u shfaq si kundërshtari kryesor i zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. “Gjatë 15 viteve të fundit, Europa është dobësuar, vetëm e vetëm sepse është menduar gjatë gjithë kohës për zgjerimin e saj”, tha ai. Presidenti Macron tha më tej se nuk ishte në favor të zgjerimit të mëtejshëm të BE-së përpara se të arrihej përmbushja e reformave kryesore dhe mbi të gjitha, në drejtim të sigurisë. Në vend që të fliste për anëtarësimin e vendeve të BE-së në të ardhmen e afërt, z. Macron u ofroi vendeve të Ballkanit Perëndimor një dialog strategjik të përforcuar.
Ndërlidhja kundrejt zgjerimit
Fokusi kryesor i samitit ishte siguria, dixhitalizimi dhe investimi. Një shtojcë me katër faqe, e quajtur “Axhenda Prioritare e Sofjes”, vendos bazat për krijimin e instrumenteve për mbështetjen e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së duhur. Ajo premton bashkëpunim më të mirë në fushat e antiterrorizmit dhe kontrollit kufitar, dyfishon financimin e Erasmusit kushtuar vendeve të rajonit dhe zgjeron strukturën e Investimeve të Ballkanit Perëndimor duke nisur një sërë projektesh të reja. Këtu përfshihen autostrada e paqes ndërmjet Nishit në Serbi dhe Prishtinës në Kosovë dhe Autostradës Blu përgjatë bregut të Adriatikut.
Në shtojcë përmendet edhe realizimi i Tregut Rajonal të Energjisë Elektrike që më vonë do të integrohet brenda tregut të energjisë së BE-së. I vetëdijshëm për përshtypjen aspak të mirë që ky samit mund të ketë lënë, Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, vuri në dukje se programi i ndërlidhjes nuk ishte zëvendësues për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së dhe shtoi: “Nuk shoh asnjë të ardhme për Ballkanin Perëndimor përveçse asaj Europiane. Nuk ka asnjë alternativë”. Gjithsesi, vendet e Ballkanit Perëndimor mund të falen nëse mendojnë se perspektivat e tyre drejt anëtarësimit të BE-së po pakësohen dhe se ata po nxiten drejt alternativave të tjera.
Institucionet formale të demokracisë ekzistojnë në të gjithë vendet e rajonit. Gjithsesi, ligjet funksionojnë nëpërmjet strukturave të fuqishme informale, patronazhit dhe kontrollit të mediave. Politikat e rajonit karakterizohen nga kontrolle dhe balanca të dobëta dhe një gjyqësor i politizuar. Sondazhet vazhdimisht nxjerrin në pah nivelin e ulët të besimit në institucionet politike dhe një nivel të lartë të pakënaqësisë me tranzicionin postkomunist pas viteve 1989.
Sipas Indeksit të Demokracisë së Njësisë së Inteligjencës së “The Economist” në vitin 2017, Serbia u rendit e 66 nga 167 vende dhe territore të marra në shqyrtim, dhe u shënjua si i vetmi vend “me demokraci me të meta” në rajon. Të gjithë vendet e tjera u shënjuan si “regjime hibride”, me Shqipërinë që renditej e 77-a, Mali i Zi, i 83-ti dhe Maqedonia e 88-a. Bosnjë dhe Hercegovina ishte vendi i renditur më ulët në të gjithë rajonin, në vendin e 101.
Mali i Zi dhe (deri vonë) Maqedonia kanë qenë de-facto vende me një parti të vetme për së paku një dekadë, të udhëhequra nëpërmjet manipulimit të elektoratit dhe rrjetit informal të klientelizmit dhe patronazhit.
Në Kosovë, numri i partive politike demaskon faktin se pushteti ka qenë efektivisht i manipuluar prej elitës klienteliste të udhëhequr më së shumti prej udhëheqësve të luftës, të cilët kanë drejtuar kryengritjen guerile kundër Serbisë në 1998-‘99, dhe që kanë manipuluar elektoratin për të mbajtur pushtetin.
Në partitë e Bosnjë dhe Hercegovinë, anëtarët e të cilave shpesh datojnë që nga periudha e luftës 1992-‘95 ka një dominancë në pushtet për shkak të lëmshit etnik, ku zyrtarët udhëheqin zonat të ndara të vendit, duke përfituar nga sistemi kompleks dhe i decentralizuar i vendit. Në Serbi, presidenti, Aleksandar Vucic, ka konsoliduar pushtetin vetjak, nëpërmjet një fushate të vazhdueshme dhe kontrollit të mediave.
Ndër shpjegimet në lidhje me hapat pas në demokracinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, më të spikaturat janë zhvillimi i ulët ekonomik i rajonit; ndikimi i influencës gjeopolitike ruse dhe mungesa apo dështimi i reformave të mandatuara dhe udhëzimeve nga Bashkimi Europian.
Normat e ulëta dhe të dobëta të rritjes ekonomike, kombinuar me varfërinë e përhapur, largimin e trurit (profesionistëve të klasës së mesme) dhe niveli i lartë i papunësisë tek të rinjtë, po ndihmojnë në nxitjen e pakënaqësisë dhe bëjnë që politikat populiste dhe nacionaliste të duken tërheqëse. Këtyre i shtohet edhe shkalla e lartë e ekonomisë në të zezë, që i lejon oligarkët të përqendrojnë pushtetin ekonomik për të lulëzuar së bashku me nepotizmin, patronazhin dhe korrupsionin.
Tendencat antidemokratike në rajon janë përforcuar nga mbështetja e BE-së me një qasje të orientuar drejt liderëve, ku BE ka kultivuar lidhje me liderë individualë, të cilët shikohen si të varur, ose të paktën si të menaxhueshëm për të marrë pjesë në dialog. Kjo ka forcuar individët në kurriz të demokracisë, duke rezultuar “stabilokraci”, një term i përdorur së fundmi nga një grup akademik, “Grupi Këshillimor i Ballkanit në Europë”. Përveç kësaj, procesi i anëtarësimit në BE, si një i tërë, ka tendencën që të forcojë degët ekzekutive të qeverisjes dhe agjencitë rregullatore të pavarura në kurriz të legjislacionit: ky ishte modeli në rastin e pranimit në BE të vendeve të Europës Qendrore.
RRITJA EKONOMIKE DHE KONVERGJENCA
Kanë kaluar thuajse tre dekada që nga fillimi tranzicionit në Europën Qendrore dhe Lindore në 1989. Progresi në konvergjencën e nivelit të të ardhurave me vendet më të zhvilluara të Europës ka qenë modest, veçanërisht që prej krizës financiare globale në 2008-n. Në përgjithësi, vendet e Ballkanit Perëndimore kanë bërë hapa pas që nga 1989. Diferenca midis nivelit mesatar të të ardhurave të tyre dhe BE 15 ishte më e thellë në 2017-n se sa në 1989.
Raporti veçon tre faza të këtij tranzicioni. Faza e parë, gjatë viteve ’90, veçanërisht në gjysmën e parë të dekadës, u shënjua nga një recesion i thellë dhe nën ndikimin e konflikteve. Pas vitit 2000, pati një rimëkëmbje të shpejtë dhe përshpejtim të arritjes së nivelit të BE 15. Por kjo zgjati deri në krizën globale financiare të 2008-s. Pas kësaj, ritmi i konvergjencës u ngadalësua.
Shpjegimi i rritjes ekonomike gjatë tranzicionit
“Economist Inteligence Unit” ka hartuar një regresion statistikor ku disa variabla shpjegojnë më shumë se 90% të variacionit të PBB në 2017-n krahasuar me 1989-n për të gjitha ekonomitë në tranzicion në Europën Lindore. Për pjesën më të madhe në rajon, parashikimi i PBB-së reale në 2017-n në krahasim me 1989 ishte shumë pranë nivelit aktual. Një indeks i kushteve fillestare në fillim të tranzcionit dhe një tregues se sa i prekur është vendi prej luftërave në 1989-2017 shpjegon rreth 50% të variacionit në rritjen ekonomike të shteteve.
Indeksi i kushteve fillestare është shuma e pikëve në një shkallë nga 1-4 për secilin nga këta tregues: Varësia në tregtinë me shtetet që i përkasin Këshillit për Asistencë Ekonomikë të Përbashkët (Comeon) në 1990; pesha e shërbimeve në PBB në 1989-n; pjesën që zinin shpenzimet qeveritare në PBB në 1989-n; një vlerësim të masës së eksperimentimit paraprak me reformën e tregjeve; dhe një vlerësim të masës së kohezionit politik të secilës shoqëri.
Të tjerë variabla, të gjitha statistikisht të rëndësishme, përfshijnë të ardhurat për frymë në fillim të tranzicionit, një tregues mbi pasuritë e burimeve natyrore; nivelin e borxhit përkundrejt PBB-së në 2016; indeksin e korrupsionit, të mesatarizuar për periudhën 1990-2017 (matësi i cilësisë së institucioneve); dhe një indeks i reformave ekonomike, i mesatarizuar për periudhën 1990-2014 për gjashtë tregues. Ky indeks final është bazuar në një vlerësim nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) të progresit të shkallës së lartë të privatizimit, shkallës së ulët të privatizimit, ristrukturimit dhe qeverisjen e ndërmarrjeve, tregtimin dhe sistemet e këmbimit dhe politikat e konkurrueshmërisë. Flukset e borxhit kanë pasur ndikim domethënës negativ, në linjë me rezultatet e tregjeve në zhvillim në përgjithësi.
Perspektiva e konvergjencës
Performanca ekonomike në Ballkanin Perëndimor ka qenë e dobët që nga kriza e 2008-s, me rritje reale të PBB-së mesatarisht vetëm me 0.4% në vit në 2009-2014. Megjithëse mesatarja rajonale e rritjes u përshpejtua në 2% në 2015-n dhe 2.9% në 2016-n, ajo ishte sërish zhgënjyese në 2017, pjesërisht për shkak të kushteve dhe destabilitetit politik në disa vende (veçanërisht Maqedonia).
Gjithsesi pritet përshpejtimi në rritjen ekonomike në 2018 dhe 2019, i parashikuar njësoj me atë të vendeve të Europës Lindore. Përshpejtimi, në pjesën më të madhe, do të mbështetet në faktorë të jashtëm të favorshëm, kryesisht nga rritja në tregjet kryesore të rajonit në Europën Perëndimore. Rritja në Ballkanin Perëndimor në 2018-‘19 do të nxitet kryesisht nga eksportet e të mirave, rritja e remitancave dhe turizmit. Shtimi i kërkesës së brendshme për shkak të konsumit dhe të investimeve do të jetë më i fortë në disa vende. Konsolidimi fiskal në Shqipëri, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Malin e Zi do të reduktojë rreziqet fiskale dhe do të përmirësojë besimin.
Ekonomitë në vendet e Ballkanit Perëndimor parashikohet se do të rriten me një mesatare vjetore prej 3.2% në 2018-‘19. Kjo është larg normave të rritjes para krizës së 2008-s dhe nuk do të mundësojë që të arrijë mesataren e Europës. Gjithsesi, do të jetë një përmirësim, krahasuar me vitet e fundit. Për më tepër, përshpejtimi do të kthejë shpresën se Ballkani Perëndimor mund të përshpejtojë konvergjencën me vendet e zhvilluara të Europës.
Arritja e nivelit të vendeve të Europës dhe perspektivës së rritjes në afatgjatë janë gjithsesi të errëta. Ka shumë arsye për këtë, duke përfshirë problemet e vazhdueshme institucionale, demografinë e dobët, rreziqet e shtuara politike, pozicionin e brishtë fiskal, performancën e dobët në inovacion dhe ndikimin e papunësisë së lartë në konsum dhe cilësinë e punës.
Rajoni gjithashtu vuan prej raportit të ulët të eksporteve ndaj PBB-së, dhe nuk është i mirë-integruar në zinxhirin e furnizimit të BE-së dhe global. Për më tepër, nuk ka tërhequr një nivel të mjaftueshëm të eksporteve të orientuar nga Investimet e Huaja Direkte, në krahasim me IHD-të jo të tregtueshme. Investimet e Huaja Direkte janë çelësi i rritjes, veçanërisht kur investimet e brendshme dhe kursimet janë të ulëta. IHD në Ballkanin Perëndimor kanë qenë të ulëta që nga piku në 2006-’07, kur flukset përllogariteshin 7 miliardë dollarë në vit.
Kapaciteti institucional dhe administrativ në rajon është i ulët, veçanërisht jashtë Serbisë (i cili është i formësuar më mirë në këtë fushë se sa vendet e tjera të Ballkanit, të cilët kanë përvojë relativisht më të ulët në shtetin e pavarur). Cilësia më e ulët e burokracisë dhe kapaciteti i ulët i elitave politikëbërëse ka qenë trashëgimia më e zgjatur e sundimit Otoman. Pavarësisht të një shekulli të zhvillimit të mëvonshëm, kjo mangësi ka pasur tendencën të riprodhohet nëpërmjet sistemit arsimor dhe transferimittë praktikave burokratike dhe të njohurive (know-how). Kjo është reflektuar në eficiencë më të ulët politike dhe institucionale (efektiviteti i qeverive për të zbatuar vendimet) se kudo tjetër në Europë.
Infrastruktura dhe rritja në Ballkanin Perëndimor
Infrastruktura e dobët publike e rajonit është një pengesë e madhe për të përshpejtuar rritjen ekonomike. Transporti më i mirë, rrjeti energjetik dhe i telekomunikacionit do të ndihmonin vendet e Ballkanit Perëndimor të rrisnin produktivitetin, të zgjeronin integrimin e tyre tregtar dhe të bëheshin atraktive për Investimet e Huaja Direkte. Rrjeti i papërshtatshëm i transportit, si për sa i përket mbulimit ashtu edhe cilësisë, kufizon lidhjen midis prodhuesve dhe konsumatorëve globalë, si dhe tregjet rajonale. Shërbimet e pasigurta dhe të pamjaftueshme (si p.sh. ujë dhe drita) dëmtojnë tërheqjen e investitorëve të huaj dhe vendas. Rrjeti i pazhvilluar i komunikimit mund të ngadalësojë përhapjen e informacionit dhe njohurive.
Cenimi i destabilitetit shoqëror dhe politik
Një tipar kyç që cenon rritjen në afatgjatë është se pjesa më e madhe e vendeve në Ballkanin Perëndimor kanë tipare të lidhura ngushtë me cenueshmërinë ndaj trazirave sociale dhe politike. Këtu përfshihen: shtetet e reja dhe pa përvojë; histori trazirash; mosmarrëveshje etnike dhe kufitare; papunësi e lartë; demokraci të pakonsoliduara; nivel shumë i lartë i pakënaqësisë politike në popull; korrupsion i përhapur; dhe nivel i ulët i besimit në institucione politike. Duke marrë shkas nga këto probleme të vazhdueshme, “Economist Inteligence Unit” nuk pret që performanca ekonomike e përmirësuar në rajon në 2018-‘19 të përkthehet në rritje të qëndrueshme ekonomike.
PBB për frymë në Ballkanin Perëndimor, matur me paritetin e fuqisë blerëse, është më pak se 30% e mesatares së shteteve të zhvilluara të BE 15 dhe gati sa gjysma e nivelit të vendeve të Europës Lindore që iu bashkuan BE-së në vitet 2004-‘07. Që Ballkani Perëndimor të kapë ritmin e BE 15, le të themi për 20 vite, rritja e tyre mesatare vjetore e normës së PBB-së për frymë duhet të tejkalojë atë të vendeve të BE-së me 7%, një objektiv thuajse i pamundur. Rritja në vendet e Ballkanit Perëndimor është parashikuar që të jetë 3-4% çdo vit, në rastin më të mirë. Ndërkohë që vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian do t’i rikthehen trendit të rritjes me rreth 2% në vit, që, edhe pse është një diferencë me vetëm 2 pikë përqindje në rastin më optimist do të thotë se në 20 vite, Ballkani Perëndimor do të jetë sërish poshtë 40% e mesatares së vendeve të zhvilluara.
Madje edhe parashikimi modest i rritjes prej 3-4% në vit për vendet e Ballkanit Perëndimor është i bazuar në disa supozime të favorshme si: në rritjen e qëndrueshme të vendeve të zhvilluara të BE; një skenar optimist demografik; ekziston një tendencë e vazhdueshme e de-rregullimit dhe ka progres institucional, si dhe parime fiskale. Skenari më optimist është një rritje e parashikuar vjetore prej 4% në afatgjatë. Skenari më pesimist është rikthimi i kaosit dhe konflikteve të 1990. Kjo duket më pak e mundur, megjithëse jo e pamundur, duke marrë shkas nga tensionet e shumta brenda dhe ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor.
TREGTIA NËN POTENCIAL
Për pjesën më të madhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, tregtia aktuale është shumë më poshtë potencialit. Tregtia brenda rajonit nuk ka gjasa të ndihmojë në ngushtimin e këtij hendeku. Eksportet janë zgjeruar ndjeshëm vitet e fundit, por vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten të integruara dobët në tregtinë botërore. Maqedonia dhe Serbia janë më të integruara në këtë drejtim. Megjithatë, në një krahasim me vendet e BE 11 (shtetet europianelindore që janë anëtare në BE), pesha e tregtisë (tregtia si përqindje e PBB-së) dhe tregtia për frymë (në dollar amerikan) është shumë më e lartë.
Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia janë anëtare të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA), por anëtarësimi nuk e ka rritur peshën e tregtisë brenda rajonit ndaj totalit për këto vende. Tregtia rajonale mbetet e ulët, pavarësisht afërsisë gjeografike dhe në shumicën e rasteve të lidhjeve kulturore dhe gjuhësore dhe kjo nuk ka gjasa të ndryshojë ndjeshëm gjatë periudhës afatmesme.
BE është tregu dominues i tregjeve të eksportit për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria, Bosnjë – Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia varen nga BE-ja për rreth 60-70% të eksporteve të tyre. Në të kundërt, tregtia brenda rajonit përbën vetëm 10% të totalit. Mali i Zi dhe Kosova dërgojnë rreth 30% të eksporteve të tyre në vendet e CEFTA-s dhe 40% në BE. Eksportet e mallrave hyjnë në vendet e CEFTA-s dhe të BE-së pa tarifa, por eksportet e shërbimeve ende përballen me barriera tarifore.
“The Economist” ka hartuar një regresion që shpjegoi rreth 94% të variacionit mes shteteve në eksportet e mallrave dhe shërbimeve në vitin 2015 për 155 shtete. Variablat shpjeguese, të cilat ishin të gjitha statistikisht të rëndësishme, përfshinin logaritmin natyror të PBB-së për frymë në dollarë amerikanë, sipas paritetit të fuqisë blerëse (PPP); logaritmin natyror të madhësisë së popullsisë; një variabël që merr vlerën 1 për vendet e BE dhe 0 përndryshe; si dhe logaritmin natyror të distancës së vendit nga qendrat rajonale (Gjermania, Japonia ose SHBA). Të gjitha variablat kishin shenjën e pritshme-negative për madhësinë e vendit (popullsisë) dhe për masën e distancës, dhe pozitive për të tjerët.
Gjetjet sipas kësaj përllogaritje ishin se, tregtia e Ballkanit Perëndimor është poshtë potencialit; eksportet e mallrave dhe shërbimeve janë thuajse 40% nën mesataren e eksporteve potenciale (bazuar në rezultatet e regresionit). Krejt ndryshe është situata për BE 11, për të cilën eksportet potenciale të vlerësuara janë pothuajse të barabarta me eksportet aktuale (një hendek mesatarisht vetëm 2 pikë përqindjeje).
Serbia është një përjashtim nga rregulli i Ballkanit Perëndimor
Serbia është një përjashtim. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve (të shprehura si në përqindje të PBB-së ashtu edhe në raportin e eksporteve për frymë) janë përgjithësisht në përputhje me atë që mund të pritet në bazë të nxitësve kryesorë të potencialit tregtar, që janë niveli i zhvillimit të Serbisë, madhësia e saj dhe distanca e saj nga tregjet kryesore. Ndryshon situata në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Jo shumë kohë më parë, rezultati i njëjtë do të ishte gjetur edhe për Serbinë.
Megjithatë, vitet e fundit, eksportet e Serbisë kanë arritur të jenë në potencial, si rezultat i rritjes së shpejtë të tyre. Zgjerimi i eksporteve ka qenë si rezultat i rritjes së fortë të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) dhe kursit fleksibël të këmbimit të Serbisë (ndryshe nga normat fikse që kanë dëmtuar konkurrueshmërinë në shumë vende të rajonit).
Tregtia brenda rajonit
Pesha e tregtisë brenda Ballkanit ka qenë në stanjacion që nga kriza e vitit 2008. Serbia është vendi i vetëm për të cilin pjesa e tregtisë së Ballkanit Perëndimor ishte dukshëm më e lartë në vitin 2017 se në vitin 2008. Rreth gjysma e eksporteve të mallrave brenda rajonit në Ballkanin Perëndimor kanë origjinën nga Serbia. Maqedonia ka tregtinë më të lartë rajonale si pjesë e tregtisë totale; eksportet në rajon përfaqësojnë 12% të PBB-së së vendit. Serbia vjen pas saj, ku eksportet në rajon përbëjnë rreth 8% të PBB-së; për BiH është 5%. Eksportet ndër-rajonale kanë pjesën më të ulët në Kosovë, ku ato përfaqësojnë 2% të PBB-së.
Një raport i fundit nga Komisioni Europian shqyrton modelet e tregtisë në Ballkanin Perëndimor, bazuar në një model të ashtuquajtur të gravitetit (në të cilin tregtia është një funksion i të ardhurave, madhësisë dhe distancave). Raporti tregon se tregtia brenda rajonit është nxitur pozitivisht nga niveli i aktivitetit ekonomik, dhe në njëfarë mase, nga faktorë kulturorë, si ngjashmëria e gjuhës. Megjithatë, barrierat jo-tarifore zvogëlojnë ndjeshëm tregtinë midis vendeve të rajonit.
Infrastruktura e dobët në rajon është gjithashtu një pengesë e madhe. Nevoja për të nxitur tregtinë brenda rajonit po merr vëmendje gjithnjë e më të madhe, duke përfshirë edhe atë të BE-së, por kjo nuk ka gjasa të rezultojë në rritje të konsiderueshme të tregtisë rajonale së shpejti, apo të ngushtojë hendekun ndërmjet tregtisë aktuale dhe potenciale të këtyre vendeve. Një arsye për këtë është dyshimi i përhapur në rajon se BE po promovon tregtinë brenda rajonit, si një zëvendësim për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.